Arben Frroku, i dënuari me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit të policisë Dritan Lamaj, u la në masën e sigurisë arrest me burg dje nga një gjykatë në Amsterdam, ndërsa autoritetet presin nisjen e procedurave të ekstradimit për në Shqipëri, bëhet e ditur nga një zëdhënës i Prokurorisë së Amsterdamit.
“Sot, më 10 maj, gjykatësi e la atë në masë sigurie arrest me burg derisa të kryhet gjykimi. Data e gjyqit do të planifikohet më vonë. Kjo mund të kërkojë disa muaj. Aktualisht procedurat e ekstradimit kanë nisur dhe ne po presim për një kërkesë zyrtare për ekstradim”, tha zëdhënësi i Prokurorisë së Amsterdamit.
Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë ka njoftuar më herët se e ka nisur kërkesën për ekstradim te Ministria e Drejtësisë, e cila nga ana e saj e ka nisur për në Holandë.
Arben Frroku, 47 vjeç, u shpall në kërkim në Shqipëri në korrik 2015, pasi Gjykata e Apelit e shpalli fajtor për vrasjen e komisarit të policisë, Dritan Lamaj në shkurt 2013. Ai pati mundur të arratisej për shkak se tre muaj më herët, Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda e kishte shpallur të pafajshëm.
Arratisja nëntëmujore e Frrokut përfundoi më 9 mars në Amsterdam. Rrethanat e arrestimit të tij me një pasaportë të falsifikuar dhe procedura e konfirmimit të identitetit u bë subjekt debati politik në Shqipëri, ku ish–Kryeministri Sali Berisha aludoi se Policia e Shtetit po përpiqej të shmangte verifikimin e identitetit për ta shpëtuar Frrokun nga vuajtja e dënimit. Berisha qe gjithashtu i pari që dha për publikun shqiptar lajmin e arrestimit të Frrokut në Holandë. Ministria e Brendshme i mohoi akuzat duke argumentuar se policia e kishte bërë punën siç duhet.
Sipas të dhënave që Prokuroria e Amsterdamit i dërgoi “BIRN”, Frroku është arrestuar më 9 mars i dyshuar për përdorimin e një pasaporte greke falso, ndërsa më 17 mars, Gjykata e Amsterdamit e dënoi atë me dy muaj burg.
“Ndërkohë, gjurmët e tij të gishtave u kontrolluan (në mënyrë ndërkombëtare) dhe rezultati qe pozitiv te Interpoli. Gjurmët e gishtave u dërguan në Shqipëri për identifikim. I akuzuari duket se është Arben Frroku, i kërkuar nga autoritetet shqiptare për vrasje”, thotë Prokuroria e Amsterdamit.
Afati i burgimit të tij sipas dënimit të 17 marsit, mbaronte më 9 maj. Por në këtë datë, zyra e prokurorit të Amsterdamit urdhëroi arrestimin e tij të menjëhershëm për arsye të ekstradimit. Më 10 maj, gjykata urdhëroi mbajtjen e tij të ndaluar deri në një seancë gjyqësore.
Hetimet e autoriteteve holandeze
Autoritetet policore në Holandë kanë nisur një hetim administrativ për të zbuluar motivin e vonesës së identifikimit të Arben Frrokut. Nga ky hetim pritet të përcaktohet se përse u vonua zbulimi i identitetit të vërtetë të të dënuarit me burg përjetë, i cili mund të kishte fituar sërish lirinë. Me 17 Mars, Frroku do të lirohej nga qendra e pritjes së emigrantëve me kushtin që të largohej nga Holanda. Në të kundërt do të deportohej me forcë. Ai ishte ndaluar në fillim të Marsit gjatë një kontrolli rutinë të policisë, në Shipol, në periferi të Amsterdamit. Burime të policisë bëjnë me dije se autoritetet shqiptare janë njoftuar nga pala holandeze për hetimin e nisur. Nuk sqarohet se sa kohë do të zgjasë ky verifikim apo nëse do të kërkohet informacion nga pala shqiptare.
Nga veprimet e para hetimore është konstatuar se ka patur një problem me njohjen e shenjave të gishtave të Frrokut nga sistemi ku regjistrohen personat e kërkuar.Pasi është ndaluar fillimisht nga policia në Amsterdam, Frrokut i janë marrë shenjat e gishtave, por shenjat që gjendeshin në sistem nuk janë hapur. Megjithatë autoritetet holandeze nuk e kanë liruar, për shkak të pasaportës së falsifikuar.
Përveç kësaj procedure, që vlerësohet si e dyshimtë nga autoritetet holandeze, një tjetër procedurë që nuk ka funksionuar për rastin e Frrokut është krahasimi i gjurmëve të gishtave. Sipas shkresës së Interpol Hagës, nga veprimet e para hetimore është konstatuar se ka pasur një problem me njohjen e shenjave të gishtave të tij nga sistemi ku regjistrohen personat e kërkuar.
Pasi është ndaluar fillimisht nga policia në afërsi të aeroportit të Amsterdamit, Arben Frrokut i janë marrë shenjat e gishtave, por shenjat që gjendeshin në sistem nuk janë hapur e për këtë arsye për disa ditë nuk është arritur të zbulohej identiteti i tij i vërtetë.
Si u arratis Frroku dhe ndihma nga Rama-Tahiri
Arben Frroku u arratis nga Shqipëria më datën 20 qershor të vitit të kaluar, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi e kreu misionin e tij për t’i dhënë fitoren PS-së në Pukë. Prokuroria zbuloi se, Frroku nuk ishte regjistruar në sistemin TIMS kur kaloi në pikën kufitare. Frroku u ndalua nga Policia e Malit të Zi në kufi me Kroacinë, ku u mbajt për rreth pesë orë për verifikim, pasi ka rezultuar person i shpallur në kërkim. Autoritetet e Malit të Zi e kanë mbajtur të izoluar Frrokun, duke i kërkuar Ministrisë së Brendshme shqiptare të dhëna ndaj tij, por Tahiri u konfirmoi autoriteteve malazeze se ndaj Frrokut nuk ka asnjë urdhër arresti. Pas konfirmimit nga Ministra e Brendshme shqiptare autoritetet malazeze e lanë të lirë Frrokun për të udhëtuar drejt Kroacisë.
Frroku ka mundur të largohet nga vendi pak ditë, pasi jepej vendimi i Apelit, duke mos hasur në asnjë pengesë as për faktin që ishte ende i dyshuari kryesor për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj dhe pse sipas Prokurorisë të gjitha provat dhe dëshmitë faktonin se ishte ai autori që qëlloi mbi komisarin. Rama dhe Tahiri i hapën rrugën Frrokut jo vetëm brenda kufijve, por në çdo pikë kufitare me shtetet e tjera. Arratisja e Frrokut ishte shpërblimi që Rama i bëri atij në këmbim të fitores që ai i siguroi PS-së në Pukë, në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Një ditë para se të arratisej, Frroku ka qëndruar me Ramën në një lokal në Pukë, ku prej ditësh ai bënte fushatë për fitoren e kandidatit të majtë.