Është përmbyllur zyrtarisht vizita e zyrtarëve të lartë të Prokurorisë së Posaçme SPAK në SHBA, ku një sërë takimesh shumë të rëndësishme janë zhvilluar, në kuadër të vijimit të punës së organit të lartë hetimor në Shqipëri, pa u cenuar nga faktori politik.
Sipas një njoftimi nga Ambasada Amerikane në Tiranë, zyrtarët shqiptarë përmbyllën turin e tyre studimor në Washington, ku kanë zhvilluar takime me rëndësi të lartë, me organet kompetente amerikane.
Së pari, përmendet takimi me anëtarët e Zyrës së Ambasadave për Zhvillimin e organeve hetimore jashtë vendit, si edhe trajnimi dhe asistenca që është dhënë nga ekipi i OPDAT – ndër më kryesorët mbështetës të SPAK, që prej krijimit.
Më tej, përshkruhet se kreu i SPAK, Altin Dumani, së bashku me delegacionin shqiptar, kanë takuar Zëvendës-Ndihmës Prokurorin e Përgjithshëm dhe Këshilltarin për Çështjet Ndërkombëtare, Bruce C. Swartz, si edhe Koordinatorin e Departamentit të Shtetit për Anti-Korrupsionin Global, Richard Nephew.
Delegacioni u takua gjithashtu me Divizionin e Operacioneve Speciale DEA, të Administratës së Luftës ndaj Drogës.