Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhënë urdhër për të sekuestruar llogaritë bankare të dy ortakëve të një shoqërie hidrokarburesh në Lushnjë. Nga hetimet dyshohet se këto para janë përfituar nga aktivitete kriminale, pasi kompania shpalli falimentin në 2015-ën, ndërkohë që lëvizjet e parave në bankë janë kryer dy vitet e fundit.
Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka nisur muaj më parë ndaj kompanisë së hidrokarbureve me akuzën e pastrimit të parave që burojnë nga aktivitete kriminale. Policia nëpërmjet krimit financiar ka bllokuar llogaritë e shoqërisë në 3 banka të nivelit të dytë.
Konkretisht janë sekuestruar rreth 250.000 dollarë, 280.000 lekë të reja dhe 110 000 euro, të depozituar nga ortakët e kësaj shoqërie përgjatë dy viteve të fundit.
Prokurorët dyshojnë për pastrim parash nga ortakët e kompanisë dhe persona të tjerë pranë tyre. Kompania me qendër prodhimi dhe transporti të naftës në Lushnjë kishte kryer transaksione bankare në dy vitet e fundit në një kohë që kishte shpallur falimentin 2 vjet më parë. Kjo shoqëri u themelua në vitin 2014, si kompani me aktivitet në fushën e hidrokarbureve kryesisht në transport dhe përpunim të lehtë të naftës. Në vitin 2015, kompania shpalli falimentin, por transaksionet financiare në llogaritë e saj vazhduan deri në vitin 2017. Nisur nga vlera e madhe e transfertave bankare, Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon se kemi të bëjmë me pastrim parash që vijnë nga aktivitete të dyshimta dhe kriminale. Hetimet janë shtrirë në zbardhjen e transaksioneve në llogari të tjera bankare të kësaj shoqërie dhe përfaqësuesve të saj, të cilët dyshohen për pastrim të produktit të veprës penale apo veprimtarisë kriminale.