Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër deputetit, Fatmir Limaj, nën dyshimet për veprën penale “krime të luftës kundër popullatës civile”. Fatmir Limaj, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i partisë politike Nisma për Kosovën.
Sipas Prokurorisë Speciale, aktakuza ka të bëjë me vrasjen e dy civilëve: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, Komuna e Malishevës.
Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se “si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit”.
Sipas aktakuzës, “i pandehuri Fatmir Limaj, i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarrë masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje”.
Fatmir Limaj është akuzuar edhe në të kaluarën për krime lufte, por në fund gjykata e ka shpallur të pafajshëm dhe kishte vendosur ta lironte në mungesë të provave bindëse. Gjithashtu, Limaj është përballur me gjykim për krime lufte edhe në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, ku po ashtu është shpallur i pafajshëm.
Avokati: Nuk ka prova për akuzat
Avokati i Fatmir Limajt, Tahir Rrecaj, i kontaktuar nga Express ka thënë se, aktakuza e ngritur ndaj klientit të tij nuk është e mbështetur në prova.
Tahir Rrecaj ka thënë për Gazetën Express se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale për Fatmir Limajn nuk është e mbështetur në prova dhe se ka mungesë të provave për këtë.
Prokuroria Speciale dje ngriti aktakuzë kundër Fatmir Limajt për krime luftë ndaj popullatës civile.
Sipas aktakuzës, rasti ka të bëjë me vrasjen e dy civilëve: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, Komuna e Malishevës, të cilët më datë 02 tetor 1998, janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.
“Në kohën kur kanë ndodhur ato vrasje të pretenduara, UÇK-ja nuk ka pasur hierarki gjatë asaj periudhe kohore”, ka thënë Rrecaj për Express.
Ai ka theksuar se ka pritur nga Prokuroria që kjo çështje të mbyllet, pasi Fatmir Limaj sipas tij, i kishte dhënë sqarime të mjaftueshme Prokurorisë për mbylljen e rastit.
Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarrë masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.