Prokuroria zbulon trafikantët e drogës që vepronin në mbrojtjen e Policisë

Prokuroria për Krime të Rënda ka arritur të zbulojë një grup të strukturuar kriminal që kultivonte bimë narkotike në zonat e Kurbinit, me qëllim trafikimin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Nga hetimi është arritur të identifikohen dhe arrestohen organizatorët e këtij grupi, të cilët dyshohet se bashkëpunonin edhe me një punonjës policie të zonës, i cili gjithashtu është arrestuar gjatë veprimeve të zhvilluara mbrëmjen e së hënës.
Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin në korrik 2015, në bazë të materialeve të përcjella nga ana e Prokurorisë së Kurbinit. Nga hetimet e asaj prokurorie, rezultonte se disa persona të arrestuar në flagrancë, mund të ishin pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Për këtë arsye, Prokuroria për Krime të Rënda, si strukturë përgjegjëse për hetimin e grupeve kriminale, pranoi aktet e Prokurorisë së Kurbinit dhe zhvilloi hetimet e mëtejshme.
Në bazë të veprimeve proceduriale, Prokuroria për Krime të Rënda siguroi informacione të mjaftueshme, në bazë të të cilave grupi kriminal kishte bashkëpunimin e një punonjësi policie, i cili kishte për detyrë të njoftonte nëse zhvilloheshin operacione policore antikanabis në atë zonë. Për këtë arsye, Prokuroria angazhoi në hetim edhe Shërbimin për Çështje të Brendshme dhe Ankesa në Ministrinë e Brendshme.
Nga hetimi i deritanishëm, rezulton se shtetasi Lefter (Luftetar) Nelaj, ka mbjellë dhe kultivon parcela me bimë narkotike në zonën e Malësisë së Kurbinit. Rezulton gjithashtu se ai është përfshirë në kultivimin e kësaj bime edhe në ambjente të mbyllura, ku sigurohet kultivimi në kushte artificiale (ndriçim dhe ngrohje me llampa).
Si rezultat i hetimeve të kryera, është provuar se shtetasi Lefter Nelaj ka organizuar dhe krijuar një mekanizëm, i cili bën të mundur dhe krijon të gjitha kushtet e përshtatshme për kultivimin e bimës narkotike në zonat e Malësisë së Kurbinit. Po ashtu, nga hetimi rezulton se, për këtë aktivitet, ai ka marrë sigurinë se ajo nuk do të cenohet nga forcat e Policisë së Komisariatit të Kurbinit. Po sipas hetimit, grupi kishte të siguruar edhe tregtimit të lëndës narkotike pas procesit të përpunimit.
Deri në këtë fazë të hetimeve, rezulton se subjektet e këtij procedimi penal, në veprimtarinë e tyre të kundraligjshme, janë organizuar dhe funksionojnë në formën e grupit të strukturuar, ku dalin qartë, personat që kanë financuar këtë aktivitet, personat që drejtojnë mbarëvajtjen e veprimtarisë në terren dhe lidhja e tyre me punonjës të policisë, të cilët sigurojnë që parcelat e mbjella të mos cenohen.
Në bazë të veprimeve proceduriale të Prokurorisë për Krime të Rënda, Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për disa shtetas, vendime të cilat u ekzekutuan nga ana e forcave të Policisë së Shtetit. Më konkretisht, janë arrestuar në kuadër të këtij grupi të strukturuar kriminal Luftar Nelaj, Hashim Nelaj, Elton Haxhia, Bashkim Kodra, Zan Kasmi (punonjës policie), Sami Balloku (arrestuar më parë në flagrancë me lëndë narkotike) dhe Aldo Xhaferri (arrestuar më parë në flagrancë me lëndë narkotike).

Exit mobile version