Prokuroria mbyll dosjen e korrupsionit të Denar Bibës

Prokuroria e Tiranës mbylli kallëzimin penal të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi ish kryetarin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Denat Biba. Një auditim i KLSH-së mbi Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve gjatë kohës që ky institucion drejtohej nga Denar Biba, ka gjetur shkelje të shumta në rreth 20 procedura prokurimesh, të kryera gjatë viteve 2016-2017.
Inspektorët e Kontrollit të Shtetit kanë dalë në përfundimin se vetem në 4 procedura tenderimi që mbajnë firmën e Denar Bibës shtetit i është shkaktuar një dëm prej 160 milion lekë. Procedura me abuzimet më të mëdha ka rezultuar tenderi I fletëve të votimit. Sipas institucionit më të lartë të auditimit në vend, vetëm në këtë tender buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm të paktën prej 120 milionë lekë.
Pas përfundimit të auditit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, kallëzoi menjehërë në prokurori ish kreun e KQZ-së Denar Biba. Në materialin kallëzues që KLSH i ka përcjellë prokurorisë thuhet se në 12 procedura tenderimi gjatë vitit 2016 dhe 8 të tjera në vitin 2017 që mbajnë firmën e Denar Bibës, janë konstatuar shkelje të shumta ligjore. Sipas raportit, në këto procedura prokurimi është kufizuar konkurrenca në kundërshtim të plotë me ligjin e prokurimeve.
Por pavarësisht gjetjeve flagrante, Prokuroria e Tiranës ka vendosur ta mbyllë hetimin për Bibën. Përmes një përgjigje dërguar KLSH, organi i akuzës thotë se nuk ka konstatuar vepër penale në veprimet e Denar Bibës dhe as praktika të paligjshme në procedurat e prokurimit të zhvilluara nga KQZ.

Denar Biba njihet si një nga njerëzit më të afër të sekretarit të përgjithshëm të kryeministrisë, Engjëll Agaçi. Një vit më parë ish kreu i KQZ u përfshi në një skandal të rëndë, kur mediat publikuan fakte se i kishte kërkuar gjyqtarit të Strazburgut Ledi Bianku të mos jepte vendime kundër qeverisë shqiptare në gjyqet më pronarët. Pas këtij skandali, Denar Biba u dorëhoq nga posti i kryetarit të KQZ, por siç tregoi auditi i KLSH, skandali i Strasburgut nuk është i vetmi, ku Denar Biba ka qenë përfshirë gjatë kohës që drejtonte KQZ-në.

Bianku Biba

Exit mobile version