Prokuroria urdhëron sekuestron e pajisjes së përgjimit

Prokuroria e Tiranës i kërkon Interforcës t’i vërë në dispozicion aparaturën, që dyshohet se është përdorur nga policia për përgjime. Burimet jo zyrtare pranë organit të akuzës, i thanë “ABC Neës” se prokurorët e çështjes kanë përpiluar urdhër sekuestrimin ku me anë të letër-porosisë dërguar autoriteteve italiane, i kërkojnë t’i vënë në dispozicion pajisjen. Por zyrtarisht ky fakt nuk konfirmohet edhe pse prej dy ditësh hetuesit e çështjes kanë marrë kontakt me përfaqësuesit e Interforcës italiane. Burimet thonë se duhet të sekuestrohet pajisja që t’i nënshtrohet një ekzaminimi teknik për të parë nëse është në gjendje të bëjë përgjimet. Por pa sekuestrimin e saj dhe nënshtrimit të ekspertizës, çështja mund të pushohet për mungesë të provave. Edhe pse për dosjen janë pyetur drejtues të lartë të policisë dhe operatorë që janë trajnuar me këtë pajisje. Misioni policor italian, Interforcë, që vepron në Shqipëri nuk pranon t’ia dorëzojë pajisjen e përgjimit Prokurorisë shqiptare. Refuzimi i italianëve i shton dyshimet se ajo ka kryer përgjime të paligjshme në Shqipëri. Pyetja që kërkon përgjigje në këtë rast është se kush i ka bërë përgjimet: policia shqiptare, siç akuzon opozita apo vetë italianët? Përgjigjja-thonë burime të Prokurorisë për “lapsi.al” – do të merrej pas verifikimit të të dhënave që janë regjistruar në memorien e aparaturës IMSI Catcher, të prodhuar nga një agjenci e specializuar italiane. Ajo u fut pa u regjistruar në Shqipëri. Dhe sipas Prokurorisë, dy specialistët e policisë italiane që thuhet se e kishin marrë atë me vete për të trajnuar policinë shqiptare kanë shkelur ligjin. Në vitin 2015 një pajisje e ngjashme u fut po nga italianët në Shqipëri, por ajo u regjistrua, për arsye se ligji e detyronte deklarimin e saj në doganë dhe pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Një burim pranë Prokurorisë tha për “lapsi.al” se italianët duhet ta kishin regjistruar në çdo rast pajisjen në doganë dhe për futjen e saj në Shqipëri qoftë pala italiane qoftë zyrtarët e policisë shqiptare që i kanë pritur italianët në Durrës, duhet të kishin vënë menjëherë në dijeni prokurorin e Përgjithshëm. Prokuroria ka marrë në pyetje disa zyrtarë të policisë shqiptare, por kur vjen fjala për të pyetur specialistët italianë, çështja komplikohet. Ish-shefi i policisë italiane, Alessandro Pansa, në një letër që i dërgoi kryeprokurorit Adriatik Llalla, i vinte në dukje faktin se personeli italian që kishte ardhur në Shqipëri me pajisjen, me mision për të trajnuar policinë shqiptare, gëzonte imunitet dhe për këtë arsye nuk mund të hetohej. Letra e kryepolicit Pansa nuk është marrë në konsideratë si provë për hetimin e nisur, pasi ajo është një shkresë personale drejtuar kreut të organit të akuzës. Por në brendi të saj ajo përmban disa fakte të rëndësishme që i shërbejnë orientimit të hetimit. Në të specifikohet momenti i hyrjes në Shqipëri, pranohet se nuk është regjistruar, sqarohet se italianët u pritën nga zyrtarë të policisë shqiptare në Durrës dhe saktësohen zonat ku është përdorur. Megjithë sqarimet e detajuara të ish–kreut të policisë italiane, që është vënë në lëvizje me iniciativë personale, siç thonë burime nga Prokuroria, grupi hetimor ka të nevojshëm kontrollin e pajisjes për të parë se për çfarë është përdorur ajo në Shqipëri, konkretisht në Tiranë, Elbasan e Vlorë.

Zbardhje aferës së përgjimeve në Shqipëri dhe Itali

Partia Demokratike ka kërkuar dje zbardhjen e aferës së përgjimeve në Shqipëri dhe në Itali. Përmes një deklarate për mediat, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka i bëri thirrje Prokurorisë për të hetuar në mënyrë të plotë dhe të pandikuar këtë ngjarje sklandaloze. “Media italiane po konfirmon dhe thellon dyshimet në lidhje me pajisjen e përgjimit që ka hyrë në Shqipëri dhe që sipas tyre gjendet në ambasadën italiane. Media italiane jo vetëm vë theksin tek futja e pajisjes në mënyrë të paligjshme, pa u regjistruar apo deklaruar, por është ngritur alarmi për  përdorimin e saj pa autorizimin e prokurorit të Përgjithshëm. Dhe pyetja që ngre gazeta ‘Il Fatto Quotidiano’, është kjo: http://ëëë.ilfattoquotidiano.it/2016/05/26/albania-pm-politici-intercettati-con-strumento-importato-illegalmente-dalle-autorita-italiane-solo-addestramento/2762046. Nëse pajisja do të përdorej vetëm për trajnimin e punonjësve të policisë shqiptare, atëherë përse ajo nuk është deklaruar, përse është mbajtur e fshehtë”, u shpreh nënkryetari i Komisionit të Sigurisë. Noka theksoi se skandali i përgjimit të paligjshëm ka tronditur tashmë edhe vendin fqinj. Duke cituar artikullin e medias italiane, ai kërkoi zbardhje të plotë të ngjarjes, si dhe largimin e menjëhershëm të Saimir Tahirit. “Media italiane flet për dyshime, për lidhje në konflikt interesi me kompaninë prodhuese të pajisjes së gjurmimit. Megjithëse çështja po ndërkombëtarizohet, sërish Rama nuk jep asnjë shpjegim para opinionit publik, përse u fut pajisja në mënyrë të paligjshme, përse u përdor pa autorizimin e prokurorit të Përgjithshëm, kush e përdori, kush u përgjua. Sa më shumë hesht Edi Rama, aq më shumë rriten përmasat e shkeljes së ligjit, të Kushtetutës, të sigurisë kombëtare, të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Ashtu si Partia Demokratike, si qytetarët, opinioni publik, edhe media italiane thekson se kjo histori ka nevojë për transparencë. Duhet zbardhje e plotë e kësaj afere, e këtij krimi shtetëror. Dhe përgjegjësit me Saimir Tahirin në krye të dalin pa vonesë para ligjit. Prokuroria duhet të hetojë në mënyrë të plotë e të pandikuar dhe për këtë lypset largimi i menjëhershëm i Saimir Tahirit”, tha Noka.

Artikulli paraprakDrama në autobus, një i vdekur dhe 11 të plagosur
Artikulli tjetërRosh nuk do t’i shpëtosh burgut me kartelat false