Prokuroria e kryeqytetit e ka regjistruar procedimin penale, për tenderin me vlerë rreth 1 miliard lekë të zhvilluar nga Ministria e Brendshme. Burimet thonë se hetimi ka nisur kryesisht, pas publikimit në media të dyshimeve për abuzimin me tenderin e uniformave të policisë. Sipas akuzës, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave pranë Ministrisë së Brendshme ka hapur dy herë procedurat e tenderimit për uniformat. Fillimisht më 6 nëntor të 2015, ku brenda ditës është anuluar kjo proceduar për të vazhduar dy muaj më pas, në dhjetor të 2015.
Ku edhe është shpallur fituese kompania turko-shqiptare si fitues e tenderit me vlerë rreth 1 miliard lekë. Sipas vendimit të shpalljes së fituesit, kompania shqiptare “Marsi & AL dhe ajo turke “Yakupoglu Tekstil”, është renditur si ofertuesja me çmimin më të ulët për dizajnin dhe qepjen e 27 mijë e 900 copë uniforma të ndryshme të policisë. Por pas shpalljes së fituesve, janë ngritur dyshime në media për cilësinë e uniformave dhe akuza konkrete nga Partia Demokratike që ka denoncuar këtë fakt. Pas këtyre denoncimeve, ka nisur edhe hetimi i Prokurorisë së Tiranës. Nga veprimet e para hetimore, janë ngritur dyshime për cilësinë e mallit të përdorur për qepjen e uniformave. Gjithashtu, mësohet se nga verifikimi në dogana, ka rezultuar se këto uniforma nuk janë prodhuar në Turqi siç janë raportuar nga ministria apo edhe nga kompania fituese e tenderit. Pasi në asnjë rast nuk janë gjetur fatura doganore të hyrjes së këtyre uniformave të policisë.
Çka ka lind dyshimi se uniformat janë prodhuar në Shqipëri. Nga ana tjetër, Prokuroria mësohet se po verifikon edhe kompaninë turke të deklaruar si bashkëpunuese me kompaninë shqiptare në fitimin e këtij tenderi rreth 1 miliard lekësh. Burimet thonë se nga verifikimi i procedurave të kompanisë, rezulton se kompania shqiptare është krijuar në vitin 2012 dhe më pas në vitin 2014 është ndryshuar pronësia dhe administratorët. Kjo kompani Marsi &AL, ka dorëzuar dokumente gjatë tenderimit si kompania bashkëpunuese me kompaninë turke “Yakupoglu Tekstil”, e cila po verifikohet për regjistrimin e saj në Shqipëri, pasi dyshohet se nuk është e regjistruar si shoqëri në QKR.