Prokuroria ka zbardhur hetimet në lidhje me një grup të strukturuar kriminal që merrej me trafikun e lëndëve narkotike, operacioni “Quaranta” për të cilën u zhvillua dje duke arrestuar 7 persona. Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda nisën më 4 tetor të vitit 2013, kur në Tiranë u arrestuan shtetasit Arben Mullolli dhe Romeo Mataj. Në atë kohë, në mjetin e tyre u gjetën rreth 85 kg lëndë narkotike, e cila synohej të trafikohej drejt Italisë. Pjesë e grupit sipas Prokurorisë, dyshohet të jetë edhe Odise Verbofshi, banues në Durrës.
Ky shtetas aktualisht ndodhet në burg dhe është dënuar me burgim të përjetshëm për shkak se ka vrarë dhe djegur dy persona pas zënkës për cilësinë e kanabisit. Ai ka vrarë dhe më pas ka djegur në makinë shtetasit Shaban Babasi dhe Albert Kasalla, ngjarje e ndodhur më 21 shkurt të vitit 2014. Verbofshi, konsiderohet nga Prokuroria si një nga personat kyç organizatorë të trafikut të kanabisit që blihej në zonat e Fushë-Krujës.
Në bazë të një hetimi të Prokurorisë për Krime të Rënda, në bashkëpunim dhe me informacionin referues të Policisë së Shtetit, u arrit të zbulohen dhe të arrestohen disa persona, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Gjatë këtyre ditëve janë arrestuar, në vijim të hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda, shtetasit nga Delvina dhe Saranda Arben Kanina, 44 vjeç, Petro (Abedin) Kuçi, 44 vjeç, Mirel Ademi, 22 vjeç, Artur Shukulli, 42 vjeç. Këta persona dyshohet se, bashkë me disa të tjerë, në të paktën dy episode të ndryshme, kanë tentuar të trafikojnë në Itali rreth 85 kg lëndë narkotike kanabis, si edhe në Greqi rreth 670 kg lëndë narkotike, në vitin 2014. Në këto ngjarje janë përfshirë një numër i lartë personash, disa prej të cilëve janë arrestuar kohë më parë.
Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda ka rezultuar se, në datë 04.10.2013 janë arrestuar në flagrancë në Tiranë, në vijim të një hetimi të nisur pak kohë para arrestimit të tyre, shtetasit Arben Mullolli dhe Romeo Mataj. Në mjetin në përdorim të tyre u gjet një sasi prej rreth 85 kg lëndë narkotike, të cilën po synonin ta trafikonin në drejtim të Italisë. Këta persona ishin në vëzhgim, në bazë të hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda të nisur ndaj tyre dhe disa personave të tjerë. Pjesë e këtij grupi dyshohet se ka qenë edhe shtetasi Odise Verbofshi, banues në Durrës. Ky shtetas konsiderohej si një prej personave që organizonte banorë nga Fushë-Kruja për mbledhjen e sasive të canabis-it, të cilën më pas synonte ta trafikonte jashtë Shqipërisë.
Në një nga episodet e shkëmbimit të lëndës narkotike në banesën e tij në Durrës, Odise Verbofshi vret dhe djeg në makinë dy persona, Shaban Babasi dhe Albert Kasalla. Sipas hetimit të Prokurorisë së Durrësit për këtë rast, Verbofshi dhe dy viktimat ishin konfliktuar për cilësinë e lëndës narkotike të siguruar në Fushë-Krujë dhe pagesës që duhej të bënte Verbofshi. Për këtë episod, Odise Verbofshi është dënuar me burgim të përjetshëm. Ndërkohë, që ai rezulton të jetë pjesë thelbësore e grupit që është aktualisht në hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda.
Gjatë hetimit të këtij grupi nga Tirana, në fillim të vitit 2014, Prokuroria për Krime të Rënda konstaton se ata bashkëpunonin me disa persona të tjerë, kryesisht nga Delvina dhe Lazarati. Hetimi është zhvilluar para ndërhyrjes së forcave të policisë në fshatin e Lazaratit. Pjesëtarët e grupit nga Tirana kishin porositur një sasi lënde narkotike, të cilën dyshohet se do ta trafikonin për në Greqi. Ky plan u zbulua gjatë hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda dhe grupi i personave u mbajt nën mbikëqyrje.
Nga vëzhgimi, disa persona po tentonin të trafikonin nëpërmjet kufirit malor me Greqinë një sasi të konsiderueshme lënde narkotike me anën e mushkave. Por ky plan nuk u rezultoi i suksesshëm, për faktin se grupi i personave me kafshë po ndiqej nga policët që i kishin nën vëzhgim.
Mesnatën e datës 27.04.2014, policia ndërhyri, por mundi të arrestonte në flagrancë vetëm shtetasin Artur Balilo, i cili gjendej në një mjet me 3 persona të tjerë, të cilët po koordinonin trafikimin e lëndës narkotike me kafshë. Gjatë arrestimit të Balilos u gjet edhe një armë automatike, ndërkohë që personat e tjerë u larguan me shpejtësi në errësirë. Po ashtu, nuk u bë e mundur kapja e lëndës narkotike në atë moment, pasi terreni ishte i thyer dhe errësirë, gjë që vështirësonte planin operacional policor. Kjo lëndë narkotike u zbulua dy ditë më pas, më datë 29.04.2014, në një automjet në fshatin Varfaj, në vijim të operacionit policor, të koordinuar nga Prokuroria për Krime të Rënda.
Në vijim të hetimeve, ditët e fundit Prokuroria për Krime të Rënda konkludoi mbi personat e dyshuar për këtë rast trafikimi dhe kërkoi nga Gjykata për Krime të Rënda caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”. Pas vendimit të gjykatës, u bë i mundur arrestimi i personave të përfshirë, të cilët dyshohen për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”.