Prokuroria: Nelgert Pata mori pjesë në vrasjen e Elton Çiçës

Nelgert Pata, i vrarë në një atentat në Fier nëntorin e vitit të kaluar ka marrë pjesë në vrasjen e Elton Çiçës një vit më parë në zonën e ish-bllokut në Tiranës. Prokuroria dyshon se Pata ka qenë në drejtimin e mjetit që ka shoqëruar Jani Aliajn në atentatin ku mbeti i vdekur 36-vjeçari Çiça.
Ky element i papublikuar deri me tani, zbulohet në kërkesën për gjykim, dërguar nga Prokuroria e Tiranës në ngarkim të Jani Aliajt dhe tre personave të tjerë, të akuzuar si të përfshirë në vrasjen e ndodhur 1 majin e vitit 2016, në ish-bllok.
Megjithëse Prokuroria nuk e përmend specifikisht Nelgert Patën si të pranishëm në vendin e krimit, hetuesit shpjegojnë se ai ka kryer veprime aktive për të bërë të mundur vrasjen e Çiçës.
Nelgert Pata dhe Jani Alia ishin pjesë e grupit rival të Elton Çiçës mes të cilëve kishte një konflikt të hapur prej fillim viteve 2000. Ndaj Patës dhe Aliajt u organizuan disa atentate, ndërsa ky i fundit ishte betuar se do vriste Çiçën. Në gusht të vitit 2016, Pata i shpëtoi një atentati në rrugën e “Kavajës”, pranë ish-Parkut të Autobusëve.
Ai mbeti i plagosur, por që prej atentatit u zhduk dhe nuk u paraqit asnjëherë në polici për të dëshmuar. Atij iu ngrit pritë 20 nëntorin e vitit te kaluar sapo doli nga hoteli ku qëndronte në Zhupan të Fierit. Dy persona qëlluan me breshëri kallashnikovi në drejtim të makinës me te cilën udhëtonte viktima.
Një oficer policie që ndodhej në tavolinë me viktimën, akuzohet nga Prokuroria se ka zhdukur nga vendi i ngjarjes armën që mbante Elton Çiça, bashkë me celularët e tij. Alban Trimi, së bashku me shtetasin Redjan Rraja, akuzohen nga Prokuroria se kanë penguar zbulimin e së vërtetës.
Gjatë hetimit është pyetur Alban Trimi, me detyrë oficer i Policisë Gjyqë¬sore. Nga deklarimi ka rezultuar se, natën e ngjarjes ka qenë në bar¬kafene “De Niro” me shokun e tij, shtetasin S.K., dhe pak më pas në bar¬kafene ka shkuar një shoku i tij i quajtur Redjan Rraja, shoqëruar ky i fundit nga një shoku i tij i quajtur Elton. Rreth orës 22:15 minuta, në lokal ka ndodhur vrasja. Në kërkesën për gjykim, Prokuroria citon në detaje gjithçka kanë regjistruar kamerat e sigurisë së lokalit në veprimet që ka kryer oficeri i policisë.

Exit mobile version