Prokuroria: Pajisja e përgjimit e policisë pa leje edhe në Itali

Prokuroria e Tiranës, është vënë në kërkim të pajisjes së përgjimit, që dyshohet se e disponon pa leje Policia e Shtetit. Burimet thonë se me nisjen e hetimeve për këtë fakt, Prokuroria me ndihmën e shërbimit sekret ka zbuluar se kjo pajisje ka ardhur në Shqipëri rreth 6 muaj më parë, ku një kompani italiane, ka kërkuar të demonstrojë pajisjen e shpikur prej tyre. Mësohet se demonstrimi është bërë në prani të zyrtarëve të lartë të policisë, ku më pas mendohet se Policia e Shtetit e ka blerë, me argumentimin se do të përdoret për trajnimin e oficerëve. Por, zyrtarisht nga policia thonë se, pajisja është e interforcës italiane në Shqipëri dhe shfrytëzohet për trajnime. Ndërkohë sipas Prokurorisë, kjo pajisje dhe programet e saj të shpikur nga kompania italiane, nuk janë ligjëruar në shtetit fqinj. Edhe pse janë siguruar këto të dhëna, Prokuroria thotë se ende nuk është sekuestruar kjo pajisje që mendohet se ndodhet në ambientet e Akademisë së Rendit.
Pas nisjes së hetimit për pajisjen përgjuese që është instaluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policsë së Shtetit. Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Përgjithshme kanë marrë përgjigje negative nga ana e titullarëve të Policisë, të cilët kanë pranuar ekzistencën e një aparature të tillë. Por, zyrtarët e Policisë së Shtetit kanë pohuar se një aparaturë e tillë administrohet nga misioni italian “Interforce”, e cila përdoret për trajnimin e Policisë shqiptare.
Nën këtë pretekst, drejtuesit e Policisë së Shtetit kanë refuzuar bashkëpunimin me Prokurorinë për këtë hetim, duke mos lejuar oficerët e Policisë Gjyqësore, të njihen me këtë aparaturë, për pasojë edhe të bëjnë detyrën e tyre.
Prokuroria e Përgjithshme ka tentuar të sekuestrojë aparaturën përgjuese te Policia e Shtetit, por nuk është lejuar. Hetimi i Prokurorisë së Përgjithshme për praninë e një pajisjeje “ilegale” përgjimi në Policinë e Shtetit nisi pas informacioneve të siguruara nga strukturat inteligjente të sigurisë.
Sipas këtyre informacioneve, gjatë muajit të fundit Policia e Shtetit ka kryer disa interceptime telefonike përmes një mënyre të panjohur nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Shërbimi Informativ Shtetëror.
Hetimi i Prokurorisë ka nisur pas publikimit të një shkrimi në media ku ndër të tjera shkruhej se, një pajisje përgjuese tepër e sofistikuar është instaluar prej më shumë se një muaji në zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, duke vënë në alarm institucionet e sigurisë. Pajisja nuk rezulton e regjistruar në asnjë regjistër zyrtar apo dokument tjetër të institucioneve të Sigurisë.
Skandali i pajisjes përgjuese nga Policia e Shtetit pa autorizim nga Prokuroria u publikua para tre ditësh nga gazeta “Mapo”, me titull: Pajisja misterioze e paautorizuar nga Prokuroria: Kë po përgjon Tahiri”?

Ja kush është pajisja përgjuese e Tahirit në polici

“IMCI Catcher” është pajisja që po përdoret për trajnimin e oficerëve të Policisë së Shtetit, por që Prokuroria dyshon se mund të përdoret për përgjime të paligjshme.
Prej ditësh, në media po flitet se shërbimet inteligjente kanë ngritur alarmin se në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë është një pajisje përgjuese, për të cilën nuk ka asnjë autorizim ligjor dhe nuk dihet se si ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Këto informacione mediatike u konfirmuan në mesin e javës, kur Prokuroria e Tiranës ka regjistruar informacionin e shërbimeve inteligjente në formën e kallëzimit dhe ka nisur verifikimet e saj.
Të premten, dy oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës u paraqitën në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, me një vendim për të sekuestruar pajisjen e dyshimtë. Por të dërguarit e Prokurorisë u kthyen “duarbosh”, pasi, drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit u thanë që kjo pajisje nuk gjendet në administrimin e tyre. Sipas zyrtarëve blu, pajisja që po kërkon Prokuroria shërben vetëm për qëllime trajnimi dhe administrohet nga misioni “Interforze” i qeverisë italiane, e cila asiston autoritetet shqiptare.
Në vijim të kësaj përgjigjeje, Prokuroria e Tiranës i është drejtuar zyrtarisht “Interforze”-s, për të krijuar një ide më të qartë se për çfarë qëllimi është përdorur pajisja. Ndërkohë, “Boldnews.al”, e cila ka mësuar emërtimin e pajisjes “IMCI Catcher”, ka bërë një kërkim të thjeshtë në internet mbi këtë aparaturë.
Rezultatet e kërkimit në internet konfirmojnë dyshimet se ajo pajisje mund të përdoret lehtësisht për përgjime dhe, nëse është përdorur nga Policia për këtë qëllim, atëherë interceptimet janë të paligjshme dhe ky rast mund të shënojë një skandal shumë të rëndë në institucionet e sigurisë në Shqipëri.
“Boldnews.al” i referohet faqes ndërkombëtare të internetit ‘Wikipedia”, në të cilën, për pajisjen “Imci Catcher” jepet një shpjegim i tillë: “Imci Catcher” është një pajisje që përdoret për përgjimin e trafikut të telefonisë celulare (mobile), si edhe për të ndjekur vendndodhjen e personave që përdorin telefonë celularë. Teknikisht, kjo pajisje shërben për të realizuar krijimin e një antene të rreme ndërmjet telefonit celular dhe antenës reale. “IMCI” përdoret në vende të ndryshme nga agjencitë ligjzbatuese dhe shërbimet e inteligjencës. Megjithatë, përdorimi i tyre ka ngritur shqetësime të mëdha sa i përket sigurimit të lirive civile dhe personale. Përdorimi i kësaj pajisjeje është rregulluar me ligje strikte në vendet ku ajo përdoret”.

R.POLISI

Exit mobile version