Prokuroria: Banda e Shullazit ka kryer 6 vepra penale në 15 raste

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda lë në fuqi vendimin e “arrestit me burg” për Emiljano Shullazin dhe dy bashkëpunëtorët e tij. Tre gjyqtarët, Dhimitër Lara, Dhurata Haveri dhe Nertina Kosova vendosën të mos pranojnë kërkesën e avokatëve, për lirimin nga burgu të Emiljano Shullazit, Gilmando Dani dhe Blerim Suullazit. Edhe gjyqtarët e Apelit për Krime të Rënda, zhvilluan seancën me dyer të mbyllura, me arsyetimin e sekretit hetimor.
Emiljano Shullazi nuk ka qënë i pranishëm në sallën e gjyqit, ndërsa avokatët e tij kërkuan nga Gjykata të lirojë nga burgu Shullazin në mungesë të provave. Por, kërkesa e avokatëve u kundërshtua nga prokurori i çështjes, i cili krahas informacioneve të Shërbimit Sekret për vendosjen e gjobave ndaj 4 biznesmenëve të ndryshëm, i tregoi Gjykatës edhe për një kallëzim penal të një shtetaseje, për vjedhjen e pronës së saj. Krahas këtyre akuzave, Prokuroria tha se është Shullazi dhe “banda” e tij që ka kërcënuar edhe dy profesorët Dhori Kule e Mynyr Koni.
Të njëjtin qëndrim prokurori mbajti edhe për të dyshuarit Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi, duke i kërkuar Gjykatës të lërë në fuqi vendimin e arrestit me burg. Edhe këta të dyshuar mësohet se nuk pranuan të flasin për akuzat, duke pretenduar se janë të pafajshëm. Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe avokatët, të cilët kërkuan lirimin e dy të dyshuarve nga burgu, me pretendimin se Prokuroria nuk ka prova që implikon klientët e tyre në këto ngjarje.
Sipas Prokurorisë, Shullazi në bashkëpunim me bandën e tij dyshohet se ka kryer 6 vepra penale në më shumë se 15 raste të përsëritura. Banda e Shullazit dyshohet se u kanë vënë gjoba 4 biznesmenëve të njohur, duke përfituar prej tyre shuma të mëdha parash. Në rastet e mos vjeljes së gjobave, ata dyshohet se vendosnin eksploziv për t’i trembur.
Po me metodën e kërcënimit dhe dhunës, Shullazi ka përfituar ish-hotel “Vollgën” në Durrës, e cila tashmë u sekuestrua dhe po tentonte të privatizonte ish-Parkun e Sporteve në Durrës. Me të njëjtën metodë, dyshohet se Shullazi me dhe bashkëpunëtorët e tij kanë përfituar edhe një pronë tjetër në kryeqytet, por që avokatët e kundërshtuan. Sipas akuzës, të dyshuarit kanë kanosur dy profesorët Dhori Kule dhe Mynyr Koni, duke i kërkuar të tërhiqen nga gara, akuza për të cilën prokurorët kanë administruar deklarimet e tyre, të cilët mohojnë njohjen me Shullazin.
Prokuroria ka dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore rreth 30 kamera të sigurisë, të cilat janë sekuestruar nga biznese e rrugë të ndryshme në Tiranë për të zbardhur kërcënimet që u janë bërë dy profesorëve nga Shullazi dhe banda e tij. Në mesin e këtyre pamjeve, mësohet se janë pamjet e kamerave të sigurisë së hyrje-daljeve të kryeqytetit, kamerat e Bashkisë që ndodhen në kryqëzime dhe rrugë kryesore, kamera të policisë si dhe bizneset e ndryshme.
Emiljano Shullazi u arrestua më 17 prill pas deklaratave të bëra nga ish-kryeministri Berisha se kishte kërcënuar Mynyr Konin, sot Rektor i Universitetit të Tiranës, që të tërhiqej nga gara për këtë post, si dhe profesorin Dhori Kule që të mos mbështeste Konin në zgjedhjet për Rektor.

Shullazi nuk shkon në gjyq, Gjykata e Apelit e lë në burg

Deri në përfundim të hetimeve, Emiljano Shullazi si dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi do të qëndrojnë në burg. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë marrë në 20 prill. Për togat e zeza nuk kanë ndryshuar kushtet për të arrestuarit dhe për këtë arsye u lanë në burg.
Emiljano dhe Blerim Shullazi nuk kanë qenë të pranishëm në sale, duke u përfaqësuar nga mbrojtësit. Ndërsa Gilmando Dani ka qenë në sallë, duke mohuar akuzat. Mbi këta tre shtetas rëndojnë akuzat e grupit të strukturuar kriminal, përvetësim prone, gjobëvënie, shkatërrim prone me eksploziv si dhe kërcënime për shkak të detyrës.
Pjesë e këtij hetimi është dhe kërcënimi ndaj dy akademikëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule. Mësohet se Prokuroria në këtë seancë si provë të re ka sjellë dhe kallëzimin e bërë nga një grua, e cila akuzon Emiljano Shullazin për përvetësimin e një prone me vlerë 1 milion euro në Tiranë.
Pretendimet e Prokurorisë janë kundërshtuar nga avokatët mbrojtës, të cilët argumetuan se për klientët e tyre nuk ka asnjë provë dhe kallzim konkret që t’i implikojë. Pavarësisht pretendimeve Gjykata vendosi t’i lërë në burg, ndërsa avokatët pritet të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë.
Një grua biznesmene ka dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda se si Emiljano Shullazi i ka grabitur një pronë me vlerë 1 milion euro, duke e kërcënuar. Burime nga organi i akuzës bënë të ditur se, grupi hetimor ka marrë denoncimin e një shtetaseje me banim në kryeqytet, emri i së cilës nuk bëhet publik për arsye sigurie, e cila ka denoncuar direkt Emiljano Shullazin dhe krahun e djathtë të tij, Gilmando Danin për marrjen e një prone në afërsi të zonës së njohur si “Zogu i Zi”. Mësohet se kallëzuesja është me profesion juriste dhe ka një moshë rreth të 50-ve. Ajo ka treguar para grupit hetimor me detaje kalvarin e vuajtjeve dhe kërcënimeve të Shullazit dhe bandës së tij për t’i marrë pronën.
Biznesmenia ka deklaruar se prona i është marrë nën kërcënim nga banda e Shullazit dhe është regjistruar në emër të Gilmando Danit. Për marrjen e kësaj prone, denoncuesja, që është marrë në mbrojtje nga policia pas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ka thënë se Shullazi dhe banda e tij kanë kërcënuar edhe një gjyqtare të Gjykatës së Shkallës së Parë administrative në Tiranë. Gjyqtarja që kishte në proces një veprim administrativ me Hipotekën e kryeqytetit, ku pas presionit vendimi është dhënë në favor të tyre, ka deklaruar denoncuesja e mbrojtur.

R.POLISI

Artikulli paraprakEmrat e ushtarëve të Shullazit që drejtojnë sot policinë
Artikulli tjetërKLSH: Thellohet deficiti në skemën e Sigurimeve Shoqërore