Prokuroria sekuestron dosjen e mbledhjes ilegale të AMA-s

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar dosjen e mbledhjes së datës 29 dhjetor 2016, ku “Ora News” së bashku me operatorë të tjerë televizivë u skualifikuan në mënyrë të paligjshme për të favorizuar interesa klienteliste të kryetarit të AMA-s, Gentian Sala.
Pas kallëzimit të “Ora News”, dje edhe kompania “Tring” ka kallëzuar në Prokurori veprimtarinë e AMA-s në mbledhjen e datës 19 janar, ku u tentua në mënyrë klandestine të jepej licenca kombëtare, për të cilën në të dyja rastet PD ka votuar kundër.
Prokurorët kanë zbarkuar në Autoritetin e Mediave Audiovizive për të hetuar mënyrën, proçedurat dhe ligjshmërinë e akteve që ka ndjekur ky institucion për dhënien e licencave kombëtare ndaj operatorëve televizive që operojnë në vend.
Burimet nga Prokuroria bëjnë më dije për “Ora News” se organi i akuzës ka sekuestruar dosjen e AMA-s të datës 29 dhjetor 2016, që skualifikoi operatorët konkurentë dhe çoi për votim në bord vetëm kompaninë për të cilën akuzohet se po vepron në mënyrë klienteliste.
Për shkak të mungesës së votave dhe faktit që tri anëtarët e opozitës në bord votuan kundër, dhënia e licencës nuk u mundësua.
“Ora News” e dërgoi AMA-n në Gjykatën Administrative, por institucioni i Gentian Salës nuk u ndal në përpjekjet e tij për ta dhënë sa më parë licencën e të preferuarve të tij.
Ndaj, në 19 janar 2017, zhvilloi një tjetër mbledhje të fshehtë pa prani të operatorëve dhe hodhi për votim licencën për kompaninë që favorizon, por sërish dështoi.
Kompania “Tring” ka bërë sot kallëzim në Prokurori ndaj AMA-s për mbledhjen e djeshme dhe pritet që Prokuroria të sekuestrojë edhe dosjen e mbledhjes në fjalë.

Çfarë ndodhi dje

Dje, Autoriteti i Mediave Audiovizive tentoi përmes një përpjekje “puçiste”, duke mos njoftuar operatorët televizivë të japë licencën kombëtare.
AMA zhvilloi mbledhje, për t’i dhëne shoqërisë “ADTN” sh.a me administrator Dritan Shakohoxha, licencën kombëtare private të transmetimit audioviziv.
Por votimi ka përfunduar me rezultatin 4 me 3, duke rezultuar i dështuar, pasi vendimi për dhënien e frekuencës kërkon të paktën 5 vota pro.
“Tre anëtarë votuan kundër, duke e konsideruar një shkelje flagrante e ligjit për mediat audiovizive proçedurën e përzgjedhur për dhënien e frekuencës”, konfirmuan për “Ora News” burime të besueshme nga AMA.
Sjelljet klienteliste të AMA vijnë pas tentativës së mërparshme, atë të datës 29 dhjetor 2016, kur AMA votoi 6 me 0 për dhënien e një  licence kombëtare e po ashtu vendosi mos dhënien e saj për shoqërinë “ADTN”.
Në të njëjtin takim, AMA vendosi skualifikimin e tre subjekteve te tjera aplikuese. Por megjithëse ky vendim skualifikimi është çuar në Prokurori nga subjektet e interesuara, AMA u mblodh sërish, për të ndarë licencën e mbetur.
Autoriteti i drejtuar nga Gentian Sala nuk njoftoi palët e interesuara për mbledhjen e sotme dhe  nga ana tjetër nuk ka respektuar as afatet ligjore të ankimimit nga subjektet që kontestuan vendimet e 29 dhjetorit.
Anëtarë të AMA konfirmuan për “Ora News” se në relacionin shoqërues për mbledhjen nuk përmendej asnjë nga faktet e mësipërme.
Mbledhja e radhës do të zhvillohet më 27 janar, dhe nuk dihet nëse do të tentohet sërish që po në mënyrë ilegale të jepet licenca kombëtare.

Boçi: Ajo që po ndodh në AMA është skandaloze

Ajo që po ndodh me AMA-n dhe me mënyrën se si ky “autoritet” po shpërndan licencat kombëtare të shërbimeve audiovizive, është skandaloze.
Mbledhja e djeshme “ilegale” dëshmon degradimin e këtij institucioni, që ka shkatërruar çdo normalitet mediatik në Shqipëri.
AMA po insiston t’i japë dhe një tjetër licencë (rrjet frekuencor numerik) “konsorciumit” mediatik, afër Ramës që deri tani ka marrë 2 licenca.
Shoqëria ADTN pavarësisht kapërcimeve interpretuese “ligjore” është pjesë, në mënyrën e administrimit të aksioneve, e këtij grupimi, i cili ka vendosur monopolin në tregun mediatik.
Madje ai tejkalon dhe vetë RTSH publike, e cila zotëron vetëm 2 frekuenca (licenca).
I bie që për 15 vite (kaq zgjat licenca) askush të mos “kakarisë” në tregun mediatik e në media përveç Ramës!!!!
Largimi i “Ora News” dhe i të tjerëve synonte pikërisht këtë.
AMA me seancën e djeshme shkeli totalisht ligjin, pasi procesi i nisur, është i ankimuar në Gjykatë nga ORA sh.a.
Kjo e fundit është penalizuar padrejtësisht nga gara.
AMA duhet ta ndërpresë procesin, deri në daljen e vendimit nga Gjykata.
Njëkohësisht drejtuesi i saj t’i nënshtrohet një seance dëgjimore urgjente në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik.

Exit mobile version