Prokuroria është kujtuar më në fund që të ankimojë vendimin e gjykatës për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjatë ditës së sotme akuza ka ankimuar në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda vendimin për dënimin me 3.4 vjet shërbim prove, për ish-ministrin e Brendshëm.
Akuza i kërkoi asokohe dënimin me 12 vjet burg të Tahirit (që do të reduktoheshin në vetëm 8 vjet, për arsye të pranimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar), bazuar në akuzat për tre vepra të rënda penale ‘Korrupsion të zyrtarëve të lartë’, ‘Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim’ dhe ‘Grup të strukturuar kriminal’, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.
Pas një seance maratonë në 19 shtator, Krimet e Rënda gjykuan se provat e paraqitura nga Prokuroria nuk ishin të mjaftueshme për të mbështetur pretencën e dhënë.
Një nga titullarët më të rëndësishëm të mandatit të parë nën qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, u dënua vetëm për shpërdorim detyre, vendim që u ankimua ditën e djeshme prej tij në instancën e Apelit.
Paralelisht me Tahirin u shpall fajtor gjithashtu edhe Jaeld Çela, ish-drejtues i policisë së Vlorës, i cili gjendet aktualisht në arrati.
Çela u dënua për shpërdorim detyre dhe u shpall gjithashtu i pafajshëm për akuzat e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe të pjesëmarrjes në organizatë kriminale.