Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuritë e një personi të Tiranë, një apartament dhe dy makina, pasi të ardhurat e tij nuk justifikojnë blerjen e tyre.
Sipas Prokurorisë, pasuritë e sekuestrua i përkasin shtetasit me iniciale A.Gj., djali i të cili, shtetasi me iniciale I.Gj. është dënuar për akuzën e ‘Trafikimin e personave të rritur”.
Nga hetimet mbi djalin e tij, ka dyshime se pasuria e vënë prej tij ose familjarëve të tij nuk përputhet me të ardhurat e ligjshme.
I riu në bashkëpunim me persona të tjerë rekrutonin vajza për prostitucion në drejtim të Italisë dhe pas kryerjes së veprimeve hetimore, në vitin 2015, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, caktoi masën e sigurimit ‘Arrest në burg’.
Njoftimi i Prokurorisë
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u sekuestruan pasuritë e shtetasit A.Gj., një apartament dhe dy makina, si person i lidhur me shtetasin I.Gj, i cili është subjekt i hetimit pasuror në bazë të ligjit ‘Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar’.
Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit pasuror nr.81, viti 2020, mbi shtetasin I.Gj., i dënuar dhe arrestuar për veprën penale ‘Trafikim i personave të rritur’ parashikuar nga neni 110/a/2 i Kodit Penal, ka dyshime se pasuria e vënë prej tij ose familjarëve të tij nuk përputhet me të ardhurat e ligjshme.
Ky shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë rekrutonin vajza për prostitucion në drejtim të Italisë dhe pas kryerjes së veprimeve hetimore, në vitin 2015, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, caktoi masën e sigurimit ‘Arrest në burg’.
Nga hetimet e shtrira tek personat e lidhur me të, rezultoi se i ati i tij, shtetasi A.Gj., me balancë negative në banka, nuk justifikon me të ardhurat blerjen e një apartamenti dhe dy makinave në pronësi të tij. Këto pasuri të paluajtshme, dyshohet se janë fituar nga personi i lidhur A.Gj., si rezultat i përfshirjes së djalit të tij të dënuar I.Gj. nga aktiviteti kriminal në ‘Trafikimin e personave të rritur”.
Për sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkoi sekuestrimin e pasurive në emër të shtetasit A.Gj si më poshtë:
- Pasuri e paluajtshme, apartament nr. 3 me sip 117.78 m,2, Pallatet “SANDY” Sh.P.K, Tiranë;
- Pasuri e luajtshme, automjet tip “Renault Scenic”; dhe
- Pasuri e luajtshme, automjet tip “Lancia Musa”.