“Projekte që vrasin”! Protestë para Parlamentit kundër inceneratorëve

Revolta popullore kundër qeverisë është zhvendosur dje para Parlamentit. Qindra banorë të Fierit dhe punëtorë të By Passi-t të Fierit e Vlorës kanë protestuar dje para Parlamentit kundër ndërtimit të inceneratorëve dhe për pagat e pa marra për më shumë një vit. Protesta kundër ndërtimit të inceneratorëve është organizuar nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave, AKIP. Protestuesit kanë dalë me pankarta në duar kundër ndërtimit të inceneratorëve në Vërri të Fierit. Në protestë kanë mbërritur dhe banorë nga fshati Vërri. “Kush ka firmosur në këtë projekt të japë llogari. Këto projekte vrasin. Shkatërrojnë bujqësinë dhe mjedisin. Do jemi të vendosur derisa ky projekt të bjerë. Ka vetëm pasoja negative. Myzeqeja është e jona, jo plehra në Myzeqe!”, thanë protestuesit.
Pas 11 muajsh protestë në fshatin e tyre kundër ndërtimit të inceneratorit për djegien e mbetjeve, këtë të enjte dolën përpara Parlamentit. Inceneratorët, sipas ambjentalistëve emetojnë gazra të helmëta që kontaminojnë ujërat nëntokësore, ato sipërfaqësore dhe shkaktojnë sëmundje të rënda.
Pak metra larg banorëve të fshatit Verri qëndronin punonjësit e By-Pass-it të Fierit. Këta qytetarë i ka sjellë në Tiranë mospagesa për punën e bërë. Për këtë problem këta punonjës protestojnë për herë të katërt, ndërsa shprehen se nuk do ta ndalin qëndresën deri në marrjen e rrogave.

“Do shtrihemi në rrugë të vdesim”

Punonjësit e By Pass-it të Vlorës shprehen se, shteti ka bllokuar paratë e tyre dhe nuk po shlyen detyrimet për t’u dhënë hakun e punës në këtë vepër ku puna është e çertifikuar. Punonjësit thanë se, kanë që në dhjetor 2016 që nuk janë paguar, kohë kur kompania italiane “Serenissima” e kontraktuar nga shteti për ndërtimin e By Passi-t të Vlorës ndërpreu punimet dhe u largua. “”Po falimentojmë, ku t’i gjejmë këto para, unë i bëj thirrje kryeministrit të na japë paratë se janë para djerse, para gjaku. Rruga nuk ka për t’u bërë, do të shtrihemi atje në rrugë të vdesim”, u shpreh një ngaprotestuesit.
Punonjësit thonë se, është shteti që ka bllokuar paratë e tyre, pasi siç tregojnë ata firma italiane kur u largua i transferoi borxhin shtetit, prandaj bllokimi i këtyre parave është i pakuptimtë. Por, pronarët e këtyre firmave që kanë kryer punimet dyshojnë se shteti i mban paratë e tyre, pasi ka frikë se do të humbasë në arbitrazh ndaj firmës italiane dhe me paratë e tyre do të paguajë firmën italiane.

“Punonjësit kanë 1 vit pa marrë pagat, ndërsa firma ka shpallur falimentimin. Ka një vit e gjysmë që është ndërprerë puna, ka shpallur falimentimin dhe ka ikur. Zoti Ruçi të kthejë kryet edhe nga ne, se kemi marrë borxhe nëpër banka, kemi blerë inerte, tani janë rritur kamatat për shkak të vonesave. Iu bëj thirrje të gjithë deputetëve, ministri nuk na pranon në takim, as të na spjegojë.
S’dimë ku të vemi ku të mbytemi, të vemi vetëm, në Bruksel, atëherë kur i duheshin punët na mbështeti.
Në 10 dhjetor në 2016 puna është ndërprerë. Ne kemi marrë dhe kredi, duke shpresuar që do t’i marrim paratë”, tha punonjësi. “Jam subjekt që kam punuar me disa subjekte të tjera dhe për shkak që nuk kam paguar detyrimin ndaj palëve të treta, mua nesër më sekuestrohen mjetet, borxhet tona nga palët e treta është i madh. Kërkojmë nga ministri i Energjetikës të na takojë dhe ti japim zgjidhje. Italianit nuk mund t’i marrim ndonjë gjë se nuk ka gjë në bankë, nuk ka kolateral. Firma italiane pa asnjë lloj garancie filloi punimet, ne na thanë filloni punën dhe mos e ndërprisni”, tha një tjetër. E gjitha kjo situatë sipas tij ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit të shtetit.

 

Exit mobile version