Prokuroria nis hetimet për të shkuarën e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Organi i akuzës njoftoi dje se ka kërkuar materialet paraprake nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Elvis Roshin. “Të dhënat e kryetarit të Bashkisë së Kavajës kanë qenë të pasqaruara”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Bazuar në tagrin e tij ligjor, prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të paraqesë materialet paraprake mbi subjektin e ligjit, Elvis Roshi, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë.
Kërkesa e prokurorit të Përgjithshëm mbështetet në faktin se, në formularin e vetëdeklarimit të këtij subjekti, ka të dhëna të pasqaruara, të cilat kërkojnë verifikim më të thelluar”.
Formulari që plotësoi Elvis Roshi nxori në pah problemet që ai kishte pasur me drejtësinë gjermane. Ai pranoi se ka qenë i skeduar në Gjermani, por në formularin e dekriminalizimit, shënoi se arsyet nuk i kujtoheshin. Po ashtu, Roshi thotë se nuk i kujtohej nëse ishte dënuar apo jo në Gjermani.
Reagimi i Prokurorisë
Prokuroria e Përgjithshme nis punën konkrete për zbatimin e Ligjit “Për dekriminalizimin”. Prokuroria e Përgjithshme, në kuadër të ligjit të konsideruar “Për dekriminalizimin”, do të ftojë javën e ardhshme një takim për koordinimin e veprimeve me organet e tjera shtetërore që kanë struktura të posaçme për zbatimin e tij.
Në bazë të Ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, Prokuroria e Përgjithshme ka një rol kryesor në shqyrtimin e rasteve të mundshme të përfshirjes në vepra penale ose të dënuar të zyrtarëve të administratës publike, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Në zbatim të ligjit, Prokuroria e Përgjithshme ka ngritur strukturën e posaçme, e cila do të verifikojë integritetin e subjekteve të këtij ligji.
Bazuar në tagrin e tij ligjor, prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të paraqesë materialet paraprake mbi subjektin e ligjit, Elvis Roshi, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë. Kërkesa e prokurorit të Përgjithshëm mbështetet në faktin se, në formularin e vetëdeklarimit të këtij subjekti, ka të dhëna të pasqaruara, të cilat kërkojnë verifikim më të thelluar.
Në vijim, Prokuroria e Përgjithshme, krahas angazhimit të saj, pret dhe mirëpret çdo informacion apo indicie nga institucionet përgjegjëse dhe qytetarët mbi rekordet e mundshme kriminale të zyrtarëve, brenda apo jashtë vendit, për të cilat janë parashikuar ndalimet përkatëse në Ligjin “Për dekriminalizimin”.
Formulari i Roshit
Gazeta RD publikoi në numrin e datës 7 maj lajmin mbi formularin e vetëdeklarimit në kuadër të ligjit të Dekriminalizimit të plotësuar nga Elvis Roshi, ku sipas të dhënave të siguruara nga gazeta, Roshi pranonte se emrin e ka pasur Ervin, por e ka ndryshuar. Kjo ka ndodhur në vitin 2002 dhe kryebashkiaku i Kavajës pranon gjithashtu se më parë ka qenë në hetim nga autoritetet të huaja për vepër penale. Elvis Roshi ka plotësuar në formular se është proceduar nga Gjykata e Mynihut në Gjermani. Por, pyetjes për arsyen e hetimit, Roshi çuditërisht i përgjigjet se nuk e mban mend përse është hetuar. Në lidhje me pyetjen nëse ka ndaj është marrë ndonjë masë sigurie, Elvis Roshi pranon se ka patur masë sigurie arrest me burg. Ai shton gjithashtu se është dëbuar nga qyteti i Mynihut, por edhe në këtë rast nuk i kujtohet përse është dëbuar.
Roshi rrezikon jo vetëm heqjen e mandatit, por edhe burgun
Pyetjes në formular nëse ka qenë ndonjëherë në hetim apo gjykim nga ndonjë autoritet i huaj për kryerjen e ndonjë vepre penale, Roshi i përgjigjet me “Po”. Ai thotë se është proceduar nga Gjykata e Mynihut në Gjermani, por çuditërisht ai thotë se nuk e mban mend se përse është gjykuar. Ky hetim i gjykatës ka ndodhur në vitin 2002. Po në mënyrë të habitshme, Roshit nuk i kujtohet as cili ka qenë vendimi i Gjykatës së Mynihut në Gjermani në lidhje me hetimin penal për të cilin ai është gjykuar.
Pyetjes nëse është caktuar ndonjë masë shtrënguese e sigurisë personale ndaj tij Roshi i përgjigjet me “Po” dhe vendimi është lënë në fuqi ndaj arrestit me burg. Një tjetër pyetje që ka një përgjigje interesante nga “fenomeni Roshi” i Ramës në krye të bashkive të vendit është nëse ndaj tij është marrë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj? Përgjigjja e kësaj pyetje nga Roshi është “Po”. Ai saktëson se qyteti nga ku është dëbuar është Mynihu dhe ai shton se kjo ka ndodhur përpara vitit 2002, kur ai ndryshoi edhe emrin. Çuditërisht edhe në këtë rast, Roshit nuk i kujtohen arsyet se përse ai është dëbuar nga Gjermania.
Kjo është një pjesë e përgjigjeve që gazeta ka mundur të sigurojë nga formulari i dekriminalizimit që Roshi ka dorëzuar zyrtarisht. Përgjigjet e mësipërme janë të mjaftueshme që mandati i kryebashkiakut të Ramës që mban mend shumë mirë se kur ka ndryshuar emrin, kur është arrestuar, kur është hetuar dhe kur është dëbuar nga Gjermania, por nuk mban mend arsyen se përse i kanë ndodhur të gjitha këto janë të mjaftueshme që mandati i tij të hidhet në koshin e plehrave.
Roshi ka fshehur burgun në Zvicër
Nga një investigim i gazetës i bërë kohë më parë rezulton se, kryebashkiaku i Ramës në Kavajë, Roshi rezulton me precedentë penalë edhe më parë. Ai gjatë viteve 1997-2000 ka kryer dënimin me burg për trafik droge në shtetin e Zvicrës, gjë e cila nuk deklarohet në formularin e deklarimit të pasurisë dhe kjo mbetet për t’u verifikuar përmes shenjave të gishtërinjve, pasi të zgjedhurit e Ramës kanë kryer krime dhe vepra të ndryshme penale me emra të rremë.
Fakti që kryetari i PS për Bashkinë e Kavajës, Elvis Roshi ka kryer dënimin me burg për trafik droge nga periudha 1997-2000 e kanë konfirmuar burime zyrtare zvicerane. Pasuria e tij është e pajustifikuar gjatë këtyre viteve. Ai disponon një hotel dhe pasuri të tjera, të cilat në një vend normal nuk do t’i lejoheshin një trafikanti droge qoftë edhe me mandat kryebashkiaku, por do të duhet që të sekuestroheshin. I mbetet drejtësisë që gjatë ditëve të ardhshme të bëjë punën e saj për të verifikuar të gjitha të dhënat nga i zgjedhuri i Ramës në krye të Kavajës përmes blerjes së votave me paratë e pista të drogës.
Arben Shahini