Prokuroria ka dhënë pretencën për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, në seancën e kësaj të marte. Organi i akuzës ka kërkuar 12 vite burgim, por duke marrë parasysh se Tahiri ka kërkuar gjykimin e shkurtuar dhe kjo është pranuar, në rast se dënohet në përputhje me kërkesën e prokurorisë, dënimi ulet në 8 vite burg.
Tahiri u mor i pandehur nën akuzat për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup të strukturuar kriminal” në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.
Në korrik, Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi gjykimin e shkurtuar për ish-ministrin e Brendshëm, çfarë do të thotë shmangie e shqyrtimit të fashikujve gjatë procesit në themel.
Saimir Tahiri, i cilësuar nga kryeministri Edi Rama si një nga ministrat më të suksesshëm të kabinetit të tij qeveritar, i ka mohuar gjithnjë akuzat ndaj tij.