Sekuestrohet pasuria e Habilajve në Vlorë. Me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Policia në bashkëpunim me Drejtorinë e Vlorës, policia ka sekuestruar 6 njësi shërbimi dhe apartamente banimi me sipërfaqe të ndryshme. “Prej Specialistëve të Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Vlorë, në vijim të informacionit, lidhur me procedimin penal në ngarkim të shtetasve, Artan Habilaj, Moisi Habilaj dhe Florian Habilaj, si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, është bërë ekzekutimi i Vendimit Penal Nr. 379 datë 30.10.2017 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, e cila ka vendosur caktimin e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro- preventive” mbi pasuritë”, informon policia.
Pasuritë e sekuestruara
-Njësi Shërbimi me sipërfaqe 157 m2, ndodhur ne lagjen “28 Nëntori”, Vlorë, në pronësi të shoqërisë Turi&Mzb shpk dhe Florian Habilaj.
-Njësi shërbimi me sipërfaqe 136 m2, në lagjen “29 Nëntori”, Vlorë, në pronësi të shtetasit Florian Habilaj.
-Apartament banimi në Vlorë, në pronësi të shtetasit Artan Habilaj.
-Apartament banimi me sipërfaqe 69 m2, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në pronësi të K.H..
-Apartament banimi me sipërfaqe 104.5 m2 në Vlorë, në pronësi të shtetasit F.M..
-Njësi shërbimi dhe banimi, me sipërfaqe 156 m2, në Vlorë, në pronësi te shtetasit Artan Habilaj.
Ndërkohë vijon puna për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që kanë buruar nga aktiviteti kriminal.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.