Prokuroria: Hetimi i gjyqtares u dekonspirua para arrestimeve

Prokuroria e Përgjithshme ka marrë në pyetje dje shtetasen Eleni Lino për hetimin që po kryehet për korrupsion ndaj gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea. Lino është personi që së bashku me të arrestuarin tjetër Ilia Çabiri kanë paguar 50 mijë euro tek sekseri Petraq Dashi. Ky i fundit ia dorëzoi shumën e parave bashkëshortit të gjyqtares Odhise Andrea në datën 11 korrik.
Në datën 12 korrik, gjyqtarja Andrea vendosi t’i njohë pronësinë dy personave që paguan paratë për 40 hektarë tokë në Butrint. Eleni Lino ka sqaruar para hetuesve se në dy shkallët e gjyqësorit, në Gjykatën e Rrethit Sarandë dhe në Apelin e Gjirokastrës nuk kanë paguar para. Sipas saj, në Gjykatën e Lartë i kërkuan para dhe nëpërmjet sekserit Petraq Dashi, ata paguan 50 mijë euro.
Lino ka sqaruar edhe kontratën noteriale të firmosur për dhënien e parave borxh, bashkëshortit të gjyqtares. Sipas saj, kjo kontratë është firmosur 14 korrik pas dekonspirimit të hetimit ndaj gjyqtares. Ajo së bashku me Ilia Çabirin dhe Petraq Dashin kanë firmosur sikur i kanë dhënë borxh Odhise Andreas. Kjo dëshmi rëndon pozitat e gjyqtares Andrea dhe bashkëshortit të saj, i cili është shpallur në kërkim. Ai doli nga Shqipëria më 15 korrik për të mos u kthyer më.
Sipas Prokurorisë janë sekuestruar disa materiale hetimore në zyrën e një noteri në Tiranë, ku dy të dyshuarit Ilia Çabiri dhe Eleni Lino i kanë kaluar me kontratë huaje shumën prej 50 mijë euro shtetasit Petraq Dashi, me cilësinë e ndërmjetësit. Gjithashtu, prokurorët kanë bllokuar edhe një kontratë të re, të bërë vetëm pak orë, pasi Odhise Andrea kishte mësuar se po vëzhgohej nga agjentët e policisë, ku ndërmjetësi Dashi deklaron para noterit se shumën ia kishte dhënë borxh bashkëshortit të gjyqtares.
Këto deklarata noteriale tashmë janë sekuestruar dhe për prokurorin janë provat kryesore që faktojnë mitmarrjen nga bashkëshorti i gjyqtares Majlinda Andrea. Në emër të kësaj të fundit, thanë prokurorët, bashkëshorti Odhise Andrea i kishte premtuar ndërmjetësit dhe personave që kanë paguar shumën e parave për t’i favorizuar, se vendimin do ta merrnin në dorë. Por për shkak të rrjedhjes së informacionit, Odhise Andrea është shmangur, duke detyruar ndërmjetësin Dashi të bëjë deklaratë, me pretendimin se shumën prej 50 mijë eurove ia kishte dhënë borxh bashkëshortit të gjyqtares tashmë të shpallur në kërkim.
Prokuroria bëri të ditur se, skena e dhënies së parave është e filmuar. Në filmime shihet sekseri Petraq Dashi, duke dhënë qesen me para bashkëshortit të gjyqtares Odhise Andrea. Vendimi për kthimin e pronës është dhënë në datën 12 korrik. Ndërkohë më datë 14 të këtij muaji, mes Petraq Dashit dhe burrit të gjyqtares është bërë një kontratë noteriale, ku Dashi i jep para borxh bashkëshortit të gjyqtares. Kjo kontratë, sqarojnë burimet nga Prokuroria, është bërë pas  rrjedhjes së informacionit se ndaj gjyqtares ka një hetim për korrupsion.
Po ashtu, Prokuroria ka urdhëruar verifikimin e pasurisë së gjyqtares Andrea dhe familjarëve të saj. Mësohet se prokurori, ka kërkuar nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurisë t’i vërë në dispozicion deklaratat e pasurisë së gjyqtares Andrea ndër vite dhe bashkëshortit të saj, Odhise Andrea që mbante detyrën e Këshilltarit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvend.

R.POLISI

Exit mobile version