Prokuroria, hetim policisë për dekonspirim, Tahiri kërkon pilotin

Prokuroria ka nisur një hetim ndaj policisë për dekonspirim të hetimit ndaj pilotit të avionit të rrëzuar në Ishëm, Guidi. Në momentin e marrjes në pyetje të Guidit kanë qenë të pranishëm katër persona. Prokuroria po heton nxjerrjen e sekretit hetimor për katër personat që kanë marrë në pyetje pilotin italian, prokurori i çështjes, një efektiv i policisë dhe dy oficerë të Policisë Gjyqësore, kjo, pas daljes së informacionit në media mbrëmjen e së enjtes. Dyshimi është se lajmi ka dalë thuajse në kohë reale me dëshminë.
Po kush e ka nxjerrë sekretin e hetimit? Kjo pritet që të verifikohet gjatë ditëve të ardhshme dhe kjo ka qenë edhe arsyeja që Prokurorë të Krimeve të Rënda kanë shoqëruar në ambientet e tyre të hetimit gazetarin, Artan Hoxha, i cili ishte personi, që komunikoi pjesë nga dëshmia e pilotit italian gjatë emisionit “Opinion’.
Hetimi i Prokurorisë ndaj policisë ka rënduar klimën e mosbesimit mes këtij institucioni dhe policisë. Prokuroria e ka fshehur pilotin italian dhe vendndodhja e tij është sekret edhe për policinë. Nga ana e vet, policia ka kërkuar që në orët e  para të mëngjesit që piloti italian të merret në pyetje nga Prokuroria. Prokuroria ka refuzuar, duke i bërë të qartë se ai është në një vend sekret.
Po përse Tahiri po kërkon me çdo kusht që të gjejë pilotin italian. Nga përvoja e deritanishme hetimeve dhe marrja në pyetje që i është bërë dëshmitarëve të trafikut të drogës ka rezultuar se me urdhër të Tahirit këta dëshmitarë janë kërcënuar direkt. Kjo duket të jetë edhe arsyeja se përse Prokuroria e ka fshehur të penduarin e saj dhe nuk e dorëzon në duart e ministrit të drogës, Tahiri.

Ku fshihet piloti italian?

Publikimi në media i dëshmisë së italianit 69-vjeçar, pak minuta pasi ai kishte pranuar se kishte ardhur në Ishëm për të transportuar drogë, ka krijuar një klimë të fortë mosbesimi mes dy institucioneve dhe stepjen e pilotit për të dhënë emrat e implikuar në trafikun e drogës. Guido Guidi, po mbahet në ruajtje në një vend sekret, ndërsa vazhdon të tentohet të arrihet një marrëveshje bashkëpunimi, që ai të rrëfehet si i penduar. Vendin ku po qëndron Guido Guidi e dinë vetëm një rreth i ngushtë personash në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe dalja e çdo informacioni lidhur me këtë detaj, i vë ata përpara përgjegjësisë ligjore. Ndërkohë që krahas hetimeve për një linjë të mundshme të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë, institucioni i organit të akuzës ka hapur një proces dhe ndaj zyrtarëve të policisë, të cilët dyshohen se dekonspiruan hetimin dhe nxorrën të dhënat në publik. Por, ndërsa Prokuroria po tenton me çdo kusht të marrë dëshminë e italianit, për të siguruar prova për grupin e trafikantëve, që dyshohet se vepronte në atë zonë, mbetet mister dhe e pakuptimtë mënyra sesi po veprohet. Ligji për mbrojtjen e personave që japin ndihmesën e tyre për drejtësinë, parashikon që vendimi për të lidhur një marrëveshje me ta, duhet të jetë kolegjial. Pjesë e komisionit janë prokurorë, gjykatës dhe zyrtarë të policisë, ndaj Prokuroria është e kushtëzuar në çdo veprim që do të kryejë, pasi medoemos i nevojitet firma e zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme. Pavarësisht kësaj, deri tani Prokuroria e Krimeve të Rënda është duke i kryer e vetme këto veprime. Dëshmia e pilotit Guido Guidi ka hapur një front të ri përplasjesh mes policisë dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

