Projektvendimi i Bashkisë Vlorë, 831 hektarë tokë do t’i kalojnë privatit për parqe fotovoltaike/ Nika: I pakonsultuar, qyteti nuk është vetëm i ‘socialistëve’

Kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, me anë të një projektvendimi që i ka paraqitur për miratim Këshillit Bashkiak kërkon që t’i kalojë disa kompanive private një sipërfaqe toke prej 831 hektarë.

Sipas projektvendimit, sipërfaqja e tokës është në zonën Shashicë-Gumenicë dhe synohet t’u jepet me qira për 10 vjet subjekteve që janë interesuar pranë ministrisë për ta përdorur për veprimtari fotovoltaike dhe eolike.

Në dokumentin e siguruar nga Gjurmon.al që mban datën 20 Nëntor 2024, citohet se fillimisht këto sipërfaqe toke kanë qenë më parë në pronësi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisi dhe tashmë janë bërë pronë e Bashkisë Vlorë.

Projektvendimi

Sipërfaqja e tokës në malin e Shashicës është e ndarë në disa pjesë dhe do të jepet për veprimtari fotovoltaike sipas Raportit “Mbi studimin tekniko-ekonomik për veprimtari fotovoltaike”.

Afati i dhënies me qira propozohet të jetë deri në 10 vjet me të drejtë rinovimi për aq kohë sa është përdorimi i veprimtarisë së kërkuar kur subjekti paguan qiranë vjetore”, citohet në projektvendim.

Sa i përket vlerës së qirasë bashkia nuk përcakton shumën që do të përfitojë institucioni, por i referohet vendimit 559 të vitit 2022 “Për përcaktimin e çmimeve dhe tarifave për dhënien në shfrytëzim/përdorim të Fondit Pyjor Kombëtar, për veprimtari ekonomike, si dhe për prodhimet drusore dhe jo drusore”.

Projektvendimi1

Referuar kontratave të mëparshme në institucione të ngjashme, mos përcaktimi i saktë i vlerës që do të përfitojë institucioni ka lënë vend për abuzim.

Bashkia nuk bën transparencë

Projektvendimi i depozituar nga Bashkia Vlorë në Këshillin Bashkiak është siguruar në rrugë jozyrtare, pasi në kërkon në faqen e internetit të këtij institucioni nuk ka asnjë informacion.

Pavarësisht se ligji detyron këtë institucion që të publikojë të gjitha mbledhjet e Këshillit Bashkiak, të publikojë projektvendimet, vendimet dhe procesverbalet e këtij organi, në faqen zyrtare nuk gjendet asgjë.

Bashkia Vlorë prej javësh nuk publikon më asnjë në faqen zyrtare të saj, ku informacionet e fundit lidhen me mbledhje të Këshillit Bashkiak në muajin korrik apo projektvendime dhe vendime që datojnë në shtator.

Opozita kundër: Vlora nuk është e disa “socialistëve”

Një prej këshilltarëve bashkiak ka dalë hapur kundër këtij projektvendimi, duke e quajtur abuzim dhe të pakonsultuar. Gjergji Nika në një shënim në mediat sociale, ngre disa pyetje lidhur me këtë lëvizje të Bashkisë Vlorë.

Me çfarë tagri bashkia do të administrojë e shpërndajë si t’i dojë pronat e qytetit të Vlorës, kur asetet e bashkisë i ka Këshilli Bashkiak? Normalisht që jemi pro investimeve, por cilido investitor shfaq interes, projektet apo propozimet i paraqet në bashki dhe bashkia i sjell në Këshillin Bashkiak për diskutim e miratim!  Pse nxiton kryetari i bashkisë?  Mos vallë për të realizuar këto projekte ka ardhur? Përse vijnë në Vlorë?”, pyet Nika.

Këshilltari Bashkiak vijon më tej ku kërkon nga kolegët e tij socialistë që të votojnë kundër këtij projektvendimi. “Nëse duan që të qarkullojnë me kokën lart në qytet e pa ndjerë turp përpara bashkëqytetarëve të tyre nuk duhet ta miratojnë!  Vlora nuk është vetëm e disa “socialistëve” që nuk janë as nga Vlora. Vlora është e vlonjatëve dhe e gjithë Shqipërisë! E fëmijëve tanë!”, shton ai.

Gjurmon.al do ta ndjek me interes këtë çështje dhe pavarësisht bunkerizimit të institucionit do t’i ofrojë publikut informacione të bollshme për çdo hapë që do të ndërmerret nga Bashkia Vlorë.

Artikulli paraprakEdhe sikur të mos ekzistonte ‘Sali Berisha’, socialistët do duhet ta shpiknin atë
Artikulli tjetërShpallet gjendja e jashtëzakonshme ushtarake, helikopterët fluturojnë mbi Parlament! Çfarë po ndodh në Korenë e Jugut