Prokuroria nis hetimet për tre deputetë të PS

Pak ditë pas nisjes së hetimeve ndaj zyrtarëve të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, Prokuroria ka sekuestruar dosjet e pasurisë së tre deputetëve socialistë. Organi i akuzës mësohet se, do të verifikojë veprimet e kryera nga inspektorët e ILDKP-së për verifikimin e pasurisë së ligjvënësve Valentina Leskaj, Rakip Suli dhe ish-deputetit socialist Koço Kokëdhima. Burime nga Prokuroria e Tiranës bënë të ditur se, janë sekuestruar dosjet e dy deputetëve dhe një ish-deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, në zyrat e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit.
Burimet pranë organit të akuzës bënë të ditur se, Prokuroria ka sekuestruar dosjet individuale të deputetes Valentina Leskaj, deputetit Rakip Suli dhe ish-deputetit Koço Kokëdhima, të cilit Gjykata Kushtetuese i hoqi mandatin. Sekuestrimi i dosjeve të tyre, mësohet se është bërë për llogari të hetimit të nisur kryesisht ndaj zyrtarëve të lartë të ILDKPKI-së, duke mos përjashtuar hetimin edhe ndaj kryeinspektorit të përgjithshëm Shkëlqim Ganaj.
Burimet thonë se, me sekuestrimin e këtyre dosjeve, do të verifikohet nëse inspektoriati i ILDKPKI-së, ka kryer kontrolle për ligjin e konfliktit të interesit në dosjet e tre të zgjedhurve. Prokurorët thonë se, subjekt i këtij hetimi nuk janë deputetët apo deklaratat e tyre të pasurisë, por vetëm pjesa nëse zyrtarët e ILDKPKI-së kanë kryer detyrën, duke verifikuar nëse deputetët kanë shkelur ligjin e konfliktit të interesit.
Sipas akuzës, hetimi është përqendruar te mosveprimi i zyrtarëve të lartë të ILDKPKI-së në kontrollin e këtyre dosjeve, pasi tre deputetët u dërguan në Gjykatën Kushtetuese me argumentin se ata dhe pjesëtarët e afërm të familjes kanë shkelur ligjin e konfliktit të interesit, me pretendimin se kanë përfituar fonde publike në kohën që ata mbanin detyrën e deputetit. Por pavarësisht këtyre pretendimeve të opozitës, vetëm deputetit Koço Kokëdhima, Gjykata Kushtetuese i hoqi mandatin, duke rrëzuar nga ana tjetër kërkesën për heqjen e mandatit edhe për deputetët Leskaj dhe Suli.
Prokurorët thonë se pavarësisht mos heqjes së mandatit këtyre deputetëve, ILKDPKI-ja duhet të vepronte për të parë nëse ka shkelje të ligjit në kontratat që ata, kompanitë e tyre ose familjarët e afërm kanë përfituar fonde publike nga tendera apo kontrata të ndryshme pune. Në ditët në vazhdim, thonë burimet nuk përjashtohet mundësia edhe e thirrjes së inspektorëve të ILDKPKI-së për të dhënë shpjegime për veprimet dhe mos veprimet e tyre në dosjet ndaj tre deputetëve.
Dy oficerë të Policisë Gjyqësore, me një urdhër sekuestrimi të lëshuar nga Prokuroria e Tiranës u paraqitën mesditën e së hënës në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Misioni i tyre ishte sekuestrimi i të gjitha dosjeve të pasurive të deklaruara nga zyrtarë të lartë, që kur në krye të ILDKPKI-së është emëruar Shkëlqim Ganaj.
Grupi i Taks-Forcës së Prokurorisë së Tiranës ka dyshime se, kreu i këtij institucioni ka shpërdoruar detyrën, pasi në tre vjet nuk ka konstatuar dhe nuk ka denoncuar asnjë rast konflikti interesi të zyrtarëve të lartë.
Hetimi kundër kreut të Inspektoriatit të Lartë vjen në momentin, kur institucioni i drejtuar nga Ganaj është i përfshirë në procesin e marrjes në sitë e deklaratave të pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve, si pjesë e procesit të vetingut që pritet të ndjekë miratimin e ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Ky ligj, i cili është ankimuar nga Partia Demokratike në Gjykatën Kushtetuese kundërshtohet me forcë nga Unioni i Gjyqtarëve dhe një pjesë e prokurorëve. Prej kohësh marrëdhëniet mes Prokurorisë dhe ILDKPKI-së kanë qetë të tensionuara, ku palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për mbylljen e dosjeve të zyrtarëve të lartë.

Exit mobile version