Prokuroria: Sota dhe Tahiri i ndërruan makinat në kufi

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka përdorur të njëjtën skemë me Orest Sotën, si me Habilajt për trafikun e drogave të forta. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka verifikuar sistemin TIMS dhe ka zbuluar se, Tahiri ka udhëtuar me makinë drejt Malit të Zi së bashku me Orest Sotën, i cili u kap para pak ditësh nga Policia në Elbasan me 863 euro dhe dy patenta të Tahirit në makinë. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, nga pika e Muriqanit ka dalë me makinën e tij Orest Sota, në të njëjtën ditë ka dalë me makinën e tij edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Sipas të njëjtave burime, nga verifikimet në TIMS është zbuluar se në kthim, ish-ministri i Brendshëm, Tahiri ka hyrë në territorin shqiptar nga pika kufitare e Muriqanit, duke përdorur automjetin në pronësi të Orest Sotës. Ndërsa Sota, sipas burimeve nga Prokuroria, ka hyrë në territorin shqiptar nga pika e Murriqanit, duke përdorur automjetin e Saimir Tahirit.
Pritet që në ditët në vijim, Prokuroria të kryejë dhe një sërë veprimesh të tjera shtesë. Sipas Prokurorisë, do të verifikohen edhe udhëtimet e Tahirit dhe Sotës në Portin e Durrësit. Ish-ministri Saimir Tahiri ka deklaruar publikisht para disa kohësh se, nuk ka në pronësi të tij asnjë makinë, ndërsa Prokuroria ka zbuluar se Tahiri ka udhëtuar me makinën e tij drejt Malit të Zi, ndërsa në kthim ka ndërruar makinën me Sotën.
Kjo skemë është përdoruar disa herë nga Tahiri për të trafikuar drogat e forta jashtë vendit. Edhe nga verifikimet e sistemit TIMS pas përgjimeve të Habilajve nga Prokuroria e Katanias, prokurorët e Krimeve të Rënda kanë zbuluar se, Tahiri, pasi ka shitur makinën tek Artan Habilaj, e ka ripërdorur këtë makinë disa herë për të udhëtuar jashtë kufijve. Madje, në njërin prej rasteve, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ishte vetë Artan Habilaj, ai që udhëtoi me makinën në fjalë drejt Greqisë, për t’u kthyer me të njëjtën makinë vetë ministri i Brendshëm, Tahiri.
Prokurorët e Krimeve të Rënda kryen verifikimet në sistemin TIMS për hyrje-daljet e Sotës dhe ish-ministrit të Brendshëm, Tahiri pas deklaratës së kryetarit të PD, Basha se, Tahiri dhe Sota kanë udhëtuar së bashku jashtë vendit. Në një postim në Facebook, Basha shkruante se, sa më shumë përpiqet Edi Rama të mbrojë Tahirin, aq më shumë i del boja si i lidhur me krimin dhe përfitues i tij. “Rama po gënjen prapë për llogari të Tahirit, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten e tij. Tahiri dhe Sota janë bashkëpunëtorë në trafikun e milionave të drogës dhe po përpiqen çdo minutë të fshehin provat.
Burime të sigurta informojnë se, Tahiri dhe Sota kanë udhëtuar bashkë për në Itali, me datë 2 gusht 2016 nga Porti i Durrësit. Ata janë larguar nga Italia bashkë dhe janë rikthyer në Shqipëri me datë 7 gusht 2016 me të njëjtën linjë. Në 1 shtator 2017, Tahiri dhe Sota janë larguar bashkë nga Shqipëria nëpërmjet Muriqanit dhe janë kthyer bashkë më datë 3 shtator 2017 po nëpërmjet Muriqanit. Në 6 shtator 2017, Orest Sota ka dalë nga Shqipëria, duke përdorur makinën e Tahirit.
Fakte të tjera tronditëse pritet të publikohen së shpejti. Edi Rama dhe qeveria e tij janë të zhytur në krim dhe të kapur nga krimi. Largimi i tyre është imperativ kombëtar”, deklaroi Basha. Orest Sota kishte lidhje jo vetëm me Tahirin, por edhe kryeministrin Rama dhe vëllain e tij Olsin.

Hetimi: Sota nuk ka blerë hekur në kompaninë “Kurum”

Orest Sota dhe babai i tij, biznesmeni Lefter Sota, nuk figurojnë në regjistrat financiarë të kompanisë së hekurit “Kurum”. 25-vjeçari pretendoi se 863 mijë eurot që iu gjetën më 1 nëntor në makinë kishin për qëllim blerjen e disa mijërave ton hekur në këtë kompani. Pretendimi i Orest Sotës se sasia e madhe e parave ishte për të blerë hekur tek “Kurum” u hodh poshtë pak ditë më parë edhe nga menaxherja e kësaj kompanie, e cila deklaroi në prokurori se “Kurum” kryen transaksione me shifra deri në 150 mijë euro. Shuma që parave që kishte Sota në makinë ishte disa herë më e madhe.
Sekuestrimi i regjistrave të shit-blerjes ishte veprimi i parë që kreu Prokuroria e Krimeve të Rënda, në kuadër të verifikimit të pasurisë së Orest Sotës dhe familjes së tij. Njësia e inteligjencës financiare po gjurmon origjinën e 863 mijë eurove që iu kapën të riut, sëbashku me tre patentat e Saimir Tahirit dhe bashkëshortes së tij.

R.POLISI

Exit mobile version