Prokuroria kundër policisë për sekuestrimin e pasurive

Nga fillimi i shtatorit e në vijim Policia e Shtetit pothuajse për ditë ka nisur në komunikatën zyrtare të saj, informacion mbi konfiskimin e pasurive që dyshohet se vijnë nga aktivitete kriminale. Por Prokuroria, e cila dërgon këto referime në gjykatë, ku tagrin e ka kjo e fundit për vendosjen e konfiskimit apo jo, ka një tjetër qasje për pretendimin e uniformave blu. Të pyetur zyrtarisht nga “ABC News”, organi i akuzës së Krimeve të Rënda dhe ai i Prokurorisë së Tiranës, pohojnë se, gjatë fillimit të këtij muaji e deri në vazhdim, nuk ka pasur asnjë rast që, pronat, automjetet luksoze apo njësi tregtare të ketë filluar hetimi pasuror.
Zyrtarisht nga 1 shtatori deri më 12 shtator policia ka referuar në Prokurori për konfiskim rreth 2.6 milionë euro pasuri. Deri më tani sipas policisë janë bllokuar 8 apartamente, një vilë trikatëshe dhe 9 biznese. Gjithashtu edhe 15 makina u janë vendosur sekuestrim me vlerë 1 milion euro. Të gjitha këto pasuri janë gjetur në katër qarqe, duke filluar nga Tirana, Vlora, Lezha dhe Berati.
Mosfillimi i procedurave për konfiskimin e pasurive që dyshohen se mund të kenë ardhur nga aktiviteti kriminal, Prokuroria e shpjegon me faktin se janë hetuar më herët dhe që janë pushuar nga gjykata. Prandaj në shumicën e rasteve të evidentuara, Prokuroria shprehet me rezerva për aksionin e policisë.
Ndërkohë një tjetër interpretim ligjor për fillimin e hetimeve ka ndërmjet policisë dhe Prokurorisë për evindentimin e pasurive që mund t’i zotërojnë personat, të cilët nuk i justifikojnë ato. Uniformat blu mund të bëjnë konfiskimin e pasurive ose automjevete vetëm në kushtet e flagrancës dhe mund t’i bllokojë për një afat kohor prej 48 orësh. Kjo kohë do t’i duhet prokurorit për të përgatitur materialin dhe më pas të bëjë kërkesën në gjykatë.
Ndërsa në kushtet e normalitetit kur ka dyshim për pasuri të ardhur nga aktiviteti i paligjshëm, nuk mund të vendoset nga policia dhe Prokuroria konfiskimi. Kjo e drejtë i atribuohet gjykatës, pasi të jetë provuar plotësisht mbi aktivitetin kriminal që mund të ketë kryer i pandehuri. Rasti i fundit për pushimin e hetimeve për të vendosur masën e sekuestrit i përket kompleksit Gjoka në Shijak. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vendosi të rrëzojë kërkesën e Prokurorisë dhe të policisë, ku më herët ishte dyshuar se ai aktivitet mund të kishte prejardhje kriminale përtej Adriatikut.

Exit mobile version