Prokuroria speciale në Maqedoni nis arrestimin e zyrtarëve të lartë

Gjykata Penale e Shkupit i ka caktuar 30 ditë paraburgim kryeshefit të Drejtorisë së Pestë të Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim, Goran Grujovski, i cili së bashku me katër persona të tjerë, përfshirë edhe ish-ministren e Brendshme, Gordana Jankullovska, dyshohen për shkatërrimin me qëllim të pajisjeve të MPB-së për ndjekjen e komunikimeve elektronike.
Pas marrjes në pyetje për 10 orë nga Prokuroria Speciale, Gjykata ka vendosur masën e paraburgimit, ndërsa për të dyshuarit e tjerë, janë shqiptuar masa të tjera, si paraqitje të obligueshme në organet gjyqësore, konfiskimin e dokumenteve të udhëtimit dhe mosndryshimin e adresave të banimit.
Dyshimet mbi shkatërrimin e pajisjeve në vlerë prej 10 milionë euro, janë publikuar nga Prokuroria Speciale në një paraqitje të jashtëzakonshme, por pa saktësuar nëse me këto pajisje janë përgjuar edhe bisedat telefonike të zyrtarëve dhe mijëra qytetarëve të tjerë, aferë kjo e publikuar nga opozita në shkurt të vitit të kaluar.
Prokurorja Lençe Ristova, ka thënë se hetimi nga operacioni të titulluar si “Fortesa”, do të tregojë nëse me këtë aparaturë janë kryer përgjimet, por dyshimet ekzistojnë për faktin se vendimi për shkatërrimin e tyre ishte marrë, pasi opozita kishte nisur me publikimin e bisedave të zyrtarëve për keqpërdorime të shumta, siç pretendon ajo.
“Për këtë rast janë të dyshuar, dy kryeshefë nga Drejtoria për Zbulim dhe Kundërzbulim, të cilët nga mesi i vitit të kaluar në bashkëpunim me ish-ministren e Brendshme dhe dy zyrtarë të tjerë, duke tejkaluar autorizimet e tyre zyrtare kanë marrë vendim për shkatërrimin e pajisjeve për ndjekjen e komunikimeve elektronike të MPB-së, duke i shkaktuar një dëm shtetit në vlerë prej 10 milionë euro”, ka thënë prokurorja Lençe Ristova, duke njoftuar edhe masat e organit të akuzës lidhur me zyrtarët në fjalë.
Akuzat e Prokurorisë Speciale kanë shkaktuar reagime të ndryshme në opinion. Nga VMRO-DPMNE-ja kanë thënë se dyshimet e Prokurorisë në fakt “janë vepër e LSDM-së në shërbim të së cilës është vënë Prokuroria Speciale”.
Nga Lidhja Social-Demokrate nuk kanë komentuar akuzat e tilla. Ndërkohë, ekspertët për çështje juridike thonë se aksioni i Prokurorisë është i pari i këtij lloji që ka rezultuar me arrestimin e një zyrtari që nga pavarësia e vendit, por Sonja Stojadinoviq, profesore në Universitetin e Shkupit, thotë se aksioni nuk do të jetë i plotë, apo se nuk do të ketë epilog, nëse nuk ndalohen edhe krerët kryesorë të keqpërdorimeve, siç shprehet ajo.
“Paraburgimi për një nga kryeshefat e Drejtorisë së Zbulimit dhe Kundërzbulimit (DSK), Goran Grujovski tregon se të gjitha hetimet, prezantimi i materialeve, informatat e Prokurorisë Speciale kanë filluar të zbatohen edhe në terren. Mirëpo, paraburgimi i tij prej 30 ditësh nuk do të thotë se procedura ndaj të gjithë njerëzit që janë nën hetime edhe do të përfundojë, apo se do të procesuohet deri nuk ndalohen edhe krerët kryesorë të veprimeve të paligjshme, përfshirë edhe ish-drejtorin kryesor të DSK-së, Sasho Mijalkov”, thotë Sonja Stojadinoviq.
Nga ana tjetër, Bashkim Selmani, ligjërues i së drejtës penale në Universitetin “Fon” të Shkupit, thotë se shkatërrimi i pajisjeve të përgjimit, lë shumë hapësirë për të dyshuar se autorët e veprave penale përmes një veprimi të tillë kanë tentuar të fshehin krimin e bërë.
“Paraburgimi i mbrëmshëm është i mirëseardhur për arsyje se këtu kemi dy gjëra, e para, se nuk ka krim pa gjurmë dhe në këtë rast ne kemi krim të organizuar shtetëror, ku funksionarët kanë zhdukur gjurmët. Prandaj vlerësoj se, Prokuroria Speciale duhet të jetë më energjike, pasi ajo i ka të gjitha argumentet dhe çdo pengesë që mund t’i bëhet mund të sjellë pasoja ende më të mëdha”, thotë Selmani.
Ndryshe, përveçse për rastin e pajisjeve të ndjekjes së telekomunikimeve, Prokuroria Speciale ka ngritur akuza ndaj zyrtarëve edhe për mashtrimet zgjedhore, ndërsa paralajmërohen hetime edhe për raste të tjera të krimit ekonomik dhe shpërdorimeve të tjera që janë objekt i asaj që njihet si aferë e përgjimeve.

Exit mobile version