Gjykata e Tiranës refuzoi, në mënyrë flagrante, të kryejë riekspertizën e zërit të Agron (Geron) Xhafaj, që gjendet në materialin bruto të dorëzuar pranë autoriteteve nga gazetari Jetmir Olldashi, në një proces që po dëshmon se si prokurorët që kanë hetuar çështjen, Gentian Osmani e Kolë Hysenaj dhe gjyqtari Artan Gjermeni kanë marrë rolin e avokatit të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i akuzuar publikisht nga ish-bashkëpunëtori i tij në trafiqe të paligjshme, Albert Veliu.
Avokati i gazetarit Olldashi, i akuzuar tashmë për “kallëzim të rremë” së bashku me ish-deputetin Ervin Salianji për faktin që bënë publike deklaratat e Albert Veliut, kërkoi nga gjykata ri-ekspertimin e zërit të Agron (Geron) Xhafaj, duke ngritur dyshime të forta mbi veprimet e prokurorisë.
Mbrojtësi ligjor konstatoi se Prokuroria nuk ka kryer ekspertizën mbi materialet bruto të dorëzuar nga gazetari Olldashi, por mbi një material të publikuar nga Partia Demokratike, në të cilin audio-regjistrimit i ishin shtuar titrat dhe efekte muzikore, për t’u bërë më i kuptueshëm nga qytetarët.
Gazetari Olldashi ka dorëzuar materialin bruto, me një USB, pranë Prokurorisë për Krime të Rënda në 22 Maj 2018, pak pasi prokurori i asaj kohe, Gentian Osmani, i njohur tashmë si falsifikatori kryesor i dosjes, nisi hetimet kryesisht për “trafik narkotikësh” në ngarkim të Agron (Geron) Xhafaj.
Aktet hetimore dëshmojnë se prokurori Osmani ka marrë edhe nga Partia Demokratike materialin që ajo publikoi, në të cilin gjendeshin titrat dhe efektet muzikore.
Në 22 Korrik 2018, pra mbi dy muaj pasi gazetari Olldashi kishte dorëzuar materialin zanor bruto, prokurori Osmani vendos që të dërgojë për ekspertizë materialin e marrë nga Partia Demokratike.
Ky veprim krijon dyshime të forta se prokurori Osmani, (sot i shkarkuar përfundimisht nga Vetingu dhe i përjashtuar përgjithmonë nga sistemi i drejtësisë), ka dërguar qëllimisht për ekspertizë materialin audio e marrë nga Partia Demokratike, në të cilën ishte dobësuar cilësia e zërit të biseduesve, për shkak të efekteve muzikore dhe titrave.
Për shkak të këtij materiali të dobët, gjithashtu edhe të cilësisë së ulët me të cilën Prokuroria e Tiranës i kishte marrë më parë mostrën e zërit Agron (Geron) Xhafajt, laboratori britanik “JP French Associates” nuk kishte një përgjigje të prerë nëse zëri në audio-regjistrim ishte apo jo vëllai i Fatmir Xhafajt.
Ekspertiza e zërit është thelbi i çështjes “Geron Xhafaj”, ndaj kryerja e saj mbi materialin bruto konsiderohet nga avokati Indrit Sefa si kyçi për të hedhur poshtë dosjen e manipuluar nga Policia e Fatmir Xhafës dhe prokuroria konkretisht Gentian Osmani dhe Kol Hysenaj.
Për këtë arsye, avokati Indrit Sefa kërkoi nga gjyqtari Gjermeni të vendosi marrjen e USB-së, e cila gjendet aktualisht një dosjen e pezulluar për “trafik narkotikësh” të Krimeve të Rënda dhe të vendoste kryerjen e ri-ekspertimit.
Kjo kërkesë u konsiderua e paarsyeshme nga prokurori Kolë Hysenaj, si edhe nga avokati i viktimës (Geron Xhafaj), Ardian Visha (ky i fundit ish-Drejtor për Marrëdhëniet me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, i akuzuar nga media dhe ish deputeti Ervin Salianji se ka mbrojtur Agron Xhafën në dënimin e tij në Itali gjatë viteve 2000, duke zhdukur dokumentat që kërkonin arrestimin e Geronit nga pala italiane.). Avokati Visha njihet gjithashtu si mbrojtës permanent i segmenteve të malavitës në Gjykatat Shqiptare.
Kundërshtimet e prokurorit dhe avokatit “të viktimës” u mbështetën njëzëri dhe me entuziazëm nga gjyqtari Artan Gjermeni. (Ky i fundit i akuzuar shpesh si i lidhur me Partinë Socialiste dhe grupet e rrezikshme kriminale, si banda e Lushnjes etj…).
Me një vendim të ndërmjetëm, ai rrëzoi kërkesën për tërheqjen e USB-së me materialin bruto nga dosja e pezulluar e Krimeve të Rënda. Në këtë mënyrë, gjyqtari bëri të paefektshme edhe kërkesën për kryerjen e ri-ekspertizës.
Në një ndër seancat e kaluara, gjyqtari Gjermeni revokoi edhe një vendim të marrë paraprakisht prej tij, në të cilin kishte vendosur që Agron (Geron) Xhafaj të pyetej si dëshmitar në seancë.
Në mënyrë absurde, ai vendosi që Agron (Geron) Xhafaj të mos flasë në seancë, por të lexohen vetëm deklarimet e dhëna prej tij gjatë hetimeve paraprake. Vendimi u kundërshtua nga avokatët e të akuzuarve.
Përballë këtij kundërshtimi, gjyqtari Gjermeni orientoi palët (pra mbrojtësit e të akuzuarve) që, për pyetjet që kishin për Agron (Geron) Xhafajn, të përgjigjej avokati i viktimës.
Ky sugjerim u duk i pavend edhe për një prej dy prokurorëve të çështjes, Genc Qana, i cili deklaroi në atë seancë se kjo është e pamundur.
Për avokatët, shmangia e Agron (Geron) Xhafaj nga dhënia e dëshmisë në gjykatë duket si një manovër për të shmangur dëgjimin e zërit origjinal të tij, i cili më pas mund të krahasohej lehtësisht me zërin në bisedën e regjistruar nga Albert Veliu.
/Boldnews.al