Prokuroria heton pronat dhe llogaritë bankare të gjyqtares

Prokuroria e Përgjithshme nisi edhe hetimin pasuror ndaj gjyqtares së Gjykatës së Lartë, tashmë të shkarkuar Majlinda Andrea dhe bashkëshortit të saj Odhise Andrea, i kërkuar nga drejtësia për shkak të masës së arrestit. Burimet nga organi i akuzës bënë të ditur se, prokurori Arben Kraja, ka urdhëruar verifikimin e pasurisë së gjyqtares Andrea dhe familjarëve të saj. Mësohet se prokurori, ka kërkuar nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurisë t’i vërë në dispozicion deklaratat e pasurisë së gjyqtares Andrea ndër vite dhe bashkëshortit të saj, Odhise Andrea që mbante detyrën e Këshilltarit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvend.
Veç ILDKP-së, mësohet se Prokuroria i ka nisur shkresë zyrtare edhe Hipotekës, ku i kërkohet të evidentohen të gjithë pronat e patundshme që figurojnë në emër të gjyqtares, bashkëshortit dhe trungut të afërm familjar. Sipas akuzës, edhe bankave të nivelit të dytë i është kërkuar identifikimi i llogarive bankare dhe evidentimi i shumave që disponojnë. Me administrimin e këtyre shkresave dhe evidentimin e pasurisë, prokurorët thonë se do të vendoset sekuestrimi i tyre deri në një vendim tjetër. Kjo për shkak se janë krijuar dyshime të arsyeshme se gjyqtarja Majlinda Andrea në bashkëpunim me bashkëshortin e saj ka konsumuar veprën penale të “korrupsionit pasiv të gjyqtarëve”.
Deri në përfundim të hetimeve të nisura nga Prokuroria e Përgjithshme për korrupsion, gjyqtarja Majlindja Andrea nuk do të përdorë automjetin me targa zyrtare të Gjykatës. Bëhet e ditur se, me vendimin e pezullimit të gjyqtares Andrea, ajo do të humbë dhe të gjitha përfitimet që vijnë nga posti i gjyqtares së Gjykatës së Lartë. Gjyqtarja Andrea, e cila akuzohet se mori 50 mijë euro për një vendim gjyqësor për mos pranim rekursi për pronën e Ilia Cabirit dhe Eleni Linos në Butrint u rikthye të hënën nga Italia ku dyshohet se tashmë atje fshihet burri i saj.
Nga ana tjetër, sipas Prokurorisë janë sekuestruar disa materiale hetimore në zyrën e një noteri në Tiranë, ku dy të dyshuarit Ilia Çabiri dhe Eleni Lino i kanë kaluar me kontratë huaje shumën prej 50 mijë euro shtetasit Petraq Dashi, me cilësinë e ndërmjetësit. Gjithashtu, prokurorët kanë bllokuar edhe një kontratë të re, të bërë vetëm pak orë, pasi Odhise Andrea kishte mësuar se po vëzhgohej nga agjentët e policisë, ku ndërmjetësi Dashi deklaron para noterit se shumën ia kishte dhënë borxh bashkëshortit të gjyqtares.
Këto deklarata noteriale tashmë janë sekuestruar dhe për prokurorin janë provat kryesore që faktojnë mitmarrjen nga bashkëshorti i gjyqtares Majlinda Andrea. Në emër të kësaj të fundit, thanë prokurorët, bashkëshorti Odhise Andrea i kishte premtuar ndërmjetësit dhe personave që kanë paguar shumën e parave për t’i favorizuar, se vendimin do ta merrnin në dorë. Por për shkak të rrjedhjes së informacionit Odhise Andrea është shmangur, duke detyruar ndërmjetësin Dashi të bëj deklaratë, me pretendimin se shumën prej 50 mijë eurove ia kishte dhënë borxh bashkëshortit të gjyqtares tashmë të shpallur në kërkim.
Nga veprimet hetimore rezulton se, në datën 11 korrik janë dhënë 50 mijë eurot. Kjo gjë është e filmuar ku shihet sekseri Petraq Dashi, duke dhënë qesen me para bashkëshortit të gjyqtares Odhise Andrea. Vendimi për kthimin e pronës është dhënë në datën 12 korrik. Ndërkohë më datë 14 të këtij muaji, mes Petraq Dashit dhe burrit të gjyqtares është bërë një kontratë noteriale, ku Dashi i jep para borxh bashkëshortit të gjyqtares. Kjo kontratë, sqarojnë burimet nga Prokuroria, është bërë pasi rrjedhjes së informacionit se ndaj gjyqtares ka një hetim për korrupsion.
Sipas prokurorisë, provohet se tre shtetasit Ilia Çabiri, Eleni Lino dhe Petraq Dashi do të jenë përfitues të sipërfaqes së tokës që kërkohet të kthehet në favor të trashëgimtarëve të ish-pronarit të pretenduar dhe se këta persona janë interesuar drejtpërdrejt në lidhje me ecurinë e procesit gjyqësor në Gjykatën e Lartë. Nga hetimi provohet se këta persona bisedojnë në mënyrë të qartë në lidhje me shumën që duhet të paguhet për efekt të procesit gjyqësor, për shumën që duhet të kontribuojnë edhe personat e tjerë trashëgimtarë të ish-pronarit.

Artikulli paraprakPublikohen pamjet, ja si u grabit banka në Vlorë
Artikulli tjetërErdogan i kërkon Ramës të ekstradojë ministrin e Jashtëm si gylenist?