Prokuroria politike e Ramës proçedon deputetët e opozitës

Prokuroria politike dhe policia, me urdhër të Ramës, nis përndjekjen dhe arrestimin e aktivistëve të opozitës që morën pjesë në protestën para Parlamentit. Sapo nisi punën Kryeprokurorja e Ramës, 10 deputetët të opozitës janë proceduar në gjendje të lirë. Sipas njoftimit të policisë së kryeqytetit, deputetët po procedohen nga Prokuroria, pasi gjatë protestës kanë kryer veprime aktive në nxitjen e turmave dhe kanë ndihmuar në prishjen e kordonit të Policisë, me qëllim hyrjen në ambientet e brendshme të Kuvendit. Ndaj tre deputetëve të PD, Flamur Noka, Grida Duma dhe Edi Paloka ka nisur procedim për veprën penale “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”. Ndaj deputetëve Monika Kryemadhi, Flamur Noka, Ervin Salianji, Endrit Brahimllari, Kejdi Mehmetaj, Floida Kërpaçi, Klevis Balliu dhe Gent Strazimiri është bërë procedim për “Kundërshtim të punonjësit të policisë që kryen një detyrë shtetërore”.
Procedimi i deputetëve është bërë me urdhër të Ramës për t’i bërë presion opozitës që të mos protestojë.
Drejtoria e Policisë së kryeqytetit thekson se, aktualisht po vijon punën për identifikimin, edhe shumë personave të tjerë, duke verifikuar edhe pamjet nga kamerat e sigurisë për t’i përdorur si prova materiale në gjykatë.
Sapo përfundoi protesta e opozitës, policia nisi përndjekjet dhe arrestimet. Vetë policia bëri të ditur se ka arrestuar 6 protestues, por numri i të arrestuarve është shumë më i madh, pasi mjaft arrestime janë bërë edhe në disa qytete të ndryshme. Sipas policisë, ata kanë kryer veprime të dhunshme, si hedhja e sendeve të forta në drejtim të punonjësve të Policisë, hedhja e materialeve piroteknike, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë në përmbushjen e detyrës.
Përgjatë gjithë kohës që u zhvillua protesta para Parlamentit, policia fotografoi protestuesit për t’i arrestuar gjatë natës. Krahas dhunës dhe terrorit, policia po kërcënon qytetarët me arrestime që të mos dalin në protesta paqësore.
Mijëra qytetarë u mblodhën para sallës së Parlamentit, duke kundërshtuar zgjedhjen e Kryeprokurores së Përkohshme vetëm me votat e mazhorancës. Policia u përplas me protestuesit, duke ushtruar dhunë ndaj tyre. Megjithë dhunën dhe terrorin e ushtruar nga policia, protestuesit vijuan protestën deri në përfundim të saj.
Nënkryetari i Kuvendit, Edi Paloka, kryetari i grupit të PD Edmond Spaho, nënkryetarët Strazimiri dhe Alibeaj, Halimi si dhe Sekretari Organizativ, Enno Bozdo kanë shkuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Drejtuesit e opozitës kanë shkuar aty në shenjë proteste për arrestimin e aktivistëve gjatë protestës para Parlamentit.

PD thirrje Prokurorisë: Liro protestuesit

Nga Drejtoria e Policisë, deputeti i PD, Ervin Salianji apeloi Prokurorinë të lirojë 6 protestuesit që morën pjesë në protestën e një dite më parë të opozitës dhe që vijojnë të qëndrojnë në qelinë e izolimit. Ai tha se, protestuesit po mbahen në paligjshmëri. “Prokurori i ri i Republikës së Shqipërisë po nis me akte paligjshmërie, ashtu si edhe dje në sallën e Kuvendit në sy të gjithë publikut në shkelje të ligjit, në shkelje të Kushtetutës u emërua Kryeprokuror i Shqipërisë. Dje, gjatë natës dhe sot gjatë ditës, protestues paqësorë të opozitës për të cilët Policia e Shtetit nuk ka asnjë provë, asnjë fakt për të gjithë, asnjë provë për paligjshmërinë e protestës paqësore. I kanë mbajtur në shkelje të ligjit sot gjatë gjithë ditës si Halitin, i cili sapo u lirua pas interesimit tonë si deputetët, por dhe gjithë strukturave të PD dhe në paligjshmëri të plotë mbajnë në qelitë e izolimit 6 qytetarë të tjerë të këtij vendi, të cilët protestuan paqësisht, por që pritet një akt nga Prokuroria për t’i liruar”, u shpreh Salianji.
Më tej, Salianji i bëri thirrje Prokurorisë që të lirojë protestuesit, pasi arrestimi i tyre është i paligjshëm. “I bëj thirrje Prokurorisë, çdo prokuror që i ka shkuar çështja e këtyre qytetarëve të bëjë lirimin e menjëhershëm të tyre dhe të mos bëhet pjesë e paligjshmërisë së akteve që ka ndërmarrë Policia e Shtetit. Ne do të jemi këtu derisa këta qytetarë të lirë, të cilët protestojnë edhe për shkak të gjendjes së tyre të vështirë ekonomike, edhe për shkak të situatës së keqe në të cilën Edi Rama ka futur vendin, shkojnë dhe përfundojnë në qelitë e izolimit, ndërkohë që Saimir Tahiri, Vangjush Dako, Ilir Beqaj, Qazim Sejdini dhe qindra zyrtarë të tjerë të korruptuar të kësaj qeverie me Edi Ramën në krye sillen sikur të jenë pronarë të Shqipërisë. Kjo nuk tut askënd, vetëm nxit akoma më shumë reagimin e qytetarëve për t’u bërë pjesë e rrëzimit të një qeverie, e cila tashmë ka hyrë në tirani. Dhe si çdo tirani fundi është i ditur”, tha ai.
Më herët, Policia e Tiranës njoftoi se janë arrestuar 6 protestues dhe 2 të tjerë ndiqen në gjendje të lirë për veprime të dhunshme në protestë ndaj Policisë së Shtetit. Po kështu nën hetim janë 10 deputetë të opozitës, të cilët procedohen në gjendje të lirë për prishje të rendit dhe kundërshtim të Policisë. Sakaq në ndjekje është Enno Bozdo, për organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme.

R.POLISI

Artikulli paraprakDeputetja: Shefi i komisariatit më tha, “jemi polici e urdhërave”!
Artikulli tjetërDuma: Mazhoranca i trembet protestave