Prokurori i regjimit komunist dënon aktivistin pse protestoi

Një i ri është dënuar nga Gjykata e Tiranës pse protestoi kundër betonizimit të Parkut të Liqenit Artificial në muajin shkurt të këtij viti. Vendimi për dënimin e aktivistit të PD, Saimir Rrahmani është dhënë pas kërkesës së prokurorit të çështjes. Prokuror i çështjes ishte Bilbil Mete, një ish-kryehetues i regjimit komunist dhe njëkohësisht babai i zëvendësministrit të Ekonomisë, Ervin Mete. Pas publikimit të fakteve kompromentuese, Mete dha dorëheqjen, duke ia besuar çështjen prokurores Elida Celani, edhe kjo e bija e një ish-operativi të sigurimit të Degës së Brendshme të Burrelit gjatë regjimit komunist, Haziz Celani.
Prokurorja Celani ka kërkuar 6 muaj burg për protestuesin paqësor Sajmir Rrahmani, por Gjykata seancë pas seance me presione nga lart nga prokurori me të birin zëvendësministër më 06.12.2016 gjykatësja Shefkie Demiraj e dënon me 1.2 milion lekë gjobë. Dënimi ndaj aktivistit të PD bëhet për të shtypur protestat. Prokurorët politikë i binden verbërisht urdhërit të Ramës për të dënuar cilindo që del e proteston kundër qeverisë së tij që po e varfëron çdo ditë e më tepër popullin. Lirohen nga burgu vrasës dhe kriminelë dhe dënohen qytetarë të pafajshëm vetëm pse protestojnë paqësisht. Rrahmani u dënua me urdhër të regjimit për të bërë shembull që qytetarët të mos ngrihen më në protestë.
Saimir Rrahmani është akuzuar për “shkatërrim të pronës private të firmës “Kaseli”, ndonëse ndaj tij nuk kishte asnjë provë. Gjatë ditës së protestës, Rrahmani nuk është afruar fare tek makineritë e firmës “Kaseli” dhe ky fakt tregohet edhe nga pamjet filmike të shfaqura në televizione të ndryshme. Saimiri dhe të akuzuarit e tjerë janë dhunuar barbarisht gjatë protestës nga Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake, vetëm pse po protestonin kundër betonizimit të Parkut të Liqenit Artificial.
Gjatë protestave disa protestues përfunduan në spital si pasojë e dhunës policore. Ndërsa mjaft të tjerë u arrestuan nga policia dhe u dhunuan barbarisht edhe në furgonët e policisë. Ata u mbajtën 72 orë në birucat e komisariateve të Policisë së Tiranës dhe më pas u liruan me urdhër të Prokurorisë për arrestim të paligjshëm. Por seancat gjyqësore nuk u ndrprenë edhe pas lirimit nga birucat e policisë. “Gjatë kësaj kohe më thirri oficeri i Policisë Gjyqësore në Komisariatin Nr.1 të Tiranës. U paraqita bashkë me avokatin, ku u njohëm me provat që kishte paraqitur Prokuroria. Në një foto që na paraqiti oficeri i policisë isha thjesht pjesëmarrës në protestë. Kurse në video nga shtyrja e personave që kisha mbrapa në protestë dukej që kisha nxjerrë dorën para për t’u mbajtur tek mjeti që të mos rrëzohesha dhe më shtypnin protestuesit. Nuk kishte asnjë sekuencë dhune apo shkatërrim të fadromës siç më akuzonte policia”, tregon Sajmir Rrahmani.
Në fakt, procesi ndaj Saimir Rrahmanit ka nisur për motive krejtësisht politike. Rrahmani publikoi një shkrim në një gazetë kundër kryeministrit Rama dhe për këtë ndaj tij nisën sulmet politike, duke i bashkangjitur edhe pjesëmarrjen në protestat tek Liqeni Artificial.
“Gjyqi më është bërë për shkak të një kritike, që unë i bëra në një gazetë kryeministrit Rama. Mjaftoi kjo për t’u targuar nga qeveria e krimit se më njihnin si organizues të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, për të protestuar kundër importit të armëve kimike nga Siria në Shqipëri. Dhe si anëtar i Partisë Demokratike dhe aktivist i FRPD, menjëherë pas disa ditëve mjaftoi pjesëmarrja në protestën kundër betonizimit të Parkut të Liqenit Artificial, si shkak për të më shpallur në kërkim dhe për të më ndaluar nga policia, duke më mbajtur në dhomat e paraburgimit për 72 orë rrjesht. Prokuror më kishin caktuar ish-kryehetuesin e regjimit komunist, Bilbil Mete dhe njëkohësisht babai i zëvendësministrit të Ekonomisë, Ervin Mete”, shprehet Rrahmani.
Rrahmani thotë se, revolta e rinisë nuk mund të ndalet as me burg e as me dënime. “Pavarësisht burgosjes, dënimit e persekutimit politik që po më bën qeveria e kanabisit, mua po më motivojnë akoma më shumë për të luftuar fort me çdo mjet demokratik për ta shporrur këtë qeveri narkotrafikantësh sa më shpejt. Revolta e rinisë nuk mund të ndalet as me burg e as me dënime. Për mua s’ka asnjë ndryshim rregjimi komunist me këtë qeverinë e “rilindjes”. Atëherë kishte luftë klasash, dënime politike, duke shtypur fjalën e lirë edhe sot kjo po ndodh fatkeqësisht në Shqipëri”, përfundon Rrahmani.

R.POLISI

Artikulli paraprakPresidenti Buquicchio: S’ka asnjë vendim, vettingu shqyrtohet në datat 8-9 dhjetor
Artikulli tjetërPolicia duhet ta kishte arrestuar që në maj Balilin