Prokuroria e Tiranës krahas hetimit penal për të dyshuarit e kompanisë “3R” tashmë të arrestuar për vdekjen e 17- vjeçarit Ardit Gjoklaj, po heton edhe kontratat e Bashkisë me kompaninë që selektonte mbeturinat brenda landfillit të Sharrës. ABC News ka mësuar se, prokurori Julian Zonja, i është drejtuar Bashkisë së Tiranës me një urdhër sekuestrimi, ku kërkon t’i vihet në dispozicion e gjithë praktika e funksionit të Sharrës. Në vendimin e sekuestrimit, Prokuroria kërkoi nga Bashkia t’i vërë në dispozicion kontratën e saj me ndërmarrjen publike të Bashkisë së Veronës në Itali për administrimin e mbetjeve urbane.
Dosjen e plotë, të kontratës së nënkontraktimit, që Bashkia e kryeqytetit bashkë me kompaninë italiane kanë bërë me shoqërië “3R” të selektimit të mbeturinave që administrohen nga personi i shpallur në kërkim Edurim Teqja. Pasi dyshohet se Bashkia nuk ka një praktikë konkrete të zhvillimit të tenderit për mënyrën e dhënies në administrim të landfillit të Sharrës për selektimin e mbeturinave urbane. Krahas këtyre sekuestrimeve, mësohet se Prokuroria ka kërkuar nga Bashkia t’i vihet në dispozicion edhe procesverbalet e monitorimit të landfillit të Sharrës, nëse ata e kanë kryer një inspektim të tillë. Por edhe pse kanë kaluar mbi 10 ditë nga nisja e këtyre urdhrave të sekuestrimit, Bashkia ende nuk i ka kthyer një përgjigje Prokurorisë.
Nga ana tjetër, akuza ka kërkuar edhe nga Qendra e Regjistrimeve të Biznesit, që t’i vihet në dispozicion formularët dhe dokumentet që kompanitë si ajo italiane ashtu edhe shoqëria “3R” ka dorëzuar pranë QKR-së.
Sipas Prokurorisë, edhe avokatët e të dyshuarve kanë dorëzuar në Prokurori një MEMO, ku kërkojnë marrjen dhe pyetjen e disa personave, duke hedhur dyshime se i riu 17-vjeçar është vrarë jashtë rrethimit dhe më pas është futur brenda kapanonit të landfillit të Sharrës. Version ky që mbetet të hetohet nga Prokuroria e Tiranës. Për ngjarjen e ndodhur në Sharrë, janë proceduar 5 persona, dy prej të cilëve ndodhen në burg, përgjegjësi i turnit kur ndodhi vrasja e të riut 17-vjeçar dhe shoferi i fadromës, nga e cila mendohet se ka gjetur vdekjen Ardit Gjoklaj.
7 dëshmitë që faktojnë se Gjoklaj ka punuar në landfill
Ardit Gjoklaj ishte punonjës sezonal i kompanisë “3R” në landfillin e Sharrës, në selektimin e mbeturinave. Kjo është konfirmuar për prokurorin nga 7 dëshmitarë, me të cilët natën e ngjarjes Gjoklaj ishte duke punuar në vendgrumbullimin e mbeturinave urbane në Sharrë. Bëhet e ditur se, Prokuroria ka siguruar dëshmitë e 7 personave, nga 14 të marrë në pyetje, të cilët konfirmojnë se, Gjoklaj kishte më shumë se 1 muaj që punonte në landfill i pasiguruar dhe deklaruar nga kompania 3R. Për hetuesit, ka qenë fillimisht përgjegjësi i turnit, Dëfrim Hakrama, ai që ka mohuar punësimin e Gjoklajt në kapanonin e selektimit të mbetjeve urbane, por që pas caktimit të masës së sigurisë ka ndryshuar qëndrim. Nga ana tjetër, edhe në momentin e gjetjes së 17-vjeçarit të vdekur, policia gjatë këqyrjes ka konstatuar se, Ardit Gjoklaj kishte veshur dorezat e kuqe, siç i kishin punëtorët e tjerë të regjistruar dhe një mushama shiu me mbishkrimin: Bashkia e Tiranës.
Burime nga Prokuroria bënë të ditur se, Ardit Gjoklaj ka gjetur vdekjen e menjëhershme si pasojë e goditjes nga kova e eskavatorit dhe më pas shtypja nga zinxhirët e makinerisë së rëndë. Edhe në dosjen paraprake të Prokurorisë, nga këqyrja e kufomës janë përshkruar me detaje dëmtimet e trupit të 17-vjeçarit. Sipas këtij materiali, thuhet se viktima ka pas dëmtime të mëdha, si kokë, gjymtyrë e trup të deformuar deri edhe në mungesë të indeve të ndryshme, si pasojë e zinxhirëve të eskavatorit tashmë të bllokuar që ndodhet brenda rrethimit të landfillit të Sharrës.
Ardit Gjoklaj nuk është viktima e parë, që ka gjetur vdekjen në landfillin e Sharrës. Nga Prokuroria është evidentuar vdekja e 47-vjeçares Mirvete Duka, brenda landfillit në Sharrë më 25 nëntor të 2015 nga fadroma që kishte për detyrë shtypjen e mbeturinave. Sipas materialit që zotëron Prokuroria, përgjegjës për vdekjen e 47-vjeçares është Kasem Koçi, i cili do të gjykohet nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë” me pasojë vdekjen e shtetases Mirvete Duka.