Prokuroria për Krime të Rënda nis hetimin pasuror ndaj Emiljano Shullazit dhe anëtarëve të bandës së tij. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, prokurorët e çështjes, në bazë të ligjit “Antimafia” kanë nisur verifikimin e pronave që Shullazi ka të regjistruar në emrin e tij apo pjesëtarëve të ngushtë të familjes. Burimet thonë se, i është kërkuar Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë, të evidentojë të gjitha pronat e regjistruara në emër të Shullazit dhe pjesëtarëve të ngushtë të familjes.
Prokuroria, mësohet se ka kërkuar nga Hipoteka që ato prona që evidentohen në emër të Shullazit apo pjesëtarëve të ngushtë të familjes, t’i bashkangjiten edhe kontratat e fitimit të atyre pronave. Sipas Prokurorisë, deri më tani është identifikuar vetëm kontrata e fitimit të 30% të pronës së ish-hotel “Vollgës”, pasi Hipoteka ende nuk ka kthyer përgjigjet zyrtare për këtë subjekt. Veç Hipotekës, Prokuroria mësohet se ka kërkuar edhe nga Qendra Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve, të evidentojë aktivitetet tregtare që mund të jenë në emër të Shullazit apo si ortak në ndonjë biznes të caktuar. E njëjta praktikë është kërkuar edhe nga bankat e nivelit të dytë në vend, ku veç evidentimit të llogarive baankare në mënyrë analitike, është kërkuar edhe bllokimi i tyre nëse konstatohen në emër të Emiljano Shullazit.
Nga ana tjetër, mësohet se Prokuroria ka ndjekur të njëjtën praktikë evidentimi edhe për të dyshuarit e arrestuar, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Blerim Shullazi dhe Endri Zela. Veç emrave të tyre, Prokuroria mësohet se ka kërkuar edhe për të afërmit e tyre në bazë të ligjit “Antimafa”, pasi të pandehurit akuzohen për disa “gjobëvënie”, “kërcënime për shkak të detyrës”, të gjitha këto në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Pesë të pandehurit e kësaj dosje, tashmë kanë përfunduar në gjyq për gjobëvënie ndaj një biznesmeni dhe pritet që Gjykata e Krimeve të Rënda të nisë procesin gjyqësor me datën 10 maj.
Ndërkohë hetimit të Prokurorisë, mësohet se i janë nënshtruar edhe rreth 15 persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë pjesë e “bandës” së drejtuar nga Emiljano Shullazit.