Prokuroria: Shullazi po hetohet edhe për vrasje e trafik droge

I arrestuari Emiljano Shullazi bashkë me rreth 15 persona të tjerë, të dyshuar si pjesëtarë të “bandës” së tij, po hetohen edhe për trafik droge, gjobëvënie të tjera dhe një vrasje në Durrës. Prokuroria për Krime të Rënda, pas dërgimit në gjyq të Shullazit dhe 5 të pandehurve të tjerë për 9 vepra penale, ka veçuar dosjen për vazhdim hetimesh, për disa akuza të tjera. Sipas Prokurorisë, Shullazi dhe banda e tij, po hetohet edhe për akuzën e trafikut të drogës, që dyshohet se e transportonin nëpërmjet Portit të Durrësit drejt Italisë.
39-vjeçari Shullazi veç trafikut të drogës, po hetohet edhe për akuzën e “gjobëvënies” ndaj disa biznesmenëve të njohur, të cilët në Prokurori kanë mohuar faktin se kanë paguar shuma të mëdha parash në formën e gjobës.
Por pavarësisht mohimit të tyre, mësohet se Prokuroria po verifikon këto raste dhe dyshimet e tjera që mendohet se biznesmenët janë detyruar të paguajnë nën kërcënimin e armës. Pjesë e hetimit të ndarë ndaj Shullazit dhe bandës së tij, thonë burimet, është edhe një vrasje e ndodhur vitin e kaluar në Durrës. Ku dyshohet se viktima është vrarë për shkak të problemeve mes grupeve kriminale në Durrës.
Me dërgimin e dosjes së Emiljano Shullazit dhe 4 ushtarëve të tij në gjyq, Prokuroria zbardhi mënyrën e krijimit dhe funksionimit të kësaj organizate kriminale, me qëllimin e vetëm përfitimin material e jo material me veprime të kundraligjshme. Në kërkesën për gjykim të firmosur nga prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, është renditur mënyra e funksionimit të kësaj organizate kriminale.
Prokurorët, një pjesë të mirë të dosjes së dërguar në gjyq, përshkruajnë mënyrën e ngritjes dhe funksionimit të bandës kriminale të drejtuar nga Emiljano Shullazi. Ky i fundit, thuhet në dosje, ka arritur të formojë një grup të strukturuar kriminal, duke siguruar anëtarësinë e grupit, vijimësinë e tij, pasjen e një hierarkie në grup dhe kryerjen e krimeve të ndryshmë në formën e grupit të strukturuar kriminal. Sipas akuzës, i pandehuri Emiljano Shullazi është personi që ka rolin organizativ dhe personi, i cili me veprime aktive ka krijuar grupin e strukturuar, duke kryer njëherazi edhe vepra të ndryshme në emër të “bandës” që drejton.

Exit mobile version