Prokuroria siguron dëshminë që fundos gjyqtaren e korrupsionit

Prokuroria e Përgjithshme siguron një bashkëpunëtor në dosjen e korrupsionit të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, tashmë të pezullar nga detyra, Majlinda Andrea. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se 60-vjeçarja Eleni Lino, një nga trashëgimtarët e 40 hektarëve tokë në zonën e Butrintit, ka pranuar para Prokurorisë mënyrën e korruptimit të gjyqtares Andrea.
Gjatë marrjes në pyetje nga prokurori Arben Kraja, mësohet se, 60-vjeçarja Lino ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, duke treguar me detaje të gjithë rrugën e ndjekur që nga Gjykata e Shkallës së Parë deri në atë të Gjykatës së Lartë. Ajo ka treguar se në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe të Apelit, trashëgimtarët e kësaj prone nuk kishin paguar para.
Por kanë firmosur para noterit disa kontrata premtimi për sipërfaqe të caktuara toke, për personat që kanë ndikuar që vendimi të ishte në favorin e tyre. Ndërsa në Gjykatën e Lartë, Lino është shprehur se nuk kanë pranuar tokë, por donin para cash. Për këtë fakt, ajo thotë se ka kontaktuar me Petraq Dashin, bashkëshortja e të cilit është përfituese nga kjo pronë, për të kontaktuar me Odhise Andrean bashkëshortin e gjyqtares.
Pas takimit mes tyre, Dashi ka njoftuar se Odhise Andrea donte 50 mijë euro që vendimi të jepej në favorin e tyre dhe t’ia dorëzonte në dorë. Për këtë fakt, Eleni Lino i ka thënë hetuesve se kanë shkuar para noterit, duke ia dhuruar në formë huaje Petraq Dashit shumën prej 50 mijë eurove.
Por pas dorëzimit të parave dhe dekonspirimit të informacionit, Odhise Andrea i ka kërkuar të bënin një deklaratë tjetër noteriale të tre të dyshuarve, Petraq Dashi, Eleni Lino dhe Ilia Çabiri se ia jepnin atij nga 17 mijë euro borxh secili. Këto fakte të deklaruar nga Eleni Lino janë konfirmuar edhe nga noteri gjatë marrjes në pyetje si dhe nga personi që ka kthyer lekët në euro. Në dosje thuhet se edhe Ilia Çabiri ka një kontratë premtimi me trashëgimtarët e kësaj prone, për ndihmën që i ka dhënë atyre në rrugën e gjatë nëpër dyert e gjykatave.
Prokuroria bëri të ditur se, skena e dhënies së parave është e filmuar. Në filmime shihet sekseri Petraq Dashi, duke dhënë qesen me para bashkëshortit të gjyqtares Odhise Andrea. Vendimi për kthimin e pronës është dhënë në datën 12 korrik. Ndërkohë më datë 14 të këtij muaji, mes Petraq Dashit dhe burrit të gjyqtares është bërë një kontratë noteriale, ku Dashi i jep para borxh bashkëshortit të gjyqtares. Kjo kontratë, sqarojnë burimet nga Prokuroria, është bërë pas  rrjedhjes së informacionit se ndaj gjyqtares ka një hetim për korrupsion.
Po ashtu, Prokuroria ka urdhëruar verifikimin e pasurisë së gjyqtares Andrea dhe familjarëve të saj. Mësohet se prokurori, ka kërkuar nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurisë t’i vërë në dispozicion deklaratat e pasurisë së gjyqtares Andrea ndër vite dhe bashkëshortit të saj, Odhise Andrea që mbante detyrën e Këshilltarit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvend.
Nga ana tjetër, javës që vjen Prokuroria mësohet se do të marrë në pyetje gjyqtaren e pezullur nga detyra Majlinda Andrea, mbi të cilën rëndon akuza e “Korrupsionit pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, që parashikon një dënim nga 3 deri në 10 vjet burg.

Exit mobile version