PD: Tahiri të ndiqet penalisht për dekonspirim

Partia Demokratike i ka bërë thirrje dje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për autorët e dekonspirimit të dëshmisë së dhënë nga piloti italian. Përmes një deklarate për mediat, deputeti demokrat, Flamur Noka akuzoi drejtpërdrejtë Saimir Tahirin si autor të dekonspirimit të dëshmisë së pilotit, duke kërkuar ndjekje penale ndaj tij.
Saimir Tahiri u kap mbrëmjen e së enjtes në shërbim ndaj kartelit të drogës, ndërsa një skemë të mirëorganizuar për të informuar trafikantët.
“Ai i dërgoi fjalë trafikantëve se italiani ka filluar të flasë, duke i këshilluar ata që të lëvizin, të marrim masa, të largohen, t’i shpëtojnë ligjit. Është pikërisht Saimir Tahiri, njeriu që nxori lajmin mbrëmë se piloti italian i rënë me avion në Ishëm, ka nisur të rrëfejë se kishte ardhur për të transportuar drogë e të tregojë porositësit. Saimir Tahiri ka nxjerrë sekretin hetimor, ka prishur hetimet. Kjo është jo vetëm një provë e lidhjes së drejtpërdrejtë me bandat e trafikantët, por është po ashtu një vepër e rëndë penale, për të cilën ai duhet të mbajë përgjegjësi”, tha Noka.
Noka tha se, Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë ta hetojë me shpejtësi dhe vendosmëri këtë skandal dhe autorin e vërtetë të këtij krimi.
“Krimin nuk e kanë kryer gazetarët që transmetojnë lajmin. Krimin e ka kryer burimi që ka dhënë lajmin. Krimin e ka kryer Saimir Tahiri, i cili prej tre vitesh ka dalluar me të gjitha mënyrat si shërbëtor besnik i bandave të drogës e i trafikantëve, duke u dhënë edhe makinën private, duke djegur provat në laboratorin e shtetit, e së fundmi, duke nxjerrë sekretin hetimor.
Karteli i drogës me Tahirin e me Ramën ndërtuan në mes të Shqipërisë një pistë avionësh, 1.5 kilometra të gjatë, ndërkohë që qytetarët nuk rregullojnë dot çatinë e shpive të tyre, sepse nuk i lejon policia”, u shpreh deputeti demokrat.
Gjithashtu deputeti demokrat theksoi se, karteli i drogës e ka Tahirin edhe zëdhënës. “Pas denoncimit që unë bëra dje në Parlament, ai bashkë me Ramën tentuan ta mohojnë ngjarjen, ta fshehin të vërtetën. Tahiri me pushtetin e ministrit të Brendshëm po tregon se është një rrezik serioz për shtetin ligjor në këtë vend, ai është rrezik serioz për drejtësinë, për luftën ndaj krimit, dhe luftën ndaj drogës. Ai duhet të merret menjëherë, sot, në ndjekje penale e të japë llogari para ligjit”, tha deputeti demokrat.

Aviacionit Civil nuk ka radarë për monitorimin e avionëve të vegjël

Autoritetet shqiptare nuk kanë mundësi të monitorojnë futjen e avionëve të vegjël në hapësirën ajrore shqiptare. Ish-drejtori i Aviacionit Civil, Ervin Minarolli, shpjegon se Shqipërisë i mungon një radar që shërben për sinjalizimin e këtyre fluturimeve. Mungesa e monitorimit të hapësirës ajrore në vend sipas ish-zyrtarit të Aviacionit Civil është një alarm për akte të mundshme terroriste që i kanosen vendit. Hapësira ajrore shqiptare mbetet e pakontrolluar për shkak të mungesës së një radari. Ish-zyrtari i Aviacionit Civil, Ervin Minarolli, shpjegon se shkelja e hapësirës ajrore në vendin tonë në rastin e fundit ka ardhur, pasi drejtuesi ka fikur transponderin që shërben për sinjalizim dhe kjo e ka bërë të pamundur identifikimin e tij. Kostoja e vendosjes së radarit sipas Minarollit shkon mbi 30 milion dollarë. Ervin Minarolli: Nëse ata fikin sinjalizuesin është e pamundur me teknologjinë që është sot në Shqipëri. Ka një mungesë vullneti nga qeveria për të vendosur një radar primar, i cili mund të kontrollonte çdo objekt fluturues në vendin tonë. Përtej rrezikut të trafikut të lëndëve narkotike mungesa e monitorimit  sipas ish-zyrtarit është një shqetësim për aktet terroriste. “Ai moment është një këmbanë alarmi për të gjitha strukturat e aviacionit për të filluar për të vendosur kontrollin e territorit. Sot në kushtet kur presioni terrorist është rritur në gjithë botën është e domosdoshme kontrolli i territorit, pasi në rastin më të mirë një avion i tillë është një shpërndarës ilegal i drogave, por mund të ishte më keq akoma me pasoja për të gjithë ne”, thekson Minarolli. Në kushtet kur Shqipëria nuk ka mundësi teknike për monitorimin e ajrit, ish-drejtuesi i Aviacionit Civil sugjeron më shumë kontrolle në territorin, duke nënkuptuar identifikimin e pistave të avionëve. Ervin Minarolli: Kontrolli i territorit. Mungesa e një aerodromi do të bënte të mundur që të mos zhvillohej ky lloj aktiviteti. Monitorimi i hapësirës ajrore në Shqipëri është detyrë që kryhet në bashkëpunim mes Aviacionit Civil dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Artikulli paraprakPD asistencë ligjore në mbështetje të maturantëve
Artikulli tjetërFshati digjet, Rama krihet!