Prokuroria rrëzon policinë: Besnik Pudja u vra për drogën

Prokuroria ka rrëzuar Policinë e Tiranës për vrasjen e 36-vjeçarit Besnik Pudja më 7 tetor të vitit të kaluar në një magazinë hashashi në fshatin Kollagjesh të Shëngjergjit. Policia njoftoi në atë kohë se, Besnik Pudja ishte vetëvrarë, por ekspertiza ka vërtetuar se në duart e viktimës nuk ka patur gjurmë baruti apo faktorë të tjerë plotësues. Prokuroria e Tiranës bëri të ditur dje se, Besnik Pudja nuk është vetëvrarë, por është vrarë nga persona të tjerë për motive që mund të kenë lidhje me drogën. Për këtë arsye, katër muaj pas ngjarjes, prokurori Alket Mersini ia ka deleguar dosjen për veprime të mëtejshme policisë së kryeqytetit, në sektorin që heton vrasjet e pazbardhura. Prokuroria është e bindur për mënyrën se si ka humbur jetën 36-vjeçari pas një akt-ekspertize të përcjellë nga Mjekësia Ligjore, që thotë se viktimës nuk iu gjetën elementë të faktorëve plotësues në dorë. Që do të thotë se, nëse Besnik Pudja do të ishte vetëvrarë, atëherë ekspertët do të konstatonin elementë të barutit në duart e tij, që do të kishin ngelur pas të shtënës me pistoletë.

Vrasja

Besnik Pudja u gjet i pajetë në 7 tetor 2016 në një kapanon në fshatin Kollagjesh të Shëngjergjit në Tiranë. Policia bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, “36-vjeçari B.P. është gjetur i vetëvrarë në anën e një rruge në fshatin Kollagjesh. Pranë trupit të tij u gjet një pistoletë”. Mediat publikuan lajme se, Pudja është eliminuar si pasojë e konflikteve për parcelat me kanabis, por Policia e Tiranës reagoi sërish, duke e cilësuar vetëvrasje.
Pudja ishte gjetur i shtrirë në tokë me fytyrën sipër, me duart e vëna pranë xhepave të xhupit. Gishti tregues i dorës së majtë ishte në formë të harkuar, siç qëndron zakonisht në këmbëzën e një arme. Kjo, sipas ekspertëve, tregon se ai ka patur armë në dorën e majtë pak çaste përpara se të ndërronte jetë. Në raportin e policisë thuhej se ai është qëlluar pas veshit, në anën e djathtë. Për ekspertët, që ai të qëllonte veten me dorën e majtë në krahun e djathtë pas koke dhe plumbi t’i dilte në sy, është krejtësisht e pamundur.
Dy personat e arrestuar, miq të tij, Alges Liçi dhe Dritan Buzo, që u vetëdorëzuan disa ditë pas ngjarjes, deklaruan se Pudja u vetëvra. Ata i thanë policisë se kishin qenë prezent, kur Pudja qëlloi veten. Alges Liçi rezultonte i plagosur në krahun e majtë. Ai pohoi para grupit hetimor se, plumbi që i kishte dalë në syrin e djathtë 36-vjeçarit e kishte kapur atë në krah, ndërkohë që ishte i shtrirë në krevat, ndërsa Pudja gjendej në këmbë tek dera e hambarit.
Disa fakte të tjera të zbuluara nga Prokuroria e rrëzojnë këtë skenar. Pistoleta me të cilën policia dhe dy të arrestuarit pretendonin se u qëllua Pudja, u gjet me një fishek në fole. Fisheku ishte kapsollë të goditur, por me plumbin brenda. Kjo do të thotë se ajo nuk ka mundur të bëjë qitje.
Por një detaj i rëndësishëm është fakti se edhe pse nuk ka bërë qitje, ajo e kishte makanizmin goditës të hapur. Ky mekanizëm hapet automatikisht, kur pistoleta kryen qitje ose vetëm nëse hapet manualisht. Nisur nga fakti se fisheku është gjetur i paplasur, përjashtohet mundësia që mekanizmi të jetë hapur automatikisht. Për këtë arsye, hetuesit dyshojnë se pistoleta është prekur pas vrasjes së viktimës dhe me të është bërë qitje pas vrasjes me qëllim për të fshehur gjurmët.

Babai: Djalin e vranë

Petrit Pudja, babai i 36-vjeçarit që u gjet i vrarë në Shëngjergj deklaroi, se djalin ia kanë vrarë në një kapanon me hashash, por po tentohet të fshihet e vërteta. Petrit Pudja tregoi për mediat se, pasi ia kanë vrarë djalin, kanë fshehur provat dhe kanë pastruar gjithçka në magazinë, duke e hequr drogën nga vendi ku ai u gjet i vrarë. “Unë di t’ju them vetëm kaq. Djali im nuk kishte asnjë arsye për të vrarë veten. Ai një natë para se të vritej më mori në telefon shumë i qetë dhe më tha se nesër (atë ditë që u vra), do të vinte në shtëpi. Vendi ku është gjetur i vrarë djali im nuk është stan, është një kapanon droge”, deklaroi Petrit Pudja.
“Djali im punonte në Shëngjergj. Nuk i njoh personat që kanë ndaluar. Djali kishte marrë plumb në anën e majtë të kokë, por ai nuk e përdorte fare dorën e majtë. Djali është vrarë në darkë, para mesnate dhe ngjarja është marrë vesh të nesërmen në drekë. Ashtu siç nuk është gjetur as celulari i tij, ashtu nuk u gjet as droga, mbase as shumë e shumë prova të tjera”, rrëfeu babai.
Ndërsa motra e viktimës tha se, i vëllai ishte punëtor hashashi dhe vrasja e tij lidhet me faktin se ai kishte nisur të fliste rreth punës që bënte. “E vranë, sepse filloi të fliste. Po tregonte gjëra që nuk duhej t’i thoshte. Ai ishte i punësuar atje”, tha ajo.

Truproja e Tahirit tek vrasja në Shëngjergj?

Vrasja e Besnik Pudjas në magazinën e hashashit në Shëngjergj të Tiranës dyshohet, se është porositur nga truproja i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Elvis Rexha. Ish-Kryeministri Berisha publikoi pak ditë pas ngjarjes një mesazh të mbërritur në adresë të tij nga një oficer policie, i cili hedh dyshime serioze se vrasja është kryer, ose është porositur nga Elvis Rexha, që është badigardi i ministrit Saimir Tahiri. Berisha shkruante se, të gjitha manipulimet, fshehjen dhe zhdukjen e provave të vrasjes së Besnik Pudjas i ka bërë drejtori i Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj me porosi të Saje qorrit dhe e raportoi si vetëvrasje.
“Oficeri dixhital hedh dyshime se: Dyshime tejet serioze ka hedhur në informacionin e tij se, badigardi dhe kryesekseri i Saje qorrit, Elvis Rexha mund të jetë dhe ekzekutori ose porositësi i vrasjes së Besnik Pudjas. Elvis Rexha është kryesori i parcelave të kanabisit në malësinë e Shëngjergjit! Të gjitha manipulimet, fshehjen dhe zhdukjen e provave të vrasjes së Besnik Pudjas i ka bërë drejtori i Drejtorisë së Policisë së Tiranes, Ervin Hodaj me porosi të Saje qorrit. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të hetojë me përparësi implikimin direkt të Saje qorrit, sekserit të tij, Elvis Rexha dhe drejtorit Ervin Hoda, në këtë krim të shëmtuar dhe përpjekjen për të paraqitur ekzekutimin mafioz të Besnik Pudjas si vetëvrasje!”, shkruante Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e oficerit të policisë.
“Pëshëndetje doktor. Jam një oficer i Policisë në Komisariatin Nr. 4 në Tiranë. Ju bëj me dije se, Besnik Pudja personi që u gjet i vrarë në hangarët e hashashit në fshatin Kallogjesh në Shëngjergj është mik dhe lidhje e ngushtë e Elvis Rexhës, badigardit dhe sekserit më të ngushtë të Sajmir Tahirit dhe e di e gjithë zona. E gjithë vendngjarja dhe servirja e rrethanave të rreme për këtë ngjarje është bërë me porosi të drejtorit të Tiranës, Ervin Hodaj që të mos dalë e vërteta që mbas këtyre parcelave dhe kësaj ngjarje kaq të rëndë të mos dalë në dritë emri i Elvis Rexhës, që është kaq shumë i implikuar në atë zonë me parcelat e hashashit”, shkruante oficeri i policisë.

R.POLISI

Artikulli paraprak1 ton drogë nga Shqipëria kapen në Itali dhe Greqi
Artikulli tjetër“BIRN”: Deputeti Peza nën hetim jo vetëm për pasurinë, tani rrezikon mandatin