Në një reagim në profilin e tij në rrjetin social facebook, anëtari i kryesisë së PD-Demokratët Euroatlantikë, njëkohësisht anëtari i këshillit bashkiak Vlorë, Myzafer Elezi, shprehet se projekt-buxheti i Bashkisë Vlorë për vitin 2025 nuk pasqyron nevojat reale të qytetarëve.
Këshilltari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Elezi, shprehet më tej se ka shprehur mosdakortësinë e tij ndaj këtij dokumenti, pasi ai nuk pasqyron nevojat dhe pritshmëritë reale të qytetarëve vlonjatë.
Më poshtë reagimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Vlorës,
Sot, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Vlorës, kam paraqitur analizën time të detajuar mbi Projekt-Buxhetin e Bashkisë Vlorë për vitin 2025. Si përfaqësues i opozitës, e kam konsideruar të domosdoshme të shpreh mosdakordësinë time ndaj këtij dokumenti, pasi ai nuk pasqyron nevojat dhe pritshmëritë reale të qytetarëve tanë.
Arsyet e mos dakordësisë sime:
1. Prioritet i ulët ndaj investimeve publike. Vetëm 22% e buxhetit është dedikuar për investime publike, duke lënë pas dore problemet serioze infrastrukturore të qytetit tonë. Rrugët si “Lito Godo”, “Dervish Hekali” dhe “Pano Bixhili” janë shembuj konkretë të gjendjes së degraduar që kërkojnë urgjentisht ndërhyrje.
2. Administratë e fryrë dhe shpenzime të larta operative. Rreth 48% e buxhetit shkon për paga dhe sigurime shoqërore, duke kufizuar hapësirën për investime në projekte që sjellin vlera të reja për qytetin.
3. Transparencë e ulët dhe shpërndarje jo e drejtë e fondeve. Shuma të konsiderueshme janë dedikuar kategorive të paqarta si “Të tjera”, ndërsa fondet për emergjenca janë minimaliste.
4. Mungesa e vizionit afatgjatë. Projekt-buxheti fokusohet në shpenzimet e administratës dhe jo në zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të qytetit.
5. Mungesa e pjesëmarrjes së qytetarëve. Procesi i hartimit të buxhetit ka munguar në konsultime të gjera me komunitetin dhe grupet e interesit, duke ulur legjitimitetin e tij.
Me qëllim përmirësimin e buxhetit me fokus rritjen e investimeve publike, i propozova administrëtaës dhe kryetarit të Bashkisë të marrë në konsideratë sugjerimet e mia:
• Rialokimi i fondeve nga shpenzimet administrative drejt investimeve publike si rehabilitimi i rrugëve dhe përmirësimi i infrastrukturës.
• Reduktimi gradual i kostove operative dhe optimizimi i strukturës administrative.
• Hartimi i një strategjie afatgjatë që fokusohet te projektet që gjenerojnë të ardhura si turizmi dhe zhvillimi ekonomik lokal.
• Organizimi i dëgjesave publike dhe platformave të konsultimit për qytetarët.
Fatkeqësisht, ky projekt u miratua me votat e shumicës, pa marrë parasysh asnjë prej propozimeve dhe sugjerimeve tona.
Si përfaqësues i opozitës, dua të siguroj se do të jem gjithmonë pranë jush, duke mbrojtur interesat tuaja të ligjshme dhe duke kërkuar transparencë publike në zbatimin e buxhetit. Angazhimi im mbetet i palëkundur për të promovuar një model të drejtë dhe të qëndrueshëm zhvillimi për qytetin tonë.
Me respekt,
Myzafer Elezi
Nënkryetar i Këshillit Bashkiak,
Bashkia Vlorë