Prokuroria do t’i kërkojë palës gjermane verifikimin e dosjes së Roshit

Prokuroria do të dërgojë në Gjermani një letërporosi për të zbuluar të vërtetën kriminale të kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshit kur ka qenë në Gjermani. Kërkesa Prokurorisë së Përgjithshme është bërë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me qëllim verifikimin e formularit të bashkiakut të Kavajës. Në këtë kërkesë do të kërkohen të dhëna të sakta lidhur me arrestimin  ose jo të Elvis Roshit, dënimit ose jo të këtij personi dhe dëbimin ose jo nga Gjermania të Roshit.
Prokuroria nis të martën hetimet për të shkuarën e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Organi i akuzës njoftoi dje se ka kërkuar materialet paraprake nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Elvis Roshin. “Të dhënat e kryetarit të Bashkisë së Kavajës kanë qenë të pasqaruara”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. “Bazuar në tagrin e tij ligjor, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të paraqesë materialet paraprake mbi subjektin e ligjit, Elvis Roshi, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë.
Kërkesa e Prokurorit të Përgjithshëm mbështetet në faktin se, në formularin e vetëdeklarimit të këtij subjekti, ka të dhëna të pasqaruara, të cilat kërkojnë verifikim më të thelluar”. Formulari që plotësoi Elvis Roshi nxori në pah problemet që ai kishte pasur me drejtësinë gjermane. Ai pranoi se ka qenë i skeduar në Gjermani, por në formularin e dekriminalizimit, shënoi se arsyet nuk i kujtoheshin. Po ashtu, Roshi thotë se nuk i kujtohej nëse ishte dënuar apo jo në Gjermani.
Gazeta “RD” publikoi në numrin e datës 7 maj lajmin mbi formularin e vetëdeklarimit në kuadër të ligjit të dekriminalizimit të plotësuar nga Elvis Roshi, ku sipas të dhënave të siguruara nga gazeta, Roshi pranonte se emrin e ka pasur Ervin, por e ka ndryshuar. Kjo ka ndodhur në vitin 2002 dhe kryebashkiaku i Kavajës pranon gjithashtu se më parë ka qenë në hetim nga autoritetet e huaja për vepër penale.
Elvis Roshi ka plotësuar në formular se është proceduar nga Gjykata e Mynihut në Gjermani. Por, pyetjes për arsyen e hetimit, Roshi çuditërisht i përgjigjet se nuk e mban mend përse është hetuar. Në lidhje me pyetjen nëse ndaj tij është marrë ndonjë masë sigurie, Elvis Roshi pranon se ka patur masë sigurie arrest me burg. Ai shton gjithashtu, se është dëbuar nga qyteti i Mynihut, por edhe në këtë rast nuk i kujtohet përse është dëbuar.

Çfarë rrezikon Roshi

Pyetjes në formular nëse ka qenë ndonjëherë në hetim apo gjykim nga ndonjë autoritet i huaj për kryerjen e ndonjë vepre penale, Roshi i përgjigjet me “Po”. Ai thotë se është proceduar nga Gjykata e Mynihut në Gjermani, por çuditërisht ai thotë se nuk e mban mend se përse është gjykuar. Ky hetim i gjykatës ka ndodhur në vitin 2002. Po në mënyrë të habitshme, Roshit nuk i kujtohet as cili ka qenë vendimi i Gjykatës së Mynihut në Gjermani në lidhje me hetimin penal për të cilin ai është gjykuar.
Pyetjes nëse është caktuar ndonjë masë shtrënguese e sigurisë personale ndaj tij Roshi i përgjigjet me “Po” dhe vendimi është lënë në fuqi ndaj arrestit me burg. Një tjetër pyetje që ka një përgjigje interesante nga “fenomeni Roshi” i Ramës në krye të bashkive të vendit është nëse ndaj tij është marrë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj? Përgjigjja e kësaj pyetje nga Roshi është “Po”. Ai saktëson se qyteti nga ku është dëbuar është Mynihu dhe ai shton se kjo ka ndodhur përpara vitit 2002, kur ai ndryshoi edhe emrin. Çuditërisht edhe në këtë rast, Roshit nuk i kujtohen arsyet se përse ai është dëbuar nga Gjermania.

Arben Shahini

Artikulli paraprakAksidenti në Kavajë, Autoriteti Rrugor nuk zbatoi vendimin e Apelit
Artikulli tjetërKisha Katolike: Popullin s’mund ta përfaqësojnë njerëz të inkriminuar e të korruptuar