Katër oficerë të Policisë Gjyqësore kanë zbarkuar në banesën e Saimir Tahirit ditën e djeshme për të kryer kontroll për të gjetur prova për dosjen ‘Habilaj’, ku akuzohet për përfshirje në trafikun e drogës, edhe ish-ministri i Brendshëm. Rreth orës 14:00, grupi i oficerëve i shoqëruar edhe nga ekspertë kriminalistë të Policisë së Shtetit, shkoi në banesën e ish-ministrit bashkë me autorizimin për kryerjen e kontrollit.
Në momentin kur oficerët janë paraqitur aty, Tahiri nuk ndodhej në banesë. Ata kanë pritur në korridor për pak minuta derisa ish-ministri është njoftuar për kryerjen e kontrollit dhe ka mbërritur aty për të qenë i pranishëm gjatë këtij veprimi hetimor.
Kontrolli i hetuesve në banesën e ish-ministrit mësohet se, është kryer me autorizim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila ka aprovuar kryerjen e këtij veprimi hetimor pas kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kjo kërkesë iu paraqit Gjykatës menjëherë, pasi Kuvendi refuzoi kërkesën për arrestimin e ish-ministrit, duke lejuar vetëm kontrollin e tij personal, atë të banesës dhe hetimin në gjendje të lirë.
Nuk dihet nëse oficerë të Policisë Gjyqësore kanë gjetur sende që inkriminojnë ish-ministrin e Brendshëm, pasi kontrolli duhetj të ishte ushtruar që para 10 ditësh kur u publikuan përgjimet e Antimafias italiane për Habilajt. Rama i dha kohë të mjaftueshme Tahirit për të zhdukur të gjitha provat që e inkriminojnë atë me bandën e Habilajve. Pas kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për heqjen e mandatit të deputetit Saimir Tahiri, ky i fundit me ndihmën e trafikantëve zhduku provat që e inkriminojnë.
Prokurorët kërkuan heqjen e mandatit që të ushtronin kontroll në banesën e Tahirit për të verifikuar dy byzylykët që Habilajt i kishin blerë me nga 4.5 mijë euro bashkëshortes dhe nënës së tij. Po ashtu do të ushtrohej kontroll për para dhe dhurata të çmuara që Habilajt i kanë bërë familjes Tahiri me paratë e drogës. Por këto prova u zhdukën nga Tahiri që në momentin që kërkesa e Prokurorisë po diskutohej në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit. Prokurorët në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit paraqitën prova të mjaftueshme për çështjen Tahiri, por atij nuk iu hoq imuniteti me urdhër të Ramës.
Pas publikimit të përgjimeve të bandës së Habilajt ku Tahiri përmendej për marrjen e miliona eurove dhe dhuratave të çmuara nga Habilajt, prej disa netësh në darkë tek shtëpia e Tahirit janë mbledhur shumë njerëz që kanë ardhur me makina luksoze për të zhdukur çdo gjurmë që inkriminonte Tahirin. Trafikantë droge dhe kriminelë që kanë patur mbështetjen e Tahirit në aktivitetin e tyre kriminal janë futur në orët e vona të mbrëmjes në banesën e Tahirit dhe kanë dalë prej andej të ngarkuar me thasë. Është zhdukur edhe laptopi dhe celulari sekret që Tahiri mbante në shtëpi.
Një ditë pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, Policia me urdhër të Ramës u zhduk nga Porti i Vlorës skafi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Trafikantët e drogës vijojnë të shkojnë për çdo natë tek banesa e Tahirit me makinat e tyre luksoze, duke krijuar edhe problem për trafikun. Mjaft banorë të lagjes së Tahirit janë shprehur se kanë patur shqetësime për shkak të grumbullimit të makinave të mafias pranë shtëpisë së Tahirit.
Prokuroria për Krimet e Rënda e akuzon ish-ministrin Tahiri për trafik të narkotikëve, në bashkëpunim, kryer në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë.
Javën e shkuar organi i akuzës iu drejtua Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve me kërkesën për heqjen e imunitetit të Tahirit, me qëllim arrestimin e tij, kontrollin personal dhe të banesës.
Prokuroria ka bërë të ditur se ka prova që e implikojnë ish-ministrin me grupin e vëllezërve Habilaj. Këta të fundit, në dosjen e përgjimeve të autoriteteve italiane e përmendin në bisedat e tyre emrin e Tahirit që i kanë dhënë miliona euro dhe dhurata të çmuara për gruan dhe nënën e tij.
R.POLISI