Prokuroria hap dosjen për 3014 punësimet në fushatën zgjedhore

Prokuroria e Tiranës regjistron procedimin penal për punësimin e më shumë se 3 mijë personave në administratën shtetërore gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit. Hetimet kanë nisur nga Prokuroria e Tiranës pas kallzimit të ish zv/kryeministres teknike, Ledina Mandia.
Pas regjistrimit të procedimit penal, drejtuesja e seksionit të Task Forcë në Prokurori ka vendosur të zgjerojë verifikimet, duke dërguar një kërkesë për informacion në Drejtorinë e Tatimeve dhe të Sigurimeve Shoqërore.
Kërkesa është dërguar zyrtarisht në adresë të tatimeve javën që kaloi. Grupi i hetimit kërkon të dhëna për shtimin apo heqjen e personave në listat e kontributeve shoqërore e shëndetësore në periudhën përpara dhe gjatë fushatës elektorale.
Dyshimet e Prokurorisë janë se përpara fushatës në muajt maj e qershor, drejtues të drejtorive në administratën shtetërore kanë bërë punësimin e përkohshëm ose të përhershëm të shtetasve të ndryshëm në këmbim të votës.
Për këtë arsye, organi i akuzës, pasi ka përcaktuar drejtoritë ku janë bërë punësime ka kërkuar të dhëna për praktikën e ndjekur lidhur me këto raste. Burime të Prokurorisë thanë se, në këtë procedim penal janë në hetim për akuzën e shpërdorimit të detyrës, një numër i konsiderueshëm zyrtarësh në nivel drejtorë drejtorish.
Kallzimi penal është bërë më 18 gusht 2017 nga ish zv/kryeministrja Ledina Mandia, e cila drejtoi Task Forcën e monitorimit të punësimeve në administratën zgjedhore. Prokuroria ka nisur verifikimet dhe javën e fundit është vendosur regjistrimi penal dhe mbledhja e dokumentacionit në cilësinë e provës materiale.

Artikulli paraprak863 mijë eurot dhe 2 patentat e Tahirit, Orest Sota sot te Krimet e Rënda
Artikulli tjetërGjykata lë në burg sekserin e gjyqtarit