Prokuroria dërgon në Gjykatë dosjen e vrasjes së Elton Çiços

Prokuroria e Tiranës, përfundoi hetimet dhe dorëzoi në Gjykatë dosjen penale ndaj të pandehurit Jani Alia, i shpallur në kërkim si autor i vrasjes së Elton Çiços. Ndërsa për shokun e tij, Renato Milloshi, që deri para dorëzimit në polici, akuzohej për vrasje në bashkëpunim, Prokuroria ia ka lehtësuar pozitën, duke e akuzuar vetëm për veprën penale të “moskallëzimit të krimit”. Për të njëjtën vepër penale, sipas Prokurorisë, do të gjykohen edhe ish-oficeri i policisë, Alban Trimi dhe dentisti Redian Rraja, që ndodheshin në tavolinë me viktimën.
Sipas akuzës, konflikti mes Elton Çiços dhe Jani Aliajt, ka nisur në burgjet greke. Ku fillimisht, Aliaj ka qëlluar me thikë një bashkëvendas dhe shok të Çiços brenda në burg, duke i sjellë vdekjen. Më pas, konflikti mes tyre ka vazhduar me përplasjen fizike në burg, ku për pasojë ka mbetur i plagosur Çiço. Dhe me daljen nga burgu, mes tyre hasmëria ka vazhduar me atentate të ndërsjellta, deri mbrëmjen e 1 majit 2016, ku vetë Jani Alia me pistoletë në dorë ka hyrë brenda lokalit ku ndodhej Elton Çiço, duke qëlluar në drejtim të tij me 4 plumba.
Si pasojë e të shtënave ka gjetur vdekjen e menjëhershme Çiço dhe autori është larguar. Për këtë vrasje, policia akuzoi edhe Renato Milloshin, në emër të cilit ishte makina që u përdor për kryerjen e kësaj vrasje. Por pas dorëzimit në polici, arriti të bindë Prokurorinë me versionin e tij, se nuk është përfshirë në vrasjen e Elton Çiços.
Si dhe nuk kishte dijeni se për çfarë arsye e kishte blerë Jani Alia makinën që ia kishte kaluar në pronësi Renato Milloshit. Për këtë fakt, i pandehuri Milloshi do të përgjigjet para Gjykatës së Tiranës, vetëm për akuzën e moskallëzimit të krimit. Vepër për të cilën do të gjykohen edhe dy shokët e Elton Çiços, me të cilët ishte në tavolinë në momentin e vrasjes, ish-oficeri Alban Trimi dhe mjeku Redian Rraja, të cilët akuzohen se i kanë fshehur pistoletën dhe aparatet celulare viktimës që mos të binin në duart e policisë. Sipas Prokurorisë, si provë kryesore që identifikon Jani Aliajn si autor të vrasjes, janë pamjet e kamerave të sigurisë së lokalit, rrugëve që ka ndjekur dhe rrobat e gjetura në banesën e tij, ku qëndronte me qira.

Artikulli paraprakVrasja e trefishtë, dëshmon nëna e dy vëllezërve Sulku
Artikulli tjetërSi dhunohen të miturit në burgun e Shënkollit