Prokuroria “gropos” hetimet për skandalin 40 milionë euro të Unazës së Re

Nga Edmond Hoxhaj

Në prag të festave të fundvitit, Prokuroria e Tiranës mbylli pa zhurmë hetimin për skandalin e falsifikimit të tenderit të Unazës së Re dhe dërgoi në gjykatë si të pandehur të vetëm Avdjol Dobin – përfaqësuesin në arrati të kompanisë DH Albania.

Koordinatorja për mediat e Gjykatës së Tiranës, Alba Nikolli i tha BIRN se dosja e DH Albania ka mbërritur në gjykatë më 27 dhjetor me akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”.

Hetimet për kompaninë fantazmë nisën në dhjetor 2018, pasi emisioni “Të paekspozuarit” zbuloi se kompania DH Albania u shpall fituese e njërit prej loteve të tenderit të Unazës së Re përmes falsifikimit të datës së regjistrimit në Delawere të Shteteve të Bashkuara dhe bilancit të tre viteve. Në jetën e saj të shkurtër në Tiranë, DH Albania fitoi gjithashtu një tender tjetër nga Operatori i Sistemit të Transmetimit- të dyja me vlerë rreth 28 milionë euro.

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, e cila ishte njëherazi dhe prokurore e çështjes nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN për mbylljen e hetimeve me rezultate minimale. Një zëdhënëse e Prokurorisë nuk ktheu gjithashtu përgjigje nëse po vazhdonin apo jo hetimet për persona të tjerë të dyshuar.

Skandali DH Albania është një ndër çështjet korruptive të profilit të lartë në Shqipëri, që përcillet drejt Gjykatës me rezultate minimale.

Kompania me përfaqësues 26-vjeçarin Dobi u regjistrua në Shqipëri në korrik 2018, si degë e kompanisë amerikane Dunëell Haberman, e themeluar më 25 qershor 2018 në Delaëere të Shteteve të Bashkuara- e njohur si parajsë fiskale. Në dokumentet e dorëzuara në QKB, Dunëell Haberman pretendonte se ishte themeluar në vitin 1998 dhe se kishte një aktivitet të dendur ekonomik prej qindra milionë dollarësh.

Vetëm katër muaj pas regjistrimit, DH Albania u shpall fituese e dy tenderave të njëpasnjëshëm; rreth 18 milionë euro për Unazën e Re dhe 10 milionë të tjera nga OST për ndërtimin e linjës së energjisë Burrel-Peshkopi.

Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi lidhje të shumëfishta mes kompanisë fantazmë dhe kompanisë së njohur Gener 2; punonjës të së cilës kishin aplikuar për hapjen e një adrese dytësore në Unazë të Re dhe veprime të tjera për llogari të DH Albania.

Opozita akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ish-ministrin e Infrastrukturës, Damian Gjiknuri se qëndronin pas aferës. Kryeministri i hodhi poshtë akuzat, ndërsa ish-ministri Gjiknuri deklaroi se menjëherë sapo ishte njohur me falsifikimin, kishte urdhëruar anulimin e kontratave si dhe kishte denoncuar çështjen në Prokurori.

Në janar 2019, Prokuroria e Tiranës premtoi hetime të plota mbi një numër zyrtarësh të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit si dhe mbi lidhjet e dyshuara me kompaninë Gener 2 të biznesmenit Bashkim Ulaj. Ajo kërkoi gjithashtu një masë arresti për Avdjol Dobin, duke i regjistruar hetimet fillimisht për tre vepra penale; “falsifikimi i dokumenteve”, “mashtrim” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.

Një vit më pas, Prokuroria e Tiranës dështoi të ngrinte akuzë mbi ndonjë zyrtar publik, ndërkohë që i rrudhi akuzat edhe për të pandehurin e vetëm të kësaj çështjeje, Avdjol Dobin. /BIRN/

Artikulli paraprakGazetari: Kanë kërcënuar me jetë njerëzish që të mos publikohet videoja e kryebashkiakut të Ramnës
Artikulli tjetërNga arrestimi i djalit tek plagosja e vëllait/ Kush është kryebashkiaku i Ramës që u kap duke…