Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, dy dy prokurorët e dosjes “339”, në të cilën po hetohen prej më shumë se 2 vitesh, dyshimet për manipulimin e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017, pritet të jenë pjesë e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion-SPAK-në bazë të një formule pa bazë ligjore, të përzgjedhur nga kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Gent Ibrahimi.
Kreu i KLP, Ibrahimi, deklaroi se “Këshilli po shikon hapësirat ligjore për ngritjen e SPAK-ut me 8 prokurorë tashmë të vetuar dhe 2 prokurorë të komanduar nga lista e kandidatëve të kualifikuar për SPAK të cilët kanë kaluar vetingun me vendim të formës së prerë”, në përfundim të një takimi që zhvilloi të Martën me Zv. Ndihmës sekretari i Shtetit në SHBA, Jorgan K. Andrews.
Prokurorët Prençi dhe Mara janë të vetmit që plotësojnë “kushtin” e vendosur nga kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, atë të konfirmimit në detyrë me vendim të formës së prerë nga Vetingu.
Ata ishte ndër 22 kandidatët që u kualifikuan për të vijuar garën për 15 vakante në SPAK.
Por, kur KLP publikoi listën me 15 kandidatët e kualifikuar, emri i Prençit dhe Marës ishin jashtë renditjes, së bashku edhe me 5 kolegë të tjerë të tyre.
Nga “lista e dytë”, pra të atyre që nuk arritën të merrnin mbështetjen e KLP-së, krahas prokurorit Prençit dhe Marës janë edhe drejtuesja e Krimeve të Rënda, Donika Prela, prokurorët Besim Hajdarmataj, Dorina Bejko, Enkelejda Xhengo dhe Maksim Sota (ky i fundit u tërhoq më vonë nga gara).
Në bazë të të dhënave të strukturave të Vetingut, rezulton se Donika Prela nuk është konfirmuar me vendim të formës së prerë, për shkak se vendimi pozitiv i shkallës së parë është ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Ish-drejtuesi i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, u konfirmua pak ditë më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërkohë që vendimi i tij nuk është zbardhur.
Kandidatët e tjerë, Bejko e Xhengo ende nuk janë përballur me seancat dëgjimore para KPK-së.
Pra, në mënyrë shumë të thjeshtuar, anëtarët “e përkohshëm” të SPAK, në bazë të formulës “8+2” do të jenë Dritan Prençi dhe Vladimir Mara.
Formula “8+2” për SPAK-un u propozua publikisht për herë të parë nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, gjatë një raportimi të kryetarit të Këshillit të Prokurorisë në Parlament, fundjavën e kaluar.
Në bazë të kësaj formule, KLP synon të plotësojë numrin prej 10 prokurorësh, shifra minimale ligjore për nisjen e funksionimit të SPAK-ut.
Deri më tani, nga 15 kandidatët e kualifikuar paraprakisht nga KLP, janë të gatshëm për të marrë detyrën vetëm 8, në një kohë që dy prej tyre nuk janë më në garë, një tjetër është në pritje të vendimit të Kolegjit të Apelimit dhe 4 presin të dalin para Vetingut. /Boldnews.al