“Projektligji për pensionet duhet të ketë efekt prapaveprues”, Alfrida Marku: Nisma do të krijojë pabarazi duke diskriminuar mijëra pensionistë

Anëtarja e Kryesisë e Demokratëve Euroatlantikë, Alfrida Marku, ka kritikuar projektligjin e propozuar për njohjen e viteve të punës në ish kooperativat dhe ndërmarrjet shtetërore, duke kërkuar që ai të ketë efekt prapaveprues.

Sipas Markut, në të kundërt do të diskriminohen mijëra pensionistë, të cilët janë refuzuar padrejtësisht për njohjen e viteve të punës. Ajo thekson se ligji është i vonuar dhe përsërit padrejtësitë ndaj pensionistëve për 34 vite, duke kërkuar që të gjitha palët të mbajnë përgjegjësi për këto gabime.

Postimi i plotë i Alfrida Markut:

Projektligji i propozuar së fundmi për njohjen për efekt pensioni të viteve të punës në ish kooperativat dhe ndërmarrjet bujqësore, institucionet dhe ish ndërmarrjet shtetërore, nga viti 1977 e deri në mbyllje të aktivitetit të tyre, duhet doemos të ketë efekt prapaveprues.

‼️Në të kundërt do të krijojë pabarazi duke diskriminuar mijëra pensionistë, të cilët gjithashtu kanë punuar në të njejtat kooperativa bujqësore, ndërmarrjeve bujqësore e shtetërore, por janë përballur me refuzimin e padrejtë të njohjes së viteve të punës.

Projektligji i propozuar për njohjen për efekt pensioni të viteve të punës në ish kooperativat dhe ndërmarrjet bujqësore, institucionet dhe ish ndërmarrjet shtetërore, nga viti 1977 e deri në mbyllje të aktivitetit të tyre, pa diskutim duhet vlerësuar, por është tejet i vonuar dhe jo i plotë, e që edhe një herë përsërit padrejtësitë e secilës qeveri në këto 34 vite kundër pensionistëve.

Me bindje them se 1 ndër 4 pensionistë, në këto 34 vite, është përballur me sfidën të padrejtë të refuzimit për t’ju njohur vitet e punës, për të vijuar ecejaket në ankimet administrative e proceset e pafundme gjyqësore, me kosto financiare e emocionale të papërshkrueshme.
Asnjëherë askush nuk mbajti përgjegjësi

❗️Shkaqet pse mijëra pensionistëve iu është refuzuar njohja e viteve të punës në këto 34 vite janë po të njejtat mbi të cilat është bazuar kjo iniciativë ligjore për ato subjekte që ende nuk janë pjesë e skemës së sigurimeve shoqërore: regjistrimi në mënyrë të pasaktë apo jo të plotë i gjeneraliteteve apo të dhënave të tjera të punësimit si dhe papërgjegjshmëria e institucioneve për administrimin dhe ruajtjen e këtij dokumentacioni pas viteve ‘90.

Është koha që të gjitha palët të marrin përgjegjësitë e sotme dhe të së kaluarës për padrejtësitë e bëra në dëm të pensionistëve ndër vite.

Exit mobile version