Drejtoria e Pastrimit të Parave pranë Policisë së kryeqytetit, rihap hetimin pasuror ndaj dy vëllezërve Dhimitër dhe Xhevahir Poti, të arrestuar në Belgjikë si pjesë e grupit të trafikut të drogës, ku dyshohet se është përfshirë edhe Klement Balili. Bëhet e ditur se Drejtoria e Pastrimit të Parave, ka referuar një material voluminoz pranë Task-Forcës së Prokurorisë së Tiranës, duke kërkuar rihapjen e hetimeve të pezulluara që në vitin 2015 po nga kjo prokurori. Burimet thonë, se pas arrestimit të tyre në Belgjikë si të dyshuar për trafik droge, ka nis hetimin pasuror në Shqipëri, pasi mendohet se këtu ata kanë investuar dhe fshehin pasuri të paligjshme. Për këtë fakt, hetuesit thonë se është kërkuar nga prokurori Armand Gurakuqi të rihapë çështjen e pezulluar.
Në vitin 2015 mësohet se hetimi pasuror ndaj vëllëzërve Poti është pezulluar për shkak të mos ardhjes së përgjigjes nga autoritet greke. Në vendimin e pezullimit, thuhet se është dërguar një letër-porosi në Greqi, ku kërkohet identifikimi i origjinës së parave që vëllezërit kuksianë kanë dërguar në Shqipëri nëpërmjet bankave të nivelit të dytë. Sipas akuzës, në mars të 2008 Prokuroria ka hap çështje penale ndaj kompanisë së barnave “Chim Prod” të vëllezërve Poti, pasi gjatë viteve 2007-2009, kjo kompani ka pranuar transferta parash nga Greqia të shumës që kap shifrën e 826 mijë euro. Këto para kanë ardhur në llogarinë bankare të kompanisë farmaceutike CHIM Prod dhe në llogarin personale të Dhimitër Potit.
Në dosjen e pezulluar, thuhet se më 3 gusht të vitit 2007 në llogaritë bankare të kompanisë dhe Dhimitër Potit janë transferuar 160 mijë euro. Më pas, më 31 dhjetor të 2008 një shumë tjetër prej 80 mijë eurosh. Dhe tre transferta të ndryshme brenda vitit 2009, në shkurt, prill dhe shtator Dhimitër Potit i janë derdhur në llogarinë e tij personale një shumë në total prej 586 mijë euro. Këto para, u sekuestruan paraprakisht nga Prokuroria, por më pas u liruan, pasi autoritetet greke nuk sollën të dhëna për origjinën e tyre. Por pavarësisht kësaj, me kërkesë të Policisë, organi i akuzës ka rihapur çështjen, duke nisur verifikimin e llogarive bankare dhe pronave të familjes Poti në Shqipëri. Këto prona dhe pasuri, në momentin që do të evidentohen, thonë burimet do të kërkohet bllokimi i tyre.
Vëllezërit Poti, sipas Policisë greke, janë pjesë e rrjetit të trafikut të drogës të drejtuar në Shqipëri nga personi tashmë i shpallur në kërkim Klement Balili. Për llogari të këtij rrjeti, Policia greke dyshon se këta të dyshuar brenda dy viteve kanë trafikuar drejt vendeve të BE-së rreth 2400 kg hashash, 100 kg cannabis çokollatë, 24 kg kokainë dhe 1.2 kg heroinë.