Pas arrestimit të dy funksionarë të lartë të policisë, në Tepelenë dhe në Vlorë, me urdhër të Prokurorisë, pritet që të ketë arrestime të tjera në ditët në vijim. Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton edhe disa zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit për kultivimin dhe trafikun e drogës. Burimet nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, janë 40 oficerë policie, me grada të ndryshme, të cilët po hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Këta efektivë kanë bashkëpunuar me trafikantë dhe kultivues të kanabisit për ndarjen e territoreve në këmbim të heshtjes, duke marrë një përqindje të caktuar fitimi. Nga ana tjetër në shumë raste kanë dekonspiruar aksionet policore.
Në verë të vitit të shkuar, Shërbimi Informativ Shtetëror i dërgoi një raport sekret Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për zonat e kultivuara me kanabis, si dhe mbi personat e përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Mes këtyre personave, kishte edhe mjaft zyrtarë të Policisë së Shtetit. Të dhënat e shërbimit sekret janë dërguar në organin e akuzës pas një patrullimi edhe me helikopter, në të cilin ka qenë i pranishëm edhe kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika.
Por ndërkohë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri e përgënjeshtroi këtë lajm, duke thënë se s’ka një raport të tillë. Faktikisht mbi bazën e këtij raporti Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton prej kohësh zyrtarët e lartë të policisë të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e drogës.
Në Tepelenë u arrestua Gani Abazi, shef i Specialistëve të zonave në Komisariatin e Policisë së Tepelenës. Në Vlorë u arrestua shefi i Rendit, Haki Hasabegaj. Të dy këta zyrtarë të policisë, sipas organit të akuzës kanë bashkëpunuar me trafikantët dhe kultivuesit, duke dekonspiruar disa operacione policore.
Përgjimet e kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda zbuluan përfshirjen në një grup të strukturuar kriminal, të Shefit të Rendit të Vlorës, Haki Hasanbegaj, si dhe ish-vartësit të tij në Komisariatin e Tepelenës, Gani Abazi. Hetimi nisi pas zbulimit të një sipërfaqeje të kultivuar me kanabis në zonën e Vranishtit në Vlorë, ku u gjet një sasi prej rreth 2.4 tonë marijuanë në proces tharjeje dhe rreth 5 200 bimë të tjera të kultivuara.
Në këtë operacion policia arrestoi 6 persona, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim. Në përgjimet e kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda është zbuluar se Hasanbega, orientonte personat në terren se çfarë duhet të bënin e deri në korrjen e tharjen e lëndës narkotike.
Thuajse të njëjtin rol, kishte edhe Gani Abazi, i cili tashmë kryente funksonin e referentit të rendit për inspektorët e rendit në Komisariatin e Tepelenës. Gjatë mbrëmjes së të enjtes, Hasanbega dhe Abazi, janë transferuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku mësohet se janë pyetur nga oficerët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ende nuk dihet qëndrimi i dy të arrestuarve, ndërsa veç tyre dyshohet se janë edhe disa persona të tjerë, të cilët janë në hetim për të njëjtën çështje.
R.POLISI