Unioni i Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë (UPRSH) shpreh shqetësimin, sipas tij, për insinuatat që shkojnë deri në nivelin e sulmeve personale ndaj anëtarëve të tij dhe ndaj funksionarëve të drejtësisë në tërësi. UPRSH vlerëson se të tilla insinuata për të paraqitur prokurorët si palë me njërën ose tjetrën forcë politike sa herë që fillojnë procedime penale apo kryhen hetime paraprake për funksionarë apo ish-funksionarë të lartë të shtetit shqiptar, nuk janë në të njëjtën valë me kërkesat për një Reformë të drejtë në Drejtësi, reformë që si perceptohet nga anëtarët e këtij unioni nga leximet e qëndrimeve të partnerëve evropianë dhe amerikanë, do të duhet të sjellë pavarësi të vërtetë të sistemit të drejtësisë nga politika dhe përfundimin e asaj që artikulohet si “koha e pandëshkueshmërisë duhet të përfundojë”. “Ne besojmë se deklarata akuzatore përgjithësuese nuk i shërbejnë aspak klimës bashkëpunuese ndërmjet institucioneve ligjzbatuese dhe forcimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Klima e shantazhit dhe presionit publik ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve është jashtë logjikës së funksionimit normal të institucioneve shtetërore dhe kjo mënyrë komunikimi ndikon negativisht në luftën e përbashkët kundër kriminalitetit”, deklaron UPRSH. UPRSH i bën thirrje të gjithë partnerëve ndërkombëtarë për të mos lejuar ndikimin e politikës që për arsyet e saj të ushtrojë presion të çdo lloj forme apo natyre mbi punën e përditshme të prokurorëve anëtarë të unionit dhe jo vetëm. “Të vetëdijshëm se detyra e prokurorit në Republikën e Shqipërisë është një detyrë e vështirë, kërkojmë me forcë mbështetjen e shtetit shqiptar, pjesë të të cilit jemi, për të kryer detyrën të pandikuar, pa presione politike dhe pa u shantazhuar në emër të Reformës në Drejtësi”, thuhet në reagim. Më tej deklarohet se UPRSH ka qenë pjesë aktive e diskutimeve të natyrës teknike për sa kohë që diskutimet mbi reformën lidhur me formën e përmbajtjen e saj ishin në duart e ekspertëve të nivelit të lartë shqiptar dhe ndërkombëtar, ekspertë që kanë gjithë vlerësimin e UPRSH. “Në kohën kur diskutimet mbi Reformën në Drejtësi kaluan në nivel politik, konstatojmë me keqardhje se as ekspertët dhe as funksionarët e drejtësisë nuk konsiderohen më si pjesë e zgjidhjes dhe e bërjes së reformës. Në përfundim të këtij reagimi kërkojmë edhe një herë me forcë që drejtësia të lihet e qetë, që prokurorët të jenë të lirë të hetojnë si bëjnë çdo ditë në bashkëpunim me oficerët e Policisë Gjyqësore të Policisë së Shtetit, doganave, tatimeve dhe institucionet e tjera shtetërore”, përfundon UPRSH.
Kryesore
Continue to the category‘Gjatë qeverisjes së tij janë larguar 600 mijë qytetarë’/ Lapardhaja: Edi...
I ftuar në Report Tv, analisti Namir Lapardhaja u shpreh se Edi Rama është eksportuesi më i madh i shqiptarëve nëpër botë.
Deklaratën Lapardhaja e...