Prokuroria: Edhe 8 zyrtarë të lartë policie nën hetim

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nën hetim edhe 8 drejtorë dhe ish-drejtorë qarqesh të Policisë ose shefash komisariatesh por, për të ruajtuar sekretin hetimor nuk i bën publike emrat e tyre. Kështu, hetimi për prangosjen e ish-funksionarëve të lartë të Policisë së Shtetit për trafik të lëndëve narkotike pritet të shtrihet në rrethet, Fier, Vlorë, Berat, Gjirokastës, Durrës, Lezhë dhe Shkodër. Konkretisht, nga përgjimet e kryera prej palës italiane në periudhën tetor 2013 e shtator 2017, rezulton se edhe në kupolën e Policisë së Shtetit pritet të ketë zhvillime të reja, përsa i përket prangosjeve.
Po ashtu rreth 35 oficerë policie të niveleve të ndryshme, përfshi këtu edhe ish-drejtorë, janë duke u verifikuar nga prokurorët e Krimeve të Rënda në kuadër të hetimeve që kanë nisur për trafikun e drogës, pas përgjimeve të kryera nga Antimafia italiane.
Pas urdhër ndalimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda të 3 ish-drejtuesve të lartë të Policisë vendore Vlorë, duket se hetimi për implikimin e zyrtarëve të tjerë të uniformave blu në trafikun e drogës vazhdon e rritet. Prokuroria i kishte prej kohësh nën përgjim Jeald Çelën, Sokol Boden dhe Gjergji Kohilën. Ish-drejtuesit e lartë të Qarkut Vlorë të shpallur në kërkim për dosjen “Habilaj”, ishin implikuar një vit më parë në sasinë rekord të drogës së sekuestruar në Vezhdanisht dhe Treblovë, ku u kapën 23 tonë kanabis.
Sipas burimeve nga organi i akuzës, Jeald Çela, ish-drejtori i Qarkut Vlorë, së bashku me dy vartësit e tij Gjergj Kohila dhe Sokol Bode ishin personat që kishin garatuar paprekshmërinë e grupit kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj. Edhe pse ishin nën përgjim, ata përsëri e ushtruan detyrën e tyre, deri në prill të vitit 2017. Në atë kohë, pra në tetor të 2016-ës, hetimet përfshijnë disa prej drejtuesve dhe shefin e zyrës së Krimit Ekonomik në Policinë e Vlorës, Renaldo Avduli.
Edhe oficeri i policisë është shpallur në kërkim dhe gjithashtu dyshohet se u njoftua nga kolegë të tij para se të arrestohet.
Fillimi i përgjimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të nisura nga një raport i SHISH për zonat e kultivimit të lëndës narkotike dhe përfshirjen e policisë në trafik, zbuluan se oficeri i policisë mbante kontakte të ngushta me njërin prej drejtuesve të rrjetit, Taulant Haxhirajn. Ata komunikonin edhe për pazaret, për çmimin dhe mënyrën e vendin ku do të shisnin hashashin.
Më 12 dhjetor 2016, PD denoncoi publikisht kryeministrin Rama dhe ministrin Tahiri, që mbrojnë kokat e policisë për 21 tonelatat e kanabisit të bllokuar nga Prokuroria në Vlorë. Në një deklaratë për mediat, PD bëri të ditur se, Rama dhe Tahiri, jo vetëm i bënë rezistencë Prokurorisë për të mbrojtur deri në fund sasinë e madhe të drogës, por ia dolën të shpëtojnë kokat e këtij trafiku, duke nxjerrë në kërkim vetëm një agjent.
Në deklaratën e PD thuhej se, sipas të dhënave të sigurta ky rrjet i organizuar komandohej pikërisht nga drejtori i Policisë së Vlorës, Jaert Çela, përmes shefit të Postës së Selenicës, Enkeleid Greku, kunatit të këtij të fundit që administron skafet në Vlorë, Dhimitraq Janku dhe shefit të Krimit të Organizuar në Vlorë, Gjergj Kohila. “Gjurmët e Ramës dhe Tahirit, dhe urdhrat e tyre janë kudo ku mbrohet droga e krimi. Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë armiqtë e policisë, tradhtarët e burrave dhe grave në uniformë. Ata kanë krijuar paligjshmërinë më të madhe në vend, duke pesëfishuar parcelat me hashash që i menaxhojnë me kupolën e tyre të inkriminuar në polici. Kjo është e vërteta e drogës dhe e krimit që nuk fshihet dot nga sallat me regji qendrore. Rendi, policia, shteti do të jenë më mirë pa Edi Ramën”, thuhej në deklaratë.

Artikulli paraprakIsh-oficeri i Antidrogës: Në Vlorë ka grupe kriminale të fuqishme që kanë lidhje politike
Artikulli tjetërBasha paralajmëron publikimin e një skandali të madh nga opozita dhe partnerët