Prokuroria: Tani nuk ka vlerë kontrolli në banesat e Tahirit

Krimet e Rënda e kërkuan kontrollin e banesës, pasi synonin të gjenin aty sendet e çmuara që grupi i Habilajve thoshte në bisedat e përgjuara, se i kishte bërë dhuratë Tahirit për nënën dhe bashkëshorten.
Prokuroria e Krimeve të Rënda e konsideron të pavlerë vendimin e mazhorancës parlamentare për të lejuar vetëm kontrollin e banesave të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe për të ushtruar kontroll personal ndaj tij. “Pas kaq kohe është e pakuptimtë të ushtrosh kontroll banese”, tha për lapsi.al një burim nga Prokuroria. Prokurorët nuk do të shkojnë as në Gjykatë për të marrë mandat për të kontrolluar apartametet e deputetit Tahiri. “Kjo nuk do të thotë se hetimet nuk do të vazhdojnë”, sqaroi i njëjti burim.
Krimet e Rënda e kërkuan kontrollin e banesës, pasi synonin të gjenin aty sendet e çmuara që grupi i Habilajve thoshte në bisedat e përgjuara, se i kishte bërë dhuratë Tahirit për nënën dhe bashkëshorten. “Ka kaluar 1 javë. Kontrolli duhet të kishte qenë i menjëhershëm”, vijon burimi nga Prokuroria.
Hetimi do të përfshijë edhe disa fashikuj të tjerë që kanë mbërritur nga Italia një ditë më parë. Priten edhe disa materiale të tjera shtesë jo vetëm nga Prokuroria e Katanias, por edhe nga Antimafia e Leçes.
Në dritën e provave të reja, Prokuroria mund të rikthehet në Kuvend me të njëjtën kërkesë si më parë: Autorizimin për ta arrestuar ish-ministrin e Brendshëm, nën akuzën për trafik droge, korrupsion pasiv dhe pjesëmarrje në një grup të strukuruar kriminal të narkotrafikut.

Si u zhdukën provat që inkriminojnë Tahirin

Pas kërkesë së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për heqjen e mandatit të deputetit Saimir Tahiri, ky i fundit nis të zhdukë provat që e inkriminojnë. Prokurorët kërkuan heqjen e mandatit që të ushtronin kontroll në banesën e Tahirit për të verifikuar dy byzylykë që Habilajt i kishin blerë me nga 4.5 mijë euro bashkëshortes dhe nënës së tij. Po ashtu do të ushtrohej kontroll për para dhe dhurata të çmuara që Habilajt i kanë bërë familjes Tahiri me paratë e drogës. Por këto prova u zhdukën nga Tahiri që në momentin që kërkesa e Prokurorisë po diskutohej në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit. Prokurorët në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit paraqitën prova të mjaftueshme për çështjen Tahiri, por atij nuk iu hoq imuniteti me urdhër të Ramës.
Pas publikimit të përgjimeve të bandës së Habilajt ku Tahiri përmendej për marrjen e miliona eurove dhe dhuratave të çmuara nga Habilajt, prej disa netësh në darkë tek shtëpia e Tahirit janë mbledhur shumë njerëz që kanë ardhur me makina luksoze për të zhdukur çdo gjurmë që inkriminonte Tahirin. Trafikantë droge dhe kriminelë që kanë patur mbështetjen e Tahirit në aktivitetin e tyre kriminal janë futur në orët e vona të mbrëmjes në banesën e Tahirit dhe kanë dalë prej andej të ngarkuar me thasë. Është zhdukur edhe laptopi dhe celulari sekret që Tahiri mbante në shtëpi.
Një ditë pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, Policia me urdhër të Ramës u zhduk nga Porti i Vlorës skafi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Trafikantët e drogës vijojnë të shkojnë për çdo natë tek banesa e Tahirit me makinat e tyre luksoze, duke krijuar edhe problem për trafikun. Mjaft banorë të lagjes së Tahirit janë shprehur se kanë patur shqetësime për shkak të grumbullit të makinave të mafias pranë shtëpisë së Tahirit.

Exit mobile version