A po fsheh Prokuroria shifrat reale të mbjelljes së drogës?

Në Raportin vjetor për 2016-ën hartuar nga Prokuroria e Përgjithshme dhe dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë thuhet se, prodhimi dhe trafikimi i narkotikëve është rritur me 38.7% në krahasim me vitin 2015. Sipas Raportit të Prokurorisë, pesha specifike që prodhimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike zë për vitin 2016 përkundrejt numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi, është 8,4%, ndërsa për vitin 2015 ka qenë 5,9%.
Koefiçenti i kriminalitetit për 100 000 banorë për këtë grup veprash në vitin 2016 është 91,8, ndërsa në vitin 2015 ka qenë 65,9. Nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2016, ka një rritje prej 38,7% të numrit të procedimeve të regjistruara për këtë grup veprash penale në krahasim me vitin 2015. Ndërkaq, kemi rritje prej 53,4% të procedimeve të dërguara për gjykim në krahasim me vitin 2015.
Në lidhje me të pandehurit, për këtë grup veprash penale, vihet re një rritje e numrit të të pandehurve të regjistruar përkundrejt këtij totali në vitin 2015 prej 29,8%, rritje e numrit të të pandehurve, të cilët i janë dërguar gjyqit prej 57,4% dhe rritje e numrit të të pandehurve të dënuar nga Gjykata me 67,6% përkundrejt vitit 2015.
«Nga të dhënat statistikore rezulton se, në vitin 2016 ka një rritje prej 38,7% të numrit të procedimeve të regjistruara për këtë grup veprash penale në krahasim me vitin 2015. Ndërkaq, kemi rritje prej 53,4% të procedimeve të dërguara për gjykim në krahasim me vitin 2015. Në lidhje me të pandehurit, për këtë grup veprash penale, vihet re një rritje e numrit të të pandehurve të regjistruar përkundrejt këtij totali në vitin 2015 prej 29,8%, rritje e numrit të të pandehurve, të cilët i janë dërguar gjyqit prej 57,4 % dhe rritje e numrit të të pandehurve të dënuar nga Gjykata me 67,6% përkundrejt vitit 2015», thuhet në Raportin e Prokurorisë së Përgjithshme.
3,8% e të miturve në prodhimin e drogës
Nga  numri  i  përgjithshëm  i  të  pandehurve,  rezultojnë  96,2%  të  pandehur  të  rritur  dhe 3,8% të mitur (14 deri 18 vjeç). Nga numri i përgjithshëm i të pandehurve, rezultojnë 98,2% meshkuj dhe 1,8% femra.
Në lidhje me arsimin e të pandehurve rezulton se 57,2% e të pandehurve janë me arsim deri 9-vjeçar, 40% me arsim të mesëm dhe 2,8% e të pandehurve me arsim të lartë.
Përsa i përket gjendjes shoqërore nga të dhënat statistikore vihet re, se nga sektori privat janë regjistruar 18,1% e të pandehurve, nga sektori shtetëror 0,8% dhe të papunë 81,1%.
Rezulton se 54,8% e të pandehurve kanë vendbanimin në qytet, ndërsa 45,2% prej tyre në fshat. Në lidhje me gjendjen gjyqësore të të pandehurve, theksojmë se pjesa më e madhe e të pandehurve janë të padënuar më parë, 94,6% e tyre, 0,7% janë përsëritës për të njëjtën vepër, ndërsa pjesa tjetër prej 4,7% janë përsëritës për vepra penale të ndryshme.
Pesha specifike që zë kjo vepër penale në këtë grup është 39% për vitin 2016, shifër kjo e njëjtë me vitin 2015. Ecuria e kësaj vepre penale në pesë vite, 2012-2016 paraqitet në grafikun e mëposhtëm (procedimet penale të regjistruara pranë organit të Prokurorisë): Nga të dhënat statistikore vihet re se, për veprën penale të parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në vitin 2016, numri i procedimeve të regjistruara është 39,2% më i lartëse në vitin 2015.
Procedimet
Numrin më të madh të procedimeve të regjistruara për këtë vepër penale e kanë Prokuroria e Shkallës së Parë Tiranë, që përbën 40% të numrit total të procedimeve në shkallë vendi, Prokuroria e Shkallës së Parë Vlorë, Shkodër e Durrës kanë regjistruar rreth 7% të numrit total të procedimeve në shkallë vendi, Prokuroria e Shkallës së Parë Fier ka regjistruar 6% të numrit total të procedimeve në shkallë vendi, Prokuroria e Shkallës së Parë Berat, Elbasan, Gjirokastër e Lezhë kanë regjistruar një numër procedimesh që përbën rreth 4% të numrit total të procedimeve në shkallë vendi, ndërsa Prokuroria e Shkallës së Parë Dibër, Kavajë, Pogradec, Lushnjë, Korçë, Sarandë, Krujë, Kurbin, Kukës, Mat, Përmet, Tropojë e Pukë e kanë regjistruar në vitin 2016, një numër procedimesh më të ulët se 2,5% e numrit total të procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Pesha specifike që zë kjo vepër penale në këtë grup është 60,8% për vitin 2016, ndërkohë që në vitin 2015 ka qenë 61%. Nga të dhënat statistikore vërehet tendenca në rritje në vitin 2016 e procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal, “Kultivimi i bimëve narkotike”, prej 38,6% në krahasim me vitin 2015.
Numrin më të madh të procedimeve të regjistruara për këtë vepër penale e kanë regjistruar Prokuroria e Shkallës së Parë Vlorë që përbën 16% të numrit total të procedimeve në shkallë vendi, Prokuroria e Shkallës së Parë Shkodër ka regjistruar 13% të numrit total të procedimeve në shkallë vendi, Prokuroria e Shkallës së Parë Gjirokastër e Krujë kanë regjistruar 12% të numrit total të procedimeve në shkallë vendi. Prokuroria e Shkallës së Parë Tiranë, Pukë, Fier e Lezhë kanë regjistruar nga 5% të numrit total të procedimeve, Prokuroria e Shkallës së Parë Kurbin ka regjistruar 4% të procedimeve dhe Prokuroria e Shkallës së Parë Berat e Tropojë kanë regjistruar nga 3% të numrit  total të procedimeve në shkallë vendi.
Prokuroria e Shkallës së Parë Sarandë, Përmet, Korçë, Elbasan, Dibër, Kukës, Durrës, Lushnjë, Mat, Pogradec e Kavajë, kanë regjistruar një numër procedimesh më të ulët se 2,5% për veprën penale të parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal, “Kultivimi i bimëve narkotike” gjatë vitit 2016, ku numrin më të ulët e kanë regjistruar Prokuroria Kavajë e Pogradec.

Harta e krimit, kryeson Vlora e ndjekur nga Gjirokastra

Harta e kriminalitetit në Shqipëri për vitin 2016 saktëson se Qarku i Vlorës ka koeficientin më të lartë të kriminalitetit të popullsisë, të cilën e ndan në vend të dytë me Gjirokastrën. Ndërsa vendi me më pak krime në vend vazhdon të jetë Përmeti, ndërsa nga shifrat zyrtare të prokurorisë shikohet një rritje e madhe e kriminalitetit në zonën e Kukësit, ku në krahasim me një vit më parë ka një rritje prej 14 përqindësh të ngjarjeve.
Raporti vjetor për 2016-ën hartuar nga Prokurori i Përgjithshëm dhe dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë. Në nivel kombëtar, koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100.000 banorë në vitin 2016 (bazuar në sistemin statistikor të Prokurorisë) është 1088, ndërsa në vitin 2015 ka qenë 1122, duke pësuar kështu një ulje të lehtë.
Në Qarkun Dibër që përfshin Prokurorinë e Shkallës së Parë, Dibër dhe Mat, koeficienti i kriminalitetit për 100.000 banorë në vitin 2016 është 542. Në Qarkun Berat që përfshin Prokurorinë e Shkallës së Parë Berat koeficienti i kriminalitetit në vitin 2016 është 724.
Në Qarkun Durrës që përfshin Prokurorinë e Shkallës së Parë Durrës dhe Krujë, koeficienti i kriminalitetit është 1036. Në Qarkun Elbasan që përfshin Prokurorinë e Shkallës së Parë Elbasan, koeficienti i kriminalitetit për 100.000 banorë është 797, ndërsa në Qarkun Fier që përfshin Prokurorinë e Shkallës së Parë Fier dhe Lushnjë koeficienti i kriminalitetit është 867.
Në Qarkun Korçë që përfshin Prokurorinë e Shkallës së Parë Korçë dhe Pogradec, koeficienti i kriminalitetit në vitin 2016 është 878, ndërsa në Qarkun Kukës që përfshin Prokurorinë e Shkallës së Parë Kukës dhe Tropojë, koeficienti i kriminalitetit për 100.000 banorë është 1009.
Në Qarkun Lezhë që përfshin Prokurorinë e Shkallës së Parë Lezhë dhe Kurbin, koeficienti i kriminalitetit për 100.000 banorë është 1154, ndërsa në Qarkun Shkodër që përfshin Prokurorinë e Shkallës së Parë Shkodër dhe Pukë, koeficienti i kriminalitetit në vitin 2016 është 1154.
Qarqet më të nxehta janë Tirana, Gjirokastra dhe Vlora. Në Qarkun Tiranë që përfshin Prokurorinë e Shkallës së Parë Tiranë dhe Kavajë, koeficienti i kriminalitetit në vitin 2016 është 1251, ndërsa në Qarkun Gjirokastër që përfshin Prokurorinë e Shkallës së Parë Gjirokastër dhe Përmet, koeficienti i kriminalitetit për 100.000 banorë është 1507.
Në Qarkun Vlorë që përfshin Prokurorinë e Shkallës së Parë Vlorë dhe Sarandë, koeficienti i kriminalitetit për 100.000 banorë në vitin 2016 është 1711, që përbën nivelin më të lartë të kriminalizimit të popullsisë.

Sekuestrohen 158 kg drogë në Itali

Policia italiane sekuestroi mëngjesin e djeshëm 158 kg drogë të futur nga Shqipëria dhe vuri në pranga një 35-vjeçar shqiptar. Shqiptari me iniciale A.L, ishte duke lëvizur aq ngadalë në autostradë me makinën e tij, sa që është ndaluar për një kontroll normal nga Policia Rrugore në Ponte Oglio, teksa ishte drejtuar për në Bergamo.
Kur iu kërkuan dokumentet nga agjentët, ai shfaqi shenja nervozizmi, raportojnë mediat lokale. Në makinën e shqiptarit tip “Ford Focus” me banim në komunën Osio Sopra, është gjetur 25 kg drogë, e llojit marijuanë. Droga ishte fshehur në katër kuti që ishin vendosur mbi sediljet e pasme.
Kur u pyet nga efektivët se çfarë kishin brenda atyre kutive, 35-vjeçari u mpi edhe më shumë. Megjithatë, pas pak çastesh pranoi se brenda tyre kishte “bar”. Efektivët e policisë vijuan kontrollin në banesën e 35-vjeçarit në Osio Sopra. Aty, nuk kishte asgjë të dyshimtë, përveçse një çelës të një garazhi po në atë komunë, rreth 1 km larg banesës ku jetonte.
Në brendësi të garazhit, agjentët gjetën mes të tjerash 6 kg kokainë, 84 kg hashash dhe 43 marijuanë, si dhe peshore e çanta të ndryshme. A.L., i arrestuar për posedim të lëndëve narkotike, është mbyllur në burgun e Bergamo-s, në pritje të seancës gjyqësore për masën e sigurisë.

8 tonelatat e drogës, thellohen hetimet

Prokuroria për Krime të Rënda shpall në kërkim shtetasin shqiptar, i njohur me emrin Abaz, që dyshohet si një nga organizatorët e trafikut të 8 tonëve drogë nga Maqedonia drejt Italisë.
Burimet pranë organit të akuzës, thanë se nga komunikimet telefonike të shoferit të kamionit Zoran Stanojoski me një shtetas maqedonas, me pseudonimin Zoki flasin për një shtetas shqiptar. Gjatë këtyre përgjimeve, policia italiane ka transkiptuar një bisedë vetëm pak momente para bllokimit të kamionit me drogë. Në këtë bisedë, shoferi kishte pikasur faktin se po ndiqej nga policia itliane që pas daljes nga Porti i Ankones dhe kërkon nga shtetasi maqedonas me pseudonimin Zoki të kontaktoi me shtetasin shqiptar me emrin Abaz. Stanojoski i thotë shokut të tij maqedonas, se policia italiane i kishte hapur vulat e plumbosjes së rimorkios së kamionit dhe e kishin lënë të lirë. Por, thotë shoferi, prej portit po ndiqej nga policia italiane për destinacionin e drogës. Në këtë kohë, në bisedë shoferi i kamionit të drogës këshillohet nga bashkëbiseduesi për të braktisur rimorkion e kamionit dhe të largohet. Pas kësaj bisede, shoferi Zoran Stanojoski tenton të lërë në një parking publik rimorkion e ngarkuar me drogë, por arrestohet nga policia italiane.
Burimet pranë grupit hetimor, thanë se po punohet për të identifikuar personin me emrin Abaz, që dy bashkëbiseduesit maqedonas kërkojnë ta njoftojnë se po ndiqeshin nga policia. Nga ana tjetër, burimet thonë se kanë nisur verifikimi i aparateve celularë të 4 policëve të arrestuar: Çlirim Pepa, Ervin Kodra, Lirim Halili dhe Syrja Terziu, për komunikimet e mundshme me personin e quajtur Abaz. Të 4 të dyshuarit, akuzohen për trafik droge, me dyshimin se kanë ndihmuar shoferin maqedonas të kaloi lehtësisht në Shqipëri një sasi prej 8 tonë hashash që më pas ka kaluar nga Porti i Durrësit drejt Italisë, ku edhe është bllokuar nga policia italiane. Për këtë ngjarje, burimet thonë se po hetohen disa biznesmenë maqedonas dhe shqiptar, si pjesë e këtij rrjeti të fuqishëm të trafikut të drogës.

R.POLISI

Artikulli paraprakZyrtari amerikan Yee kërkon dialog për zgjedhje, i pasigurtë për datën
Artikulli tjetërOrban: Mështetje të plotë për protestën dhe Bashën