Prokuroria kërkon 2 vjet burg për Neymar

Dy vjet burg dhe 10 milionë euro gjobë për Neymar, 5 vjet burg për ish-presidentin e Barcelonës Sandro Rosell. Është kjo kërkesa e Prokurorisë para Gjykatës në procesin për mashtrim dhe korrupsion në lidhje me transferimin e brazilianit nga Santos te blaugranat në verën e 2013, siç bën të ditur e përditshmja spanjolle “El Mundo Deportivo”.
Në pretencën e tij, prokurori i Audiencës Kombëtare Spanjolle, Jose Perals, i cili ka kërkuar arkivimin e çështjes ndaj presidentit aktual të Barcelonës, Josep Maria Bartomeu për mungesë provash kërkon veç të tjerash edhe një gjobë prej 8.4 milionë eurosh për Barcelonën dhe një tjetër gjobë prej 7 milionë eurosh për Santosin. Në shënjestrën e prokurorit kanë përfunduar dhe prindërit e sulmuesit brazilian, janë kërkuar 2 vjet burgim për të atin e Neymar një vit burgim për nënën e tij, dhe një gjobë prej 1.4 milionë eurosh për kompaninë e familjes N & N. Për secilin nga prindërit e Neymar janë kërkuar dhe nga 10 milionë euro gjobë.
Në janarin e 2014 organet fiskale në Madrid, nisën të hetonin mbi çmimin e paguar nga Barcelona për Neymar, duke zbuluar se disa dokumenta përmbanin informacione kontradiktore, mes të cilave dhe paratë që ishin derdhur për llogari të prindërve të brazilianit. Organet publikë në të kaluarën kanë propozuar burgun si dënim për Bartomeun dhe Rosell. Ndërkohë DIS, fondi brazilian që kishte në pronësi 40 për qind të kartonit të futbollistit, në denoncimin që kishte prezantuar në organin e akuzës kërkonte dënime më të rënda, 8 vjet burg për Rosell dhe Bartoemun dhe 5 vjet për Neymar.

Artikulli paraprakMë të “lodhurit” e Champions
Artikulli tjetërMirupafshim “El Clasico